Botë

Bandat kriminale po bëjnë kërdi në Suedi

Kryeministri dhe shefi i ushtrisë janë takuar me udhëheqësit e policisë për të diskutuar se çfarë roli mund të luajë ushtria në luftimin e bandave kriminale. Vitin e kaluar, më shumë se 60 persona kanë vdekur nga të shtënat në Suedi- numri më i lartë në histori – dhe sivjet pritet të jetë edhe më keq.

Kryeministri i Suedisë të premten ka thirrur për takim shefin e forcave të armatosura për t’i dalë në ndihmë shtetit në luftën me bandat kriminale, që në muajt e fundit kanë vrarë dhjetëra persona. Kryeministri dhe shefi i ushtrisë janë takuar me udhëheqësit e policisë për të diskutuar se çfarë roli mund të luajë ushtria në luftimin e bandave kriminale.

Brenda 12 orëve të premten janë vrarë dy persona në Stokholm, ndërkaq në periferi të kryeqytetit një 25-vjeçare ka vdekur nga shpërthimi në shtëpinë e saj.

“Do t’i ndjekim bandat dhe do t’i mposhtim”, ka thënë kryeministri Ulf Kristersson.

Shefi i forcave të armatosura, Micael Byten, ka thënë për të përditshmen suedeze “Dagens Nyheter” se është duke u përgatitur për t’i ndihmuar policisë.

Ende nuk është e qartë se si do të përfshihet ushtria, por në bisedimet e mëparshme është përmendur angazhimi i ushtrisë në detyra policore me qëllim që oficerët policorë të shfrytëzojnë më shumë burime në luftimin e krimit.

Disa kritikë masat e propozuara i kanë cilësuar si të dobëta, duke argumentuar se qeveria më shumë po trajton simptomat sesa shkakun e dhunës.

Vetëm në muajin shtator, 12 persona janë vrarë nga bandat – numri më i lartë që prej dhjetorit të vitit 2019, ka shkruar gazeta “Dagens Nyheter”.

Gazeta suedeze vrasjet e fundit i ka lidhur me konfliktin mes bandës së njohur si rrjeti Foxtrot. Brenda bandës ka pasur të vrarë dhe ajo është ndarë në dy fraksione rivale.

Kristersson ka thënë se Suedia nuk ka parë diçka të tillë më parë dhe se “asnjë shtet tjetër në Evropë” nuk është duke përjetuar situatë të tillë. Ai ka thënë se nga bandat janë duke e pësuar fëmijët dhe kalimtarët e rastit.

Shpërthimi në Fullero, 80 kilometra në veri të Stokholmit, la të vdekur një grua. Ajo besohet se ishte fqinje e një personi që kishte lidhje me krimin e organizuar.

Ajo shkoi për të fjetur “në një mbrëmje krejt të zakonshme, por nuk u zgjua më”, ka thënë kryeministri suedez.

Pak orë më herët, një 20-vjeçar është vrarë me armë në Jordbro, në jug të kryeqytetit. Në një rast tjetër, një 18-vjeçar është vrarë të enjten në mbrëmje në qendrën e sporteve në Stokholm.

Vitin e kaluar, më shumë se 60 persona kanë vdekur nga të shtënat në Suedi- numri më i lartë në histori – dhe sivjet pritet të jetë edhe më keq.

Në një raport të qeverisë të publikuar në vitin 2021 thuhej se katër në çdo milionë banorë po vriteshin çdo vit në Suedi – krahasuar me 1.6 persona në një milion nëpër shtetet e Evropës.

Policia dhunën e ka lidhur me integrimin e dobët të refugjatëve, distancën e madhe mes të pasurve dhe të varfëve dhe përdorimin e drogave.

Qeveria e pakicës e prirë nga Kristersson i qendrës së djathtë dhe në koalicion me Demokratët e Suedisë që janë kundër migracionit, ka dështuar të ndalë dhunën.

Kryeministri të enjten ka thënë se do të miratonte përpjekjet për më shumë mbikëqyrje, gjoba më të rënda për shkeljen e ligjit të armëve dhe fuqi më të madhe në deportimin e njerëzve. “Gjithçka është në tavolinë”, ka thënë kryeministri.

Përktheu: Gent Mehmeti