Bashkimi Evropian ka dështuar të miratojë sanksione të reja ndaj Rusisë në një takim të hënën, pas kundërshtimeve nga Hungaria, ka bërë të ditur diplomatja më e lartë e bllokut.
“Fatkeqësisht, nuk arritëm një marrëveshje për paketën e 20-të të sanksioneve”, ka thënë Kaja Kallas, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së. “Ky është një hap pas dhe një mesazh që nuk donim ta dërgonim sot”, ka shtuar ajo duke aluduar në përvjetorin e katërt të fillimit të luftës në Ukrainë, që shënohet të martën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDiplomatët evropianë kishin nxituar të finalizonin sanksione të reja ndaj Rusisë dhe një hua të madhe të re për Kievin përpara përvjetorit të katërt të luftës, e cila ka lënë të vdekur, të plagosur ose të zhdukur rreth 1.8 milionë ushtarë rusë dhe ukrainas.
Por ata nuk arritën ta bindnin Hungarinë të mbështeste përpjekjet më të fundit të BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për ta bërë Rusinë të paguajë një çmim ekonomik për luftën e gjithanshme që nisi kundër fqinjit të saj më 24 shkurt 2022, dhe që nuk tregon shenja përfundimi.
Hungaria, e konsideruar si anëtarja më pro-ruse e BE-së, ka kërcënuar gjatë fundjavës se do të bllokonte si sanksionet ashtu edhe një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila synon të mbulojë nevojat e saj ushtarake dhe ekonomike për dy vjetët e ardhshëm.
Vendimi është marrë për shkak se dërgesat e naftës ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë janë ndërprerë që nga 27 janari, pasi zyrtarët ukrainas thonë se ishin sulmet ruse me dronë që dëmtuan tubacionin Druzhba, i cili transporton naftë ruse përmes territorit ukrainas drejt Evropës Qendrore.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban e ka përsëritur të hënën një pretendim të paprovuar se Ukraina po pengon qëllimisht dërgesat e naftës ruse dhe ka akuzuar Kievin se po përpiqet të rrëzojë qeverinë e tij. Ai iu referua ndërprerjeve të furnizimit si një “bllokadë ukrainase e naftës” e udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelensky.
“Askush nuk ka të drejtë të rrezikojë sigurinë tonë energjetike”, ka thënë ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto, teksa debatonte me gazetarët në Bruksel përpara takimit.
Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shënuar atë që e ka quajtur “katër vjet monstruoze lufte” në një aktivitet pro-ukrainas në Berlin të hënën.
“I bëj sërish thirrje partnerëve tanë evropianë, mos e ulni mbështetjen tuaj, mbështetjen tonë të përbashkët, për Ukrainën”, ka thënë Merz me këtë rast. “Jemi në një udhëkryq që mund të vendosë për mirëqenien e të gjithë kontinentit tonë”, ka shtuar ai.
Në Paris, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se “vendosmëria jonë për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës është e palëkundur.” Ai e ka bërë këtë deklaratë gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, një tjetër mbështetës i fortë i Ukrainës, i cili u bëri thirrje aleatëve evropianë të rrisin koston për presidentin rus, Vladimir Putin.