Botë

Bideni vendos murin me Meksikën

Ngritja e murit ishte politikë e njohur e Donald Trumpit si president dhe ashpër ishte kundërshtuar nga demokratët. Në vitin 2020, Bideni kishte premtuar se nuk do të ndërtonte as edhe një metër mur nëse do ta merrte postin e presidentit. Trumpi ka fajësuar presidentin për krizën, duke refuzuar politikat e ish-presidentit dhe kthimin e të njëjtave tani

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do të ndërtojë murin kufitar në jug të Teksasit në përpjekje për të ndalur nivelin e madh të emigrantëve.

Rreth 32 kilometra mur do të ndërtohen në Starr County, që është në kufi me Meksikën. Në këtë pikëkalim është raportuar numri më i madh i kalimeve ilegale drejt SHBA-së.

Ngritja e murit ishte politikë e njohur e Donald Trumpit si president dhe ashpër ishte kundërshtuar nga demokratët. Në vitin 2020, Bideni kishte premtuar se nuk do të ndërtonte as edhe një metër mur nëse do ta merrte postin e presidentit. Administrata kishte publikuar një shpallje në të cilën thuhej se ndërtimi i murit në kufirin jugor nuk ishte zgjidhje serioze.

Në një deklaratë për Associated Press të mërkurën mbrëma, doganat amerikane dhe mbrojtja kufitare kanë mbrojtur vendimin, duke thënë se veçse po përdornin fondet për ndërtimin e barrikadës kufitare.

“Kongresi miratoi fondet për vitin fiskal të vitit 2019 për ndërtimin e një barrikade në Fushën e Rio Grandes dhe doganat janë të obliguara që të përdorin këto fonde për qëllimin e caktuar”, thuhej në deklaratë.

Ngritja e numrit të kalimeve ilegale është çështje shumë e diskutueshme për presidentin.

Vetëm sivjet janë 245 mijë kalime të jashtëligjshme, ka njoftuar Qeveria amerikane. Muaji shtator pritet të jetë muaji rekord i kalimeve. Disa qytete amerikane kanë njoftuar se po përballen me numër të madh të emigrantëve të jashtëligjshëm.

Bashkiaku i New Yorkut, Eric Adams, ka parashikuar se kostoja e strehimit të më shumë se 100 mijë personave që prej vitit të kaluar e deri në tre vjetët e ardhshëm do të arrijë në 12 miliardë dollarë.

Adams ka thënë se do të udhëtojë drejt Meksikës, Kolumbisë dhe Ekuadorit në përpjekje për të ndalur emigrantët. “Jemi me kapacitet të plotë”, ka thënë ai të martën.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme ka thënë se do të përdorë fondet e siguruara gjatë presidencës së Donald Trumpit për ndërtimin e një pjese të re të murit.

Kjo është hera e parë që administrata e Bidenit ka përdorur pushtetin për të miratuar murin e ri – diçka që është bërë shpesh në kohën e Trumpit, i cili kishte ndërtuar 70 kilometra mur, ndërkaq më shumë se 600 kilometra të murit janë përforcuar.

Duke folur për Fox News, Trumpi ka fajësuar presidentin për krizën, duke refuzuar politikat e ish-presidentit dhe kthimit të politikave të njëjta tani.

“Tani i duhet të bëjë krejt ato që kemi qenë duke i realizuar ne”, ka thënë Trumpi.

Bideni është përballur me kritika të shumta në lidhje me politikat e imigracionit në kohën e rritjes së numrit të kalimeve ilegale drejt SHBA-së.

Patrullat Kufitare të SHBA-së kanë njoftuar se 181 mijë persona janë ndaluar në kufirin jugor në muajin gusht, krahasuar me 132 mijë në korrik.

Presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, ka thënë se nga 10 mijë persona kanë arritur çdo ditë në javën e fundit në kufirin me SHBA-në.