Bisedimet mes SHBA-së dhe Ukrainës në Gjenevë kanë sjellë “sukses vendimtar” për evropianët, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Wadephul, raporton “BBC”.
Wadephul tha se çështjet që kanë të bëjnë me Evropën, përfshirë ndalimi e Ukrainës për anëtarësim në NATO, janë hequr nga plani i paqes 28-pikësh i përgatitur nga SHBA-ja.
“Është një sukses vendimtar ajo që arritëm dje”, tha Wadephul për “Deutschlandfunk”.
Ai tha se “asnjë marrëveshje s’duhet të arrihet mbi kokat e evropianëve dhe ukrainasve”.
Të dielën janë zhvilluar bisedime mes delegacioneve të Ukrainës dhe SHBA-së në Gjenevë, ndërsa aty ishin edhe përfaqësues nga shtetet evropiane, ku u diskutua për planin e propozuar nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës Rusi - Ukrainë.
SHBA-ja e Ukraina kishte vlerësuar se janë bërë përparime, ndërsa bisedimet do të vazhdojnë sot.
Në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë në orët e vona të së dielës u tha se zyrtarët ukrainase e pranuan se “të gjitha shqetësimet e tyre kryesore u trajtuan plotësisht”, përfshirë edhe garancitë e sigurisë dhe sovraniteti politik.
Në komunikatë u tha se kishte pasur “rishikime dhe qartësime” të planit fillestar 28-pikësh.
“Ata (zyrtarët ukrainas) besojnë se drafti aktual pasqyron interesat e tyre kombëtare dhe ofron mekanizma të besueshëm dhe të zbatueshëm për ta mbrojtur sigurinë e Ukrainës...Të dyja palët mirëpritën progresin e qëndrueshëm të bërë dhe ranë dakord t’i vazhdojnë konsultimet ndërsa marrëveshjet shkojnë drejt përmirësimit përfundimtar”, thuhet në komunikatë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në konferencë për media kishte thënë se u bë një përparim i jashtëzakonshëm drejt një marrëveshje paqje, që do t’i jepte fund luftës Rusi – Ukrainë të nisur gati 4 vjet më parë.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
E ndërsa bisedimet në Gjenevë përparuan, sulmet ruse në Ukrainë kanë vazhduar në natën e të dielës.
Dronët rusë goditën qytetin lindor Kharkiv, sipas Shërbimit Emergjent të Ukrainës.
Katër persona u vranë dhe 17 tjerë u plagosën, tha kryebashkiaku Igor Terekhov.
Kremlini: Putini riafirmon angazhimin për zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka diskutuar propozimin e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një telefonate, sipas Kremlinit.
Putini ka thënë se propozimi i SHBA-së për Ukrainën mund të formojë bazën për një zgjidhje paqësore.
Presidenti rus ka thënë gjithashtu se Rusia ka “riafirmuar” angazhimin e saj për një “zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit”, ka thënë Kremlini.
Erdogani i ka thënë Putinit se Turqia është e gatshme të mbështesë procesin e paqes, duke sugjeruar Stambollin si një vend për negociata.
SHBA-ja dhe Ukraina kanë zhvilluar të dielënë në Gjenevë bisedimet e paqes, bazuar në planin 28-pikësh të Trumpit për fundin e luftës.
Pas takimit, palët kanë thënë se bisedimet ishin shumë produktive por që disa çështje kanë nevojë të përmirësohen.
Publikohet plani alternativ i aleatëve evropianë për paqen në Ukrainë
Agjencia e lajmeve Reuters dhe disa agjenci të tjera kanë bërë publik të hënën tekstin e një plani alternativ të hartuar nga aleatët evropianë të Kievit, ndaj atij të hartuar nga administrata e Trumpit.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka mohuar çdo dijeni për ekzistencën e tij.
Kundërpropozimi i raportuar i Evropës përfshin:
Një kufi për forcat e armatosura ukrainase në 800,000 personel gjatë kohës së paqes.
Ukraina mund t'i bashkohet NATO-s në varësi të konsensusit të anëtarëve të NATO-s.
NATO-ja pranon të mos stacionojë "përgjithmonë" trupa në Ukrainë.
SHBA-ja do t'i ofrojë Ukrainës një garanci sigurie të ngjashme me përgjigjen e Nenit 5 të NATO-s përballë pushtimit rus - kjo do të thotë se një sulm ndaj Ukrainës do të trajtohej si një sulm kundër të gjithë anëtarëve të NATO-s.
Një taskforcë sigurie që përfshin SHBA-në, Ukrainën, Rusinë dhe evropianët për të zbatuar marrëveshjen.
Ukraina angazhohet të mos rimarrë territorin sovran të pushtuar përmes mjeteve ushtarake, por përmes negociatave.
Më poshtë janë disa pika nga propozimi fillestar i raportuar i SHBA-së, për krahasim:
Kiev do të zvogëlojë ushtrinë e saj në 600,000 personel.
Ukraina duhet të angazhohet në kushtetutën e saj për të mos u bashkuar me NATO-n, dhe NATO-ja duhet ta përfshijë këtë në statutet e saj.
NATO-ja duhet të angazhohet për të mos stacionuar trupa në Ukrainë.
Rajonet e Krimesë, Luhanskut dhe Donetskut njihen si "de facto ruse" dhe kufijtë ngrihen për të reflektuar përfitimet territoriale ruse.
Tusk: Zgjidhja e paqes për Ukrainën duhet ta forcojë sigurinë e Evropës, jo ta dobësojë
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë se udhëheqësit e BE-së që morën pjesë në një takim joformal në Angola patën një diskutim "serioz" mbi bisedimet e paqes në Ukrainë, duke rënë dakord se 28 pikat e propozuara nga SHBA-ja dhe Rusia "duhet të ripërpunohen" pasi disa nga ato janë "të papranueshme".
Duke folur nga Luanda, ai ka thënë se ishte veçanërisht e rëndësishme që asnjë marrëveshje të mos e dobësonte sigurinë e gjerë të Polonisë dhe të Evropës.
Tusk ka shtuar se zgjidhja e paqes nuk duhet të "favorizojë agresorin".
"Nuk mund të ndodhë që Evropa të përfundojë duke paguar për veprimet e Rusisë", ka thënë ai.
Tusk ka thënë gjithashtu se BE-ja është e qartë se nuk do të bie dakord për kufizimin e numrit të ushtarëve në forcat e armatosura të Ukrainës.
Kryeministri polak ka shtuar se bisedimet mbeten “delikate”, pasi udhëheqësit evropianë janë të etur ta mbajnë SHBA-në në anën e tyre.
Tusk ka theksuar gjithashtu se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë po funksionojnë dhe se ato duheshin mbajtur në fuqi për ta detyruar Rusinë të hynte në një marrëveshje paqeje.
“Çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën duhet të forcojë, jo të dobësojë, sigurinë tonë”, ka thënë ai.
Suedia s’do ta pranojë aneksimin e territoreve ukrainase
Suedia nuk do ta njohë aneksimin e paligjshëm të territoreve ukrainase nga Rusia, ka thënë ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard.
Duke folur në një samit parlamentar të Suedisë, ministrja e jashtme suedeze, Stenergard, ka thënë se Ukraina ka sinjalizuar vazhdimisht gatishmërinë e saj për të rënë dakord për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, për të negociuar zgjidhjen e paqes - por Rusia nuk e ka bërë këtë.
"Meqenëse Rusia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj, as Suedia dhe as BE-ja nuk e kanë ndryshuar.
Qëndrimi ynë mbetet se për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Nuk mund të ketë kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës që do të ftojnë agresion të mëtejshëm rus dhe nuk mund të ketë kufizime mbi të drejtat e plota sovrane të popullit ukrainas për të zgjedhur rrugën e vet, e cila përfshin rrugën drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar ajo.
Malmer Stenergard ka thënë se sipas pikëpamjes së Suedisë, Krimea, Donetsku, Luhansku, Khersoni dhe Zaporizhzhia mbeten të gjitha ukrainase.
“Më lejoni të jem e qartë, Suedia nuk do ta njohë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia ose ndonjë pjese tjetër të territorit të Ukrainës. Ne nuk do ta shpërblejmë agresionin”, ka deklaruar ajo.
Trumpi për bisedimet e paqes: Diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaurar se diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur, lidhur me bisedimet për fundin e luftës në Ukrainë.
"A është vërtet e mundur që të bëhet përparim i madh në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës??? Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur. Zoti e bekoftë Amerikën”, ka shkruar Trumpi në një postim në Truth Social.
Të dielën janë zhvilluar në Gjenevë bisedimet mes delegacionit ukrainas dhe atij amerikan, lidhur me planin 28-pikësh të administratës Trump për fundin e luftës.
Pas takimit, sekretari amerikan, Marco Rubio dhe kreu i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, kanë vlerësuar se bisedimet kanë qenë shumë produktive.
Ndërkohë të hënën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se dhënia e territorit ukrainas Rusisë, është problemi kryesor për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Sipas tij, kjo do të shënonte një precedent të rrezikshëm.
Kremlini ka thënë se nuk ka marrë plan të përditësuar paqeje për Ukrainën
Kremlini zyrtar ka thënë të hënë se nuk ka marrë plan të përditësuar paqeje për Ukrainën, pas bisedimeve të fundjavës midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Gjenevë.
Sekretari i Shtypit, Dmitry Peskov, ka thënë se administrata e Vladimir Putinit ka ndjekur diskutimet dhe e kupton se janë bërë "disa rregullime" në planin e paqes që Rusia kishte marrë më parë, raporton BBC.
"Deri më tani, nuk kemi marrë asgjë zyrtarisht”, ka shtuar ai.
Peskov gjithashtu ka thënë se nuk ka plane për bisedime me palën amerikane në lidhje me Ukrainën për këtë javë.
Zelensky: Dhënia e territorit Rusisë, problemi kryesor në bisedimet e paqes
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se dhënia e territorit ukrainas Rusisë është "problemi kryesor" pas bisedimeve mbi një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja.
Gjatë natës të së dielës, SHBA-ja dhe Ukraina kanë thënë se bisedimet e zhvilluara në Gjenevë rreth planit të paqes me 28 pika ishin "shumë produktive".
Por, duke folur përmes një videomesazhi drejtuar parlamentit suedez të hënën, Zelensky ka thënë se Putini "dëshiron njohje ligjore të asaj që ka vjedhur, për të thyer parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit".
Udhëheqësit evropianë e kanë kritikuar planin kur është shfaqur javën e kaluar, duke thënë se ishte shumë i favorshëm për Rusinë.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë, me të paktën katër persona të vrarë nga një sulm me dron në Kharkiv të dielën.