Botë

Britania i rikthehet programit të BE-së për shkëmbimin e studentëve “Erasmus”

Britani BE

Foto: Associated Press

Britania do t'i ribashkohet programit kryesor të shkëmbimit të studentëve Erasmus të Bashkimit Evropian, është bërë e ditur të mërkurën.

Vendimi shënon një hap të madh në përpjekjet për të rivendosur marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar, pas shkëputjes prej bllokut prej 27 vendesh, i njohur ndryshe si procesi Brexit. 

Studentët dhe praktikantët britanikë të universiteteve dhe kolegjeve do të mund të studiojnë ose të trajnohen në vendet e BE-së sipas programit, pa paguar tarifa shtesë për studentët e huaj, që nga janari 2027. Nga ana tjetër, studentët nga vendet e BE-së do të mund  të studiojnë në Britani.

Marrëveshja mbulon gjithashtu mundësitë për të studiuar ose për t'u trajnuar jashtë vendit për nxënësit e shkollave, edukatorët dhe trajnerët sportivë.

Ministri i Marrëdhënieve me BE-në i Britanisë, Nick Thomas-Symonds, ka thënë se marrëveshja "është një fitore e madhe për të rinjtë tanë, duke thyer barrierat dhe duke zgjeruar horizontet për të siguruar që të gjithë, nga çdo prejardhje, të kenë mundësinë të studiojnë dhe trajnohen jashtë vendit".

Mbretëria e Bashkuar do të paguajë rreth 570 milionë funte për vitin e parë, teksa kostot për vitet e ardhshme do të përcaktohen më vonë.

Programi pothuajse katër dekadash i vjetër është një nga arritjet më të njohura të bllokut dhe u ka mundësuar miliona të rinjve evropianë të studiojnë në vende të tjera. Programi përfshin disa vende jo-anëtare të BE-së, si Islanda dhe Norvegjia.

Mbretëria e Bashkuar votoi në vitin 2016 për t'u larguar nga BE-ja, dhe u largua në vitin 2020 me një marrëveshje tregtare të thjeshtë që i dha fund të drejtës së qytetarëve britanikë për të jetuar, studiuar dhe punuar lirisht në të gjithë bllokun. 

Kryeministri i atëhershëm Boris Johnson e ka larguar Britaninë nga Erasmus.

Por qeveria e Partisë Laburiste të qendrës së majtë e kryeministrit Keir Starmer u zotua të riparonte lidhjet me BE-në që ishin tendosur pas vjetësh acarimi si pasojë e Brexit.