Botë

Burri që ndezi cigaren nga zjarri në një monument në Francë përballet me masa ligjore

Presidenti francez Emmanuel Macron duke bërë homazhe te "Varri i Ushtarit të Panjohur"

Presidenti francez Emmanuel Macron duke bërë homazhe te "Varri i Ushtarit të Panjohur"

Foto: Associated Press

Një burrë që u filmua duke ndezur cigare nga zjarri në një monument të madh të luftës që gjendet në Paris, do të përballet me masa ligjore, raporton “The Guardian”. 

Kështu ka thënë Patricia Miralles, ministre e Francës për veteranët dhe përkujtimin, në platformën “X”. 

“Po ngre menjëherë padi te prokurorët e shtetit në mënyrë që ky burrë të gjendet dhe të vendosen sanksione për ta bërë atë shembull. Nuk mund ta tallësh kujtimin francez dhe të shpëtosh pa u ndëshkuar”, tha Miralles. 

Videoja e një burri që përkulet për ta ndezur një cigare nga zjarri në “Varrin e Ushtarit të Panjohur” nën “Harkun e Triumfit” shkaktoi indinjatë në rrjete sociale. Burri u largua i qetë i vëzhguar nga turistët. 

Varri, që gjendet në bulevardin Champs-Elysee, përmban eshtrat e një ushtari të  vrarë në Luftën e Parë Botërore dhe është vendosur atje si homazh për të rënët francezë gjatë luftës. 

“Ky zjarr nuk ndez një cigare, digjet për sakrificën e miliona ushtarëve tanë. Kjo është një fyerje për të vdekurit tanë, për historinë tonë dhe për kombin tonë”, tha Miralles. 

Gazeta franceze “Le Figaro” raportoi se videoja që kishte shkaktuar indinjatë ishte bërë nga një turist letonez në mbrëmjen e 4 gushtit dhe ishte postuar fillimisht në TikTok.