Botë

Dronët rusë godasin redaksinë e transmetuesit publik ukrainas në Dnipro

dnipro

Dronët rusë shkaktuan zjarre në qytetin Dnipro të Ukrainës dhe goditën disa zona të tij, shkroi në Telegram kryetari rajonal Vladyslav Haivanenko të martën në mëngjes, raporton AP.

Nga sulmi u dëmtuan mbi 20 automjete, gjashtë ndërtesa banimi, zyra e një organizate mediatike, një dyqan veturash dhe infrastrukturë tjetër civile. Dy persona u plagosën, tha ai.

Televizioni publik ukrainas Suspilne njoftoi se zyra e tyre në Dnipro, së bashku me studion lokale të radios, u dëmtuan nga sulmi. Ndërtesa ishte bosh në momentin e sulmit, ndaj askush nuk u lëndua.

Operatori ukrainas i hekurudhave “Ukrzaliznytsia” raportoi se vagonë trenash dhe pjesë të tjera të infrastrukturës hekurudhore u dëmtuan në Dnipro. 

Disa linja hekurudhore pësuan vonesa pas sulmeve ndaj infrastrukturës hekurudhore në rajonin e Kharkivit, njoftoi kompania.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia qëlloi katër raketa balistike Iskander-M dhe 114 dronë  gjatë natës. Mbrojtja ajrore arriti të rrëzonte dhe bllokonte 101 dronë, por 13 dronë dhe katër raketa arritën objektivat e tyre, shtuan forcat ajrore.