Botë

Ekspertët botërorë: Izraeli po kryen gjenocid në Gaza

Gaza

Shoqata më e madhe botërore e studiuesve të gjenocidit ka deklaruar se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza. Një rezolutë e miratuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Studiuesve të Gjenocidit (IAGS) deklaron se sjellja e Izraelit përmbush përkufizimin ligjor të gjenocidit sipas konventës së OKB-së për gjenocidin.

Në një rezolutë prej trefaqesh, IAGS paraqet një sërë veprimesh të ndërmarra nga Izraeli gjatë luftës 22-mujore që i njeh si gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

IAGS është shoqata më e madhe profesionale e studiuesve të gjenocidit në botë dhe përfshin një numër ekspertësh të Holokaustit. Nga 500 anëtarët e saj, 28% morën pjesë në votim, dhe 86% e atyre që votuan  e mbështetën rezolutën.

Në deklaratë theksohen sulmet e përhapura ndaj personelit dhe objekteve jetike për mbijetesën, përfshirë sektorët e kujdesit shëndetësor, ndihmës humanitare dhe arsimit.

“Ndër elementët e shumtë të përmendur, vihet në dukje se 50,000 fëmijë janë vrarë ose plagosur nga Izraeli, sipas organizatës së OKB-së për fëmijët, UNICEF — çka ndikon në aftësinë e popullsisë palestineze në Gaza për të mbijetuar si grup dhe për t’u rigjeneruar”, shkruan BBC.

Rezoluta gjithashtu thekson mbështetjen mes liderëve izraelitë për dëbimin e detyruar të të gjithë palestinezëve nga Gaza, së bashku me shkatërrimin pothuajse të plotë të vendbanimeve të tyre.

IAGS vë në dukje deklaratat e liderëve izraelitë që çnjerëzojnë palestinezët në Gaza, duke i karakterizuar të gjithë si armiq, së bashku me premtime për të “rrafshuar Gazën” dhe për ta kthyer atë në “ferr”.

Ministria e Jashtme izraelite tha se raporti bazohet në "gënjeshtra të Hamasit" dhe në kërkime të dobëta, duke e quajtur një "turp për profesionin juridik". Madje një zëdhënës shtoi se është vetë Izraeli viktimë e gjenocidit dhe sulmet vazhdojnë t’i justifikojnë si formë vetëmbrojtjeje.

Studiuesit e IAGS theksojnë se, ndonëse sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023  në Izrael – ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng – ishte vetë një krim, përgjigjja e Izraelit nuk është drejtuar vetëm ndaj Hamasit, por ka pasur në shënjestër gjithë popullsinë e Gazës.

Konventa e OKB-së për Gjenocidin e vitit 1948, e miratuar pas masakrës së hebrenjve nga Gjermania Naziste, e përkufizon gjenocidin si krime të kryera “me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”.

Një numër organizatash të njohura për të drejtat e njeriut, përfshirë dy organizata izraelite, kanë deklaruar gjithashtu se besojnë se Izraeli po kryen gjenocid.

Të hënën, Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi tha se 63,557 persona janë vrarë dhe 160,660 janë plagosur gjatë luftës deri më tani. Shifrat e ministrisë konsiderohen gjerësisht të besueshme, por nuk dallojnë midis civilëve dhe luftëtarëve.

Në gusht, organizata për monitorimin e ushqimit e mbështetur nga OKB, IPC, gjithashtu konfirmoi se uria është e pranishme në disa pjesë të Gazës.

Izraeli kontrollon të gjitha pikat kufitare me Rripin e Gazës, dhe si fuqia pushtuese, mban përgjegjësi për mbrojtjen e jetës së civilëve sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë parandalimin e urisë.