Ekspert i terrorizmit, Matthew Levit, ka treguar për fillet e grupit të Hamasit dhe për rrezikun e një lufte në dy fronte në Izrael, që do të ishte edhe më e rrezikshme sesa luftimet e fundit mes Hamasit dhe Izraelit.
Agjencitë izraelite të inteligjencës u bënë të famshme gjatë dekadave për shkak të disa sukseseve kundër armikut si afër ashtu edhe jashtë Izraelit.
Mirëpo, pasi militantët e Hamasit arritën të hynin në territorin e Izraelit, inteligjenca është duke u kritikuar dhe ka dyshime për reputacionin e saj.
Matthew Levit, ekspert i terrorizmit në Institutin e Washingtonit për Lindjen e Afërt, gjurmon lëvizjet e para të Hamasit dhe se si ndodhi edhe sulmi i 7 tetorit.
“Nëse kthehemi prapa, Hamasi është krijuar në vitet ’80 dhe ka të bëjë me krijimin e shtetit islamik në Palestinën historike. Për shkak të kësaj, Hamasi urren Izraelin, por nuk e do as autoritetin palestinez, i cili është sekular. Jo se është sekulare dhe që kundërshton islamikët, porse beson në zgjidhjen dyshtetërore dhe Hamasi nuk do”, ka thënë eksperti i terrorizmit, Levit.
Levit thotë se Hamasi kurrë nuk ka realizuar sulm të përmasave të tilla dhe arsyeja se përse ka sulmuar tani është mundësia e normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.
“Një prej arsyeve të këtij sulmi tani është mundësia e normalizimit mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Në javët dhe muajt e fundit, zyrtarët e Hamasit e kanë shprehur hapur faktin se kjo mund të jetë gjë e madhe. Zëdhënësi i Hamasit me bazë në Bejrut ishte shprehur i shqetësuar. Hamasi ishte shqetësuar për paqen me Arabinë Saudite. Arabia është kujdestare e dy vendeve më të shenjta në Islam dhe Hamasi frikësohej se me normalizim me Arabinë Saudite, shtetet e tjera myslimane apo arabe do të pajtoheshin me izraelitët”, ka thënë ai.
Eksperti i terrorizmit thotë se lufta tokësore është shumë e rrezikshme, por me gjasë do të ndodhë.
“Hamasi e ndiente se nëse do të bëhej lufta tokësore, gjë që mendoj se ka shumë gjasa të ndodhë, sepse izraelitët duan të lirojnë qindra pengje, nga të paktën 14 shtete, dhe ky është rast i terrorizmit ndërkombëtar, por nëse nis lufta në Gaza, dhe se Hezbollahu sulmon nga veriu, do të hapej fronti i dytë qoftë nga Libani dhe ndoshta edhe nga Siria. Dhe kështu mund të ketë përshkallëzim horizontal, i cili mund të jetë i rrezikshëm”, ka thënë Levit.
Gjatë javës, Izraeli ka mobilizuar më shumë se 300 mijë rezervistë teksa ka larguar nga veriu i Gazës më shumë se 1.1 milion palestinezë. Ky largim ka ngjallur frikën se Izraeli po bëhet gati për ofensivën tokësore.
Ndërkaq të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është takuar me ushtarët në jug të shtetit dhe i ka pyetur nëse janë gati para se të nisë ofensivën tokësore kundër Hamasit. Kryeministri ka mbikëqyr dëmet e shkaktuara nga sulmet e Hamasit teksa është përkeqësuar situata edhe në Gaza shkaku i bombardimeve izraelite.
Vetëm të shtunën janë vrarë së paku 70 persona nga bombardimi i autokolonës së palestinezëve, ndërkaq numri i të vrarëve në anën e palestinezëve ka arritur në më shumë se 2 mijë e 200. Izraeli ka thirrur 360 mijë rezervistë dhe ka mbledhur ushtrinë në kufi me Gazan.