Një numër rekord alarmesh për nxehtësi janë në fuqi në të gjithë Francën, ndërsa vendi dhe pjesë të tjera të Evropës jugore dhe lindore mbeten nën ndikimin e temperaturave të larta.
Rreth 84 nga 96 rajonet kontinentale të Francës janë aktualisht nën alarm për shkak të nxehtësisë.
Ministrja e Klimës e Francës, Agnes Pannier-Runacher, e ka quajtur këtë një situatë "të paprecedentë", raporton BBC.
Paralajmërime për nxehtësi janë në fuqi gjithashtu për pjesë të Spanjës, Portugalisë, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të Ballkanit, përfshirë Kroacinë.
Si Spanja ashtu edhe Portugalia po përballen me ditët e tyre më të nxehta të qershorit të regjistruara ndonjëherë.
Në disa pjesë të Spanjës temperatura ka arritur në 46 gradë celsius të shtunën, ndërsa 46.6 gradë celsius është regjistruar në qytetin Mora në Portugalinë qendrore të dielën.
Shumë vende I kanë vënë shërbimet mjekësore emergjente në gatishmëri dhe po i paralajmërojnë njerëzit të qëndrojnë brenda sa më shumë që të jetë e mundur.
Gati 200 shkolla në të gjithë Francën janë mbyllur ose janë pjesërisht të mbyllura si pasojë e valës së të nxehtit, e cila ka përfshirë pjesë të Evropës për më shumë se një javë, por pritet të arrijë kulmin në mes të javës.
Ministrja e Arsimit, Elisabeth Borne, ka thënë se po punonte me autoritetet rajonale për të gjetur mënyrat më të mira për t'u kujdesur për nxënësit e shkollës ose për t'u lejuar prindërve që kanë mundësi t'i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi.
Ndërkohë, 21 qytete italiane janë gjithashtu në gatishmërinë më të lartë, duke përfshirë Romën, Milanon dhe Venecian.
Disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu po përballen me ditët më të nxehta të qershorit, me temperatura prej 34 gradë celsius ose më të larta në disa pjesë të Anglisë.
Pjesa më e madhe e Spanjës, e cila është në rrugën e duhur për të regjistruar qershorin e saj më të nxehtë ndonjëherë, gjithashtu vazhdon të jetë nën alarme për nxehtësi.
Një situatë e ngjashme është edhe në Portugali, ku shtatë distrikte, përfshirë kryeqytetin, Lisbonën, janë në nivelin më të lartë të alarmit.
Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik Gjerman ka paralajmëruar se temperaturat mund të arrijnë pothuajse 38 gradë celsius të martën dhe të mërkurën.