Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermanët nën 45 vjeç mund të kenë nevojë për miratim ushtarak për qëndrime të gjata jashtë vendit

Gjermani

Foto: Associated Press

Meshkujt gjermanë të moshës 17 deri në 45 vjeç mund të kenë nevojë të kërkojnë miratim për qëndrime të gjata jashtë vendit, sipas ndryshimeve të futura si pjesë e një ligji të ri që prezanton shërbimin ushtarak vullnetar.

Ligji për Modernizimin e Shërbimit Ushtarak, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar, synon të forcojë mbrojtjen pas kërcënimeve nga Rusia, në vijim të pushtimit të plotë të Ukrainës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një deklaratë për BBC-në, një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes ka konfirmuar se meshkujt mbi 17 vjeç duhet të marrin miratim paraprak për qëndrime jashtë vendit që zgjasin më shumë se tre muaj.

Sipas ligjit aktual, miratimet për udhëtime zakonisht duhet të jepen, teksa mbetet e paqartë se si do të zbatohet rregulli nëse shkelet.

Kërkesa për të marrë leje kishte kaluar kryesisht pa u vënë re derisa u raportua nga gazeta Frankfurter Rundschau të premten.

Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes ka thënë se kjo rregullore synon të “sigurojë një sistem të besueshëm dhe kuptimplotë të regjistrimit ushtarak”, duke shtuar se “në rast emergjence, duhet të dimë se kush mund të jetë duke qëndruar jashtë vendit për një periudhë të gjatë”. 

Ai e ka pranuar në deklaratë se pasojat për të rinjtë mund të jenë “të gjera” dhe ka shtuar se po hartohen rregulla për përjashtime “pjesërisht për të shmangur burokracinë e panevojshme”.

Baza ligjore për këtë kërkesë qëndron në Ligjin e Detyrimit Ushtarak të vitit 1956 në Gjermani, i cili është ndryshuar disa herë, më së fundi në dhjetor.

Para këtij ndryshimi të fundit, detyrimi për të raportuar qëndrime të gjata jashtë vendit zbatohej vetëm nëse Gjermania ishte në gjendje mbrojtjeje kombëtare ose mobilizimi.

Një zyrtar i ministrisë së Mbrojtjes ka thënë se një dispozitë e ngjashme “ka qenë në fuqi gjatë Luftës së Ftohtë dhe nuk kishte rëndësi praktike”.

Ligji për Modernizimin e Shërbimit Ushtarak parashikon rritjen e numrit të personelit aktiv nga rreth 180,000 në 260,000 deri në vitin 2035.

Në dhjetor, parlamenti gjerman ka votuar për të futur shërbimin ushtarak vullnetar, që do të thotë se nga janari të gjithë 18-vjeçarët do të marrin një pyetësor ku pyeten nëse janë të interesuar të bashkohen me forcat e armatosura.

Nga korriku 2027, ata do të duhet gjithashtu të kalojnë një vlerësim fizik për të përcaktuar nëse janë të përshtatshëm për shërbim në rast se shpërthen luftë.

Gratë mund të dalin vullnetare për shërbim ushtarak, por sipas kushtetutës së Gjermanisë nuk mund të detyrohen të shërbejnë.

Megjithëse plani është për shërbim vullnetar, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ose nëse ka shumë pak vullnetarë, mund të merret në konsideratë një formë e shërbimit ushtarak i detyrueshëm.

Kur ligji u miratua nga parlamenti, shumë të rinj iu bashkuan protestave kundër këtij ndryshimi.