Botë

Gjermania e akuzon Rusinë për sulm kibernetik dhe tentim për ndërhyrje në zgjedhje

kontroll

Foto: Bloomberg

Gjermania ka akuzuar Rusinë për sulme kibernetike dhe tentim për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt. Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka ftuar për sqarim ambasadorin rus, Sergei Nechayev, pas dyshimeve për sulme të përsëritura hibride nga Moska.

Gjermania është në mesin e disa vendeve të Bashkimit Evropian që kanë dhënë alarmin vitet e fundit lidhur me kërcënimet ruse në rritje, ka rapotuar DW.

Lëvizja për ta thirrur ambasadorin pasoi atë që zyrtarët e përshkruan si prova në rritje të aktivitetit të koordinuar rus që synon minimin e stabilitetit të brendshëm të Gjermanisë.

“Qëllimi i këtyre sulmeve kibernetike dhe dezinformuese ruse është i qartë: Të përçajë shoqërinë, të nxisë mosbesim, të provokojë refuzim dhe të dobësojë besimin në institucionet demokratike”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Giese.

Berlini zyrtar renditi disa raste të sulmeve të kryera nga Moska.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ka deklaruar se një sulm kibernetik kundër autoritetit të kontrollit të trafikut ajror të Gjermanisë, i kryer në gusht të 2024-s, mund t’i atribuohet qartë grupit rus të hakerëve “Fancy Bear”.

“Gjetjet tona të inteligjencës tregojnë se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU, mban përgjegjësi për këtë sulm”, ka theksuar Giese.

Giese ka thënë se Gjermania është e sigurt se Rusia u përpoq të ndikonte edhe në zgjedhjet e fundit të përgjithshme.

Sipas Berlinit zyrtar, kjo u bë përmes grupit propagandist “Stuhia 1516”, i cili krijon dhe përhap dezinformata në internet për të çuar më tej interesat e qeverisë ruse.

Grupi, që është aktiv që nga viti 2024, kërkon kryesisht të ndikojë në zgjedhjet në vendet perëndimore.

Fushata për të ndikuar në procesin elektoral u përqendrua pjesërisht te kandidati i atëhershëm për kancelar i Partisë së Gjelbër, Robert Habeck, dhe te kandidati konservator demokrat, Friedrich Merz, i cili i fitoi zgjedhjet.

Dy ditë para zgjedhjeve të parakohshme federale në shkurt, qeveria bëri të ditur se agjencitë e sigurisë identifikuan video të rreme që pretendonin manipulimin e fletëvotimeve, dhe kjo u pa si pjesë e përpjekjes ruse për dezinformim.

Sipas zëdhënësit Giese, Gjermania në koordinim të ngushtë me partnerët e saj evropianë, do të përgjigjet me kundërmasa për ta bërë Rusinë që “të paguajë çmimin për veprimet e saj hibride”.