Botë

Gjermania e konsideron si “kundërproduktive” njohjen e një shteti palestinez në këtë kohë

gjr

Një zëdhënës i Qeverisë gjermane ka deklaruar të premten se Berlini zyrtar s’e ka në plan që aktualisht ta njohë Palestinën si shtet, për shkak se kjo do të cungonte çdo përpjekje për të arritur një zgjidhje të negociuar të dy shteteve me Izraelin.

“Zgjidhja e negociuar e dy shteteve mbetet qëllimi jonë, pavarësisht se mund të duket larg e arritshme në rrethanat e tanishme... Njohja e Palestinës ka më shumë gjasë të ndodhë në fund të procesit, teksa vendimet e tilla në këtë kohë mund të jenë kundërproduktive”, ka thënë zëdhënësi para gazetarëve.

Vendet si Australia, Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja veçse i kanë shpallur planet për njohjen e një shteti palestinez në muajin shtator, porse kanë artikuluar kushte të ndryshme, ka raportuar Reuters.

Këto njohje potenciale s’janë pritur aspak mirë nga zyrtarët e lartë të Izraelit, të cilët e kanë konsideruar vendimin e disa prej këtyre shteteve perëndimore si “shpërblim për aktet terroriste të Hamasit”.

Disa ditë më parë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e pati cilësuar homologun australian, Anthony Albanesen, si “politikan të dobët dhe tradhtar”, pasi që sipas tij, Albanese e ka braktisur komunitetin hebre në Australi me vendimin për njohjen e shtetësisë së Palestinës.