Botë

Gjykata kineze dënon me vdekje pesë anëtarë të mafias famëkeqe nga Birmania

birmani

Një gjykatë në Kinë ka dënuar me vdekje pesë drejtues të lartë të një mafie të njohur nga Birmania, në kuadër të fushatës së Pekinit kundër mashtrimeve dhe operacioneve kriminale në Azinë Juglindore.

Sipas raportimeve nga mediat shtetërore, gjithsej 21 anëtarë të familjes Bai dhe bashkëpunëtorë të tyre janë shpallur fajtorë për mashtrim, vrasje, lëndime trupore dhe krime të tjera, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të gjykatës.

Kjo familje është ndër grupet mafioze që morën pushtet në fillim të viteve 2000, duke e kthyer qytetin e varfër Laukkaing në një qendër fitimprurëse kumari dhe prostitucioni.

Në vitet e fundit, ata e zhvendosën veprimtarinë e tyre drejt mashtrimeve në internet, ku mijëra punëtorë të trafikuar, shumica prej tyre kinezë, mbaheshin të bllokuar, keqtrajtoheshin dhe detyroheshin të mashtronin të tjerët në skema kriminale që arrijnë vlerën e miliarda dollarëve.

Shefi i mafias, Bai Suocheng, dhe i biri, Bai Yingcang, ishin mes pesë personave të dënuar me vdekje nga Gjykata e Mesme Popullore e Shenzhenit. Tre të tjerë, Yang Liqiang, Hu Xiaojiang dhe Chen Guangyi – morën të njëjtin dënim.

Dy anëtarë të tjerë të familjes Bai u dënuan me vdekje me pezullim, pesë të tjerë me burgim të përjetshëm, ndërsa nëntë persona morën dënime me burg nga tre deri në 20 vjet.

Sipas autoriteteve, familja Bai, e cila kontrollonte edhe një milici private, kishte ngritur 41 komplekse për të zhvilluar aktivitetet e mashtrimeve kibernetike dhe kazinotë e tyre.

Krimet e tyre përfshinin një shumë prej mbi 29 miliardë juanësh kinezë (rreth 4.1 miliardë dollarë), si dhe shkaktuan vdekjen e gjashtë qytetarëve kinezë, vetëvrasjen e një personi tjetër dhe plagosjen e disa të tjerëve, raportuan mediat shtetërore.