Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjykata turke largon kreun e partisë kryesore opozitare

OZel

Foto: Associated Press

Një gjykatë turke ka lëshuar vendim për ta shkarkuar kreun e partisë kryesore opozitare, duke i dhënë goditjen e radhës sfiduesve të presidentit Recep Tayyip Erdogan, shkruan “The Guardian”. 

Vendimi i lëshuar të enjten nga Gjykata e Apelit në Ankara, anuloi një garë të vitit 2023 për lidershipin brenda Partisë Republikane Popullore (CHP), duke rrëzuar nga detyra kreun e partisë Ozgur Ozel. 
Ozel 51-vjeçar ishte bërë fytyra e opozitës turke, ku shihej si përgjegjës për ringjalljen e CHP-së si dhe një nga figurat e pakta të mbetura brenda partisë që i ka shmangur akuzat që kanë mundur ta çonin në paraburgim. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjykata urdhëroi që Ozel të zëvendësohet nga paraardhësi i tij Kemal Ikilçdaroglu, i cili humbi zgjedhjet e përgjithshme ndaj Erdoganit në vitin 2023. 

Zgjedhja e Ozelit si kryetar i partisë i kishte paraprirë zgjedhjeve lokale turke në vitin 2024, ku CHP rrëzoi Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit nga pushteti në shumë prej komunave e bashkive. 

Vendimi i gjykatës u kritikua, duke u vlerësuar si përpjekje për ta nënshtruar CHP-në dhe vendosjen e udhëheqësve që janë të gatshëm ta pranojnë sundimin e Erdoganit. 

Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2024, vëzhguesit kanë denoncuar një goditje të re që synon kundërshtarët e sundimit të Erdoganit, kryesisht kryetarë të komunave dhe zyrtarë lokalë të CHP-së. Më shumë se 20 kryetarë bashkish të CHP-së janë arrestuar me një valë akuzash për korrupsion, ryshfet e terrorizëm. 

Arrestimi vitin e kaluar i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, që ishte kandidati i parë i mundshëm presidencial i CHP-së për ta sfiduar Erdoganin, përfaqësoi një moment vendimtar për partinë dhe për opozitën turke në përgjithësi. Mijëra njerëz dolën në rrugët e qytetit për të protestuar. Imamolgu e ka kaluar vitin në paraburgim në një qendër të sigurisë së lartë. Ai ishte më herët këtë vit një nga 400 të akuzuar që u paraqitën në një gjykim masiv, të gjithë të akuzuar për pjesëmarrje në një skemë të gjerë korrupsioni që dyshohet se lidhet me kohën e tij si kryetar bashkie. 

Human Rights Watch e ka quajtur gjyqin pjesë e një përpjekje për të përdorur sistemin e drejtësisë si armë kundër CHP-së.