Ushtria izraelite ka sulmuar pamëshirshëm Gazan në shenjë hakmarrjeje për sulmin shkatërrues të Hamasit më 7 tetor. Ndonëse Izraeli urdhëroi një evakuim masiv në jug, sulmet u shtrinë në të gjithë territorin, duke rritur frikën midis 2.3 milionë banorëve të territorit se askund nuk ishin të sigurt
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazas gjatë së premtes duke i goditur zonat për të cilat ka lëshuar urdhër për evakuim. Izraeli evakuoi banorët e qytetit në kufi me Libanin, Khan Younis, dhe kjo u konsiderua si shenjë se mund të nisë ofensivën tokësore në Gaza.
Palestinezët në Gaza raportuan sulme të rënda ajrore në Khan Younis në jug dhe ambulancat që bartnin burra, gra dhe fëmijë hynë në spitalin Nasser të qytetit, i dyti më i madh në Gaza, i cili tashmë është i tejmbushur me pacientë dhe njerëz që kërkojnë strehim. Ushtria izraelite tha se kishte goditur më shumë se 100 objektiva në të gjithë Gazën të lidhur me sundimtarët e Hamasit të territorit, duke përfshirë një tunel dhe depo armësh.
Të enjten, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant i ka urdhëruar trupat tokësore të përgatiteshin “për ta parë Gazën nga brenda”, duke lënë të kuptohet për një ofensivë tokësore që synonte të shtypte sundimtarët militantë të Hamasit në Gaza, gati dy javë pas inkursionit të tyre të përgjakshëm në Izrael. Zyrtarët nuk kanë dhënë asnjë afat kohor për një operacion të tillë.
Urdhri për evakuim
Mbi një milion njerëz janë zhvendosur në Gaza. Marrëveshja për të marrë ndihma në Gaza përmes Rafahs, vendkalimi i vetëm i territorit që nuk kontrollohet nga Izraeli, mbeti e brishtë. Më shumë se 200 kamionë dhe rreth 3 mijë ton ndihma u pozicionuan Rafahs.
Puna filloi të premten për të riparuar rrugën në vendkalimin që ishte dëmtuar nga sulmet ajrore.
Izraeli ka evakuuar komunitetet e veta pranë Gazas dhe Libanit, duke i vendosur banorët në hotele ngado në vend. Ministria e Mbrojtjes njoftoi planet e evakuimit të premten për në Kiryat Shmona, qytet me më shumë se 20 mijë banorë pranë kufirit libanez.
Grupi militant Hezbollah i Libanit, i cili ka arsenal masiv raketash me rreze të gjatë, ka shkëmbyer zjarr me Izraelin përgjatë kufirit pothuajse çdo ditë dhe ka lënë të kuptohet se mund t’i bashkohet luftës nëse Izraeli kërkon të asgjësojë Hamasin. Armiku i Izraelit, Irani, mbështet të dy grupet e armatosura.
Dhuna në Gaza ka ndezur gjithashtu protesta në të gjithë rajonin, duke përfshirë në vendet arabe aleate me SHBA-në.
Në një fjalim nga Zyra Ovale të enjten, presidenti i SHBA-së, Joe Biden u zotua përsëri për mbështetje të palëkundur për sigurinë e Izraelit, teksa ka thënë se bota “nuk mund të injorojë palestinezët e pafajshëm” në Gaza.
Vizita e Bidenit
Duke folur disa orë pasi u kthye në Uashington nga një vizitë urgjente në Izrael, Biden e lidhi luftën aktuale në Gaza me pushtimin rus të Ukrainës, duke thënë se Hamasi dhe presidenti rus, Vladimir Putin “të dy duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje”.
Biden ka treguar se ai po i dërgonte Kongresit një “kërkesë urgjente buxhetore” të premten, për ta mbuluar ndihmën urgjente ushtarake si për Izraelin ashtu edhe për Ukrainën.
Ndërkohë, një vlerësim i paklasifikuar i inteligjencës amerikane i dorëzuar te Kongresi, ka bërë të ditur se numri i viktimave nga shpërthimi në një spital të qytetit të Gazas këtë javë shkon deri në 300.
Raporti u bëri jehonë vlerësimeve të mëparshme të zyrtarëve amerikanë se shpërthimi në spitalin “al-Ahli” nuk ishte shkaktuar nga një sulm ajror izraelit, siç njoftoi fillimisht Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza. Izraeli ka paraqitur video, audio dhe prova të tjera që thotë se dëshmon se shpërthimi ishte shkaktuar nga një raketë e dështuar nga militantët palestinezë.
AP-ja nuk ka verifikuar në mënyrë të pavarur asnjë nga pretendimet apo provat e lëshuara nga palët.

Një sulm ajror izraelit goditi një kishë ortodokse greke që strehoi palestinezët e zhvendosur pranë spitalit të enjten vonë. Ushtria izraelite ka njoftuar se kishte shënjestruar një qendër komandimi dhe kontrolli të Hamasit aty pranë, duke shkaktuar dëme edhe në kishë. Menjëherë pas kësaj, mjekët palestinezë dhanë llogari kontradiktore për numrin e të lënduarve.
Patriarkana Ortodokse Greke e Jerusalemit dënoi sulmin dhe ka theksuar se “nuk do ta braktiste detyrën e saj fetare dhe humanitare” për të ofruar ndihmë.
Hakmarrja e izraelitëve
Ushtria izraelite ka sulmuar pamëshirshëm Gazan në shenjë hakmarrjeje për sulmin shkatërrues të Hamasit të 7 tetorit. Ndonëse Izraeli urdhëroi një evakuim masiv në jug, sulmet u shtrinë në të gjithë territorin, duke rritur frikën midis 2.3 milionë banorëve të territorit se askund nuk ishin të sigurt.
Militantët palestinezë ndërkohë kanë gjuajtur çdo ditë breshëri raketash në Izrael nga Gaza dhe tensionet janë ndezur në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, trembëdhjetë palestinezë, përfshirë pesë të mitur, u vranë të enjten gjatë një betejë me trupat izraelite në të cilën Izraeli thirri në një sulm ajror.
Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka njoftuar se 3.785 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar. Gati 12.500 persona u plagosën dhe 1.300 të tjerë besohet se janë varrosur nën rrënoja, thanë autoritetet.
Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Izrael, kryesisht civilë, gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit. Rreth 200 të tjerë u rrëmbyen. Ushtria izraelite ka njoftuar të enjten se kishte njoftuar familjet e 203 robërve.
Me furnizimet e pakta për shkak të rrethimit të plotë të Izraelit, shumë banorë të Gazas janë duke ngrënë vetëm një vakt në ditë dhe po pinë ujin e ndotur.
Egjipti dhe Izraeli ende po negocionin hyrjen e karburantit për spitalet. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, adm. Daniel Hagari ka theksuar se Hamasi ka vjedhur karburantin nga objektet e OKB-së dhe Izraeli kërkon garanci që nuk do të ndodhë më.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza u është lutur stacioneve të benzinës që t’u japin karburant spitaleve dhe një agjenci e OKB-së dhuroi gjithashtu disa nga karburantet e saj të fundit. Termocentrali i vetëm i Gazas u mbyll javën e kaluar, duke i detyruar palestinezët të mbështeten te gjeneratorët, meqë karburant nuk është futur që nga fillimi i luftës.
Dhurimi i agjencisë për Spitalin Shifa të qytetit të Gazas, më i madhi në territor, do të “na mbante në funksion edhe për disa orë të tjera”, ka theksuar Mohammed Abu Selmia, drejtori i spitalit.
Përktheu: Blerta Haxhiu