Në një epokë të izolimit shpirtëror, shtrigat po mblidhen në pyjet e Irlandës për të formuar grupe të vogla “motërie”. Këto grupe ofrojnë një hapësirë ku gratë mund të lidhen me njëra-tjetrën, të ndajnë përvojat e tyre dhe të praktikojnë magji dhe rituale shpirtërore larg normave dhe pritshmërive tradicionale shoqërore.
Në dyshemenë e një dhome të ndriçuar nga dielli në një pronë irlandeze 200-vjeçare, një grup prej 15 shtrigash mblidhen për të komunikuar me shpirtrat. Çdo grua ka dikë me të cilin dëshiron të flasë - paraardhës të ndjerë, perëndesha të pyllit ose shtrigat që kanë ekzistuar më parë. Dhoma ndjehet e ngarkuar me pritje, si dita e parë e shkollës. Disa vishen me kapele të gjata të zeza dhe bandana, disa me triko pa mëngë, xhupa Columbia dhe këpucë Adidas.
Isabella Ferrari, e njohur si Penny Witch, i udhëheq gratë teksa krijojnë “hartat e divinacionit” - letra të mbushura me “po” dhe “jo” që funksionojnë si tabela Ouija. Shtrigat bëjnë pyetje dhe shpirtrat i udhëzojnë pendulat kristalore në dorë drejt përgjigjes. Njëra prej tyre, Tara Monte, bërtet kur pendula e saj fillon të rrotullohet pa kontroll. “Isabella, a duhet ta ndaloj? Dikush dëshiron shumë të flasë me mua”. Më vonë, ajo do të thotë se beson se ishte arkengjëlli Michael që i tregoi se prindërit e saj ishin krenarë për të dhe e donin ende.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKjo është dita e parë e plotë e Green Veil, një retreat (kamp) magjie, ku Ferrari mëson gratë nga e gjithë bota si të krijojnë sesione magjie dhe punë shërimi për trupin dhe shpirtin. Ato bëjnë qirinj së bashku, përballen me traumat e paraardhësve dhe krijojnë një komunitet të ngushtë, edhe pse retreati zgjat vetëm dy ditë e gjysmë.
“Jemi mësuar të mos i besojmë vetes, të dyshojmë në intuitën tonë, veçanërisht gratë që janë mësuar të shkëputen nga mençuria e brendshme”, thotë Ferrari. Në këtë mënyrë, punëtoria nuk është vetëm për shpirtrat, por për gratë vetë – një praktikë për të mësuar të besosh se ke fuqinë të gjesh përgjigje dhe të vlerësosh instinktet e tua.
Në fund, Ferrari i këshillon të shmangin nënbotën dhe demonët: “Sot, qëndroni me perëndeshat e pyllit”. Të gjithë e kuptojnë menjëherë.
Më vonë, ndarja e përvojave bëhet shumë emocionale. “Fola me të dashurin tim që u vetëvra”, thotë Monte. “Fola me vëllain që ishte si një baba për mua”, thotë një grua nga Massachusetts. Një tjetër grua shkruan një mesazh në një gjuhë të panjohur që i dha një shpirt i paemër. Ndërsa ndajnë historitë e tyre, gratë qajnë së bashku. Por ajo që kanë thirrur nuk është vetëm hidhërimi; është edhe frustrimi që fshihet nën vetminë e tyre.
Ferrari i udhëzon të përqafojnë këto ndjenja duke kënduar së bashku: “Do të mësoj të përdor zërin tim” dhe “Kam shumë frikë”.
Më e fuqishme se çdo gjë tjetër, ajo i bën të praktikojnë thirrjen: “Jam shumë e zemëruar. Jam shumë e zemëruar. Jam shumë e zemëruar”.
Për shumë prej tyre, është hera e parë që e thonë këtë me zë të lartë në një dhomë që dëshiron t’i dëgjojë.
Largimi nga feja
Isabella Ferrari, një italiane e njohur në botën e magjisë moderne, ka organizuar ngjarje të ngjashme në vende të ndryshme të botës dhe ka krijuar një komunitet të madh ndjekësish. Kur hapi rezervimet për shërbimin e saj në Irlandë, vendet u mbushën menjëherë. Më pas ajo shtoi data të reja, por edhe ato u shitën shpejt, pavarësisht çmimeve që varionin nga 1,900 deri në 3,000 euro. Me më shumë se 180 mijë ndjekës në Instagram, Ferrari ka ndërtuar një model që kombinon spiritualitetin me biznesin. Për shumë gra, shërbimet e saj janë më shumë sesa aktivitete magjie; ato janë vende ku mund të flasin hapur për lodhjen, zhgënjimet dhe mungesën e përkatësisë që kanë ndier në kishë, në vendin e punës apo në institucione të tjera që dikur u premtonin mbështetje.
Gjatë viteve të fundit, shërbimet e magjisë janë bërë gjithnjë e më të përhapura në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. Kjo praktikë nuk ka një përkufizim të vetëm. Ajo përzien tradita të vjetra popullore, përdorimin e bimëve dhe kristaleve, rituale shpirtërore dhe metoda të ndryshme për vetë-reflektim dhe shërim emocional. Për disa njerëz, magjia mund të jetë një ritual me qirinj dhe lutje; për të tjerë mund të jetë përdorimi i kristaleve, meditimi ose manifestimi i dëshirave. Kjo liri për ta ndërtuar vetë rrugën shpirtërore është pikërisht ajo që tërheq shumë gra drejt këtyre praktikave.
Sipas sociologes Helen Berger, e cila studion fenë dhe paganizmin bashkëkohor, interesi për forma alternative të spiritualitetit është rritur vazhdimisht që nga vitet 1960. Ajo vëren se sa herë që rritet mosbesimi ndaj institucioneve tradicionale dhe autoriteteve, rritet edhe interesi për praktika shpirtërore alternative. Në fund të viteve ’60, disa grupe feministe përdorën figurën e shtrigës si simbol të kundërshtimit ndaj strukturave të pushtetit dhe patriarkatit. Sipas Bergerit, kjo lidhje vazhdon të ekzistojë edhe sot.
Ferrari punon pothuajse ekskluzivisht me gra dhe një pjesë e madhe e pjesëmarrëseve të saj vijnë nga SHBA-ja. Në shërbimin e saj në Irlandë, më shumë se gjysma e grave ishin amerikane. Ato vinin nga shtete, profesione dhe mosha të ndryshme. Disa ishin në të njëzetat, të tjera gjyshe. Disa punonin si kameriere, të tjera si dizajnere, terapiste apo profesioniste të fushave të ndryshme. Megjithatë, shumë prej tyre kishin diçka të përbashkët: ishin rritur në familje fetare dhe, në një moment të jetës, kishin filluar të kërkonin një formë tjetër të spiritualitetit.
Sot, më shumë se 30 për qind e amerikanëve e përshkruajnë veten si “shpirtërorë, por jo fetarë”. Kjo nuk do të thotë se nuk besojnë më te Zoti ose te diçka hyjnore. Përkundrazi, shumë prej tyre vazhdojnë të kenë besim, por nuk ndihen të përfaqësuar nga institucionet tradicionale fetare. Sipas Bergerit, shumë gra ndihen të kufizuara nga strukturat fetare, të cilat shpesh dominohen nga burrat dhe nuk u japin hapësirë të mjaftueshme për pavarësi dhe individualitet.
Një nga gratë që mori pjesë në shërbimin e saj, ishte Tara Monte, 55 vjeçe nga Filadelfia. Ajo ishte përpjekur edhe më parë të merrte pjesë në nga shërbimet e Ferrarit, por nuk kishte gjetur vend. Madje kishte menduar të shkonte në Itali, por ideja e një udhëtimi vetëm jashtë vendit e kishte frikësuar. Kur Ferrari hapi data të reja në Irlandë, Monte vendosi të mos e humbiste rastin. Ajo siguroi me shpejtësi një pasaportë dhe udhëtoi drejt Irlandës, duke menduar se gjithë shpenzimet dhe mundi ia vlenin.
Monte u rrit në një familje katolike me origjinë irlandeze dhe italiane. Feja ishte pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Por në moshën 23-vjeçare ajo përjetoi një traumë që ndryshoi gjithçka. Pasi u përdhunua, filloi të vinte në dyshim besimin e saj dhe pyeste veten se si mund t’i ndodhte një gjë e tillë një personi që kishte jetuar sipas parimeve fetare. Kjo ngjarje e tronditi aq shumë sa humbi besimin te Zoti dhe për shumë kohë u ndje e vetmuar dhe pa drejtim.
Më vonë, kur iu bashkua një grupi shtrigash në Los Anxhelos, ajo ndjeu për herë të parë se ishte pranuar pa kushte. Aty gjeti një komunitet ku nuk gjykohej dhe ku mund të fliste hapur për përvojat e saj. Por pas një shpërnguljeje tjetër, ajo humbi edhe atë lidhje. Vitet që pasuan ishin të mbushura me vështirësi. Ajo kaloi një divorc, humbi partnerin që e konsideronte dashurinë e jetës së saj dhe më pas humbi edhe të dy prindërit. Së fundmi, ajo thotë se po përballet edhe me shqetësime nga një ish-partner që vazhdon ta përndjekë.
Për Monte, komuniteti i shtrigave është shumë më tepër sesa një grup njerëzish që praktikojnë rituale. Ai është një rrjet mbështetjeje emocionale. Gratë në grupin e tyre të WhatsApp-it i japin këshilla, i sugjerojnë rituale mbrojtëse, vajra dhe kristale, por mbi të gjitha i ofrojnë ndjesinë se nuk është vetëm. Kjo është ajo që Monte e vlerëson më shumë.
Një tjetër pjesëmarrëse, Alyse Benjamin, 42 vjeçe nga Florida, erdhi në Irlandë në një periudhë të rëndësishme të jetës së saj. Djali i saj sapo kishte filluar universitetin dhe ajo kishte humbur vendin e punës. Megjithëse kishte gjetur një punë të re si dizajnere interieri, ajo ndiente se ndodhej në një moment pasigurie dhe tranzicioni. Ajo thotë se kishte ardhur në këto ngjarje sepse dëshironte të ishte pjesë e një komuniteti grash, një lloj motërie ku të ndjehej e lidhur me të tjerat.
Edhe Benjamin ishte rritur në një familje të krishterë. Gjyshja e saj ishte pastore pentekostale dhe feja kishte luajtur një rol të madh në jetën e saj për shumë vjet. Megjithatë, largimi nga kisha ndodhi gradualisht. Fillimisht ishte thjesht një ndryshim në stilin e jetës, por me kalimin e kohës ajo filloi të ndihej e kufizuar nga rregullat dhe gjykimet që shoqëronin fenë tradicionale. Sot ajo ende beson te Zoti, por nuk i pëlqejnë etiketimet dhe mendon se njerëzit nuk mund të ndahen lehtësisht në kategori të ngurta si “të mirë” ose “të këqij”, “të krishterë” ose “jo të krishterë”.
Benjamin thotë se nuk ndihet e zemëruar, por e lodhur. E lodhur nga ritmi i jetës moderne, nga puna e vazhdueshme, nga vlerësimi i njerëzve sipas asaj që zotërojnë dhe nga sistemet që, sipas saj, nuk funksionojnë siç duhet. Ajo ndihet më afër Zotit kur është në natyrë sesa brenda një ndërtese fetare.

Magjia në rritje
Qoftë që je një Wiccan e devotshme, qoftë që kërkon të bësh një magji kundër dikujt, sot ka gjithmonë dikë që mund ta ndihmojë: një shtrigë në Etsy ose një dyqan tarot. Ata që duan të fitojnë para nga magjia mund të ndjekin kurse si WitchBiz Academy, ndërsa një universitet britanik ofron doktoraturë në magji. Të gjithë duan një rifilmim të Practical Magic, dhe ka rreth 100 mënyra për të parë një shtrigë në televizion.
Magjia është bërë shumë popullore dhe fitimprurëse për t’u quajtur më pak e zakonshme. Ajo që mbetet alternative nuk janë më magjitë apo kristalet, por mënyra personale e shpirtërore, që krijojnë gratë.
“Më pëlqen që nuk ka dogma”, thotë Ashley Claure, shtrigë praktikante.
Për Claure, çdo grua është shtrigë dhe çdo grua e di çfarë do të thotë të të thonë që je e çmendur.
Claure organizon të paktën dy shërbime magjie çdo vit në Savannah, Georgia dhe Salem, Massachusetts; çmimet variojnë nga 2,700 deri në 5,200 dollarë. Ajo thotë se gratë kërkojnë diçka më shumë se lojërat e zakonshme me tabela Ouija, që fillimisht frymëzuan aktivitetet e saj.
“Patriarkati nuk është i mirë për askënd, as për burrat, as për gratë”, thotë Claure. “Gratë janë të tërhequra drejt hapësirave të shtrigave sepse shpesh janë demonizuar, quajtur histerike ose janë stigmatizuar. Jemi lodhur nga kjo dhe do ta bëjmë gjënë tonë, qoftë që të na quajnë të çmendura ose jo”.
Shkencëtarët thonë se kjo ndjenjë shtrihet përtej shërbimeve që ato praktikojnë e ofrojnë.
“Nëse shikoni shoqërinë më të madhe sot, ku fuqia po merret sistematikisht nga gratë dhe personat queer, shtriga tradicionale është e kundërta e ‘shoqërisë së drejtë’,” thotë Sabina Magliocco, profesoreshë antropologjie në Universitetin e British Columbias. “Por nëse ‘shoqëria e drejtë’ i privon gratë nga të drejtat, i përjashton ato dhe thotë se është e pranueshme të abuzohet seksualisht, atëherë të jesh e kundërta e shoqërisë së drejtë do të thotë të bashkohesh me drejtësinë”.
Magliocco thotë se magjia është një kanal për zemërimin e drejtë. Kjo është pjesërisht arsyeja pse pas zgjedhjes së Donald Trump në 2016 pati një rritje të lëvizjeve rezistuese të bazuara në magji.
Në shërbimet që ofron Ferrari ka një ndjenjë të ngjashme rebelimi.
“Njerëzit kuptojnë se industria farmaceutike, qeveria dhe sistemet e tjera nuk i përkrahin ata”, thotë Ferrari. “Ata thjesht duan të kenë mënyrën e tyre për të shëruar dhe zgjidhur problemet”.
Edhe nëse jo çdo grua që shkon në pyll e sheh veten aktive, ndërmjet të bërit të qirinjve dhe magjisë, shumica e tyre e identifikojnë se cilat sisteme - politike, fetare dhe shoqërore i kanë lënë në baltë.

Plagët shpirtërore
Pasdite, shtrigat e Ferrarit shkojnë në një shëtitje në pyll.
Ata kalojnë dy orë e gjysmë duke eksploruar natyrën. Prekin pemët, u japin emra dhe i prezantojnë veten. Pastaj rrethojnë një zonë dhe përshkruajnë çfarë shijojnë, dëgjojnë dhe nuhasin.
“Ishte përvoja më e çuditshme”, thotë Benjamin. “Shikova një pemë dhe pashë një pasqyrë. Pashë veten”.
Për pak çaste, Monte fle nën degët e një peme 150-vjeçare. Gratë mbledhin sende nga pylli dhe i kalojnë rreth e rrotull për t’i parë: copëza molle, bishtat e ferra të reja, degë të zbrazura.
Pyjet janë vetëm 30 minuta nga vendi ku Petronilla de Meath u torturua dhe u dogj në shtyllë më 1324 – rasti i parë i regjistruar i përndjekjes së shtrigave në Irlandë. Praktikuesit e quajnë këtë “plagë shtrige”. Është një shenjë kolektive psikologjike që mbajnë gratë e ndëshkuara për fuqinë e tyre. Kujton kohën kur gratë vriteshin për çdo gjë që dukej si magji, ose për gjithçka që një burrë ose kisha nuk e kuptonte.
“Gratë nuk lejohen kurrë të zemërohen për këtë”, thotë Alessandra Mascarucci, fotografja italo-angleze dhe pagane që dokumentonte retreatin për Ferrari. “Njerëzit nuk kuptojnë sa e rëndësishme është zemërimi për shërim”.
Mascarucci tregon se zemërimi i grave shpesh injorohet, konsiderohet si ndjeshmëri ose ndëshkohet si agresion. Pa modele të zemërimit të shëndetshëm, shtypja bëhet rregull. Kjo është një mënyrë patriarkale për të mbajtur gratë të vogla, të menaxhueshme dhe të humbura.
Leja për të ndjerë zemërim – jo për ta zgjidhur apo drejtuar – gjatë lidhjes me veten dhe të tjerët është një qëllim që shumë gra vlerësojnë në shërbimet e Ferrarit. Magjia është hapësira ku shtriga ka simbolizuar gjithmonë mosbindjen femërore.
Megjithatë, jo të gjithë besojnë se format e këtyre kampeve shpirtërore janë të përshtatshme për diçka kaq të shenjtë. Kritikë si Michael Cardenas, kryeprift dhe shtrigë i markës Olde Ways, thonë se fakti që magjia është bërë e përhapur gjerësisht në shoqëri është thjesht një mënyrë për ta shitur fuqizimin radikal të grave si një “kamp meditimi i zbukuruar”.
Disa shtriga mund të ndihen të pakënaqura nga komercializimi i mjeshtërisë së tyre. Por për Thorn Mooney, studente doktore në studimet fetare dhe shtrigë praktikuese, kjo kritikë është e thjeshtëzuar dhe e reduktuar.
“Marketingu gjithmonë ka qenë pjesë e magjisë. Ne dyshojmë kur një person shpirtëror ka para, sepse mendojmë se varfëria është e shenjtë. Të shohësh diçka të shenjtë të shitur në reklama Instagram-i është turp, po nuk është e re”.
Sipas Mooney-t, paratë nuk janë gjëja kryesore. Gratë si ato të Ferrarit kërkojnë diçka shumë më të vështirë për t’u shitur: fuqinë për të shëruar, për t’u mbështetur dhe për të ndier forcën e vet.