Botë

Gruaja keniane që sfidon stigmën për kancerin me proteza gjiri të thurura

kenia

Pas viteve të vështira të luftës me kancerin dhe stigmën shoqërore, Mary Mwangi nga Kenia gjeti forcë dhe qëllim përmes thurjes. Ajo krijon proteza gjiri të thurura për gratë që kanë bërë mastektomi, duke u rikthyer vetëbesimin dhe një ndjenjë dinjiteti. Sot, përmes punës së saj dhe trajnimeve që ofron, qindra gra po ndërtojnë jetë më të pavarura dhe më të forta.

 (Al – Jazeera) - Thurja ishte një hobi i fëmijërisë për Mary Mwangin, një grua e gjatë dhe e çiltër që sot drejton një dyqan rrobaqepësie në qytetin Thika të qarkut Kiambu në Kenia. Por vetëm në vitin 2017, kur ajo qëndroi në shtrat për 11 muaj pas trajtimit të kancerit, iu rikthye këtij hobi.

Herën e parë që Mwangi u diagnostikua me kancer, ishte kancer i shtyllës kurrizore. E mbyllur në shtëpi dhe duke kërkuar mënyra për të kaluar kohën, ajo vendosi të thurte kapela, të cilat më pas i dhuroi për pacientët me kancer në Spitalin Kombëtar Kenyatta.

Një vit më vonë, në 2018, jeta e saj pësoi tronditje sërish: u diagnostikua me kancer të gjirit në fazën e tretë.

“M’u duk sikur ishte fundi im”, tha 52-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, e cila e kujton veten “të tmerruar” nga lajmi. Ajo u izolua nga të gjithë dhe madje e mbylli telefonin. “I thashë bashkëshortit që nuk doja të flisja me njeri; bota më dukej e ashpër”.

Mwangi iu nënshtrua një mastektomie - heqjes kirurgjikale të një pjese ose gjithë gjirit dhe 33 seancave të radioterapisë. Në total, trajtimi zgjati katër vjet dhe ajo humbi flokët dhe kursimet.

“E kisha marrë një hua prej 1.3 milion shilingash kenianë (rreth 10.000 dollarë) për të zgjeruar biznesin, dhe gjithçka shkoi për trajtimin”, tha ajo.

Përveç dhimbjes fizike dhe vështirësive financiare, ajo u përball edhe me paragjykim shoqëror. Edhe pse mastektomia ia shpëtoi jetën, ajo u përball me stigma në komunitetin e saj në Kenian qendrore. “Njerëzit më referoheshin si gruaja që i është prerë gjiri”, tha Mwangi, e cila u shpall e shëruar nga kanceri në vitin 2020. “T’i humbasësh gjinjtë të prek dinjitetin”.

Së shpejti ajo kuptoi se nuk ishte e vetme. Në repartin e kancerit pa gra të tjera që fshihnin kraharorin me shalle të mëdha dhe rroba të gjera. Kur foli me to, mësoi se edhe ato kishin bërë mastektomi.

Edhe pse në Kenia ka disa grupe mbështetjeje për të mbijetuarit e kancerit, shpesh sistemi shëndetësor nuk ka mjekë të mjaftueshëm të onkologjisë dhe ndjekje pas trajtimit, duke i lënë shumë gra të përballen vetëm me pasojat.

E vendosur të ndihmojë të tjerat, Mwangi kujtoi se çfarë e kishte mbajtur të fortë gjatë sëmundjes: thurjen. Kështu i lindi ideja të krijonte proteza gjiri të thurura me fije pambuku - një zgjidhje që ndihmon të mbijetuarat dhe njëkohësisht i sjell të ardhura.

Në një grup mbështetjeje, ajo kishte mësuar bazat e thurjes së protezave prej fijeve. Më pas ndoqi video në YouTube dhe filloi të praktikonte derisa e përsosi punën. “Faleminderit Zotit për thurjen”, tha ajo. “Ishte terapi e thjeshtë për mua dhe ma largonte mendjen nga sëmundja”.

Kujdesi fizik dhe emocional

Kanceri i gjirit është më i zakonshmi te gratë në botë, sipas OBSH-së. Në Kenia, mbi 6.700 gra preken çdo vit. Shumë prej tyre u nënshtrohen mastektomisë dhe kërkojnë proteza gjiri.

Por një protezë silikoni kushton rreth 22.000 shilinga kenianë (170 dollarë), një çmim i paarritshëm për shumë gra - pasi mbi 40% e popullsisë në Kenia jeton me më pak se 3 dollarë në ditë.

Mwangi i shet protezat e saj të thurura për 1.500 shilinga (rreth 11.60 dollarë). Ato vijnë në madhësi e ngjyra të ndryshme. Vendosen në reçipeta të posaçme me xhepa, të cilat shiten veçmas për 1.000–2.000 shilinga.

Ajo thur rreth 50 copë në javë dhe deri tani ka shitur afro 600 proteza, si edhe mbi 450 kapele të thurura për pacientët me kancer. Produktet i shet në dyqan dhe me shumicë për organizata si Milele Health, Spitali Kenyatta dhe Childhood Cancer Initiative, të cilat më pas i dhurojnë për pacientët.

Kjo e ka ndihmuar të mbajë biznesin dhe të vazhdojë të mbështesë të tjerat.

Mwangi drejton edhe grupin e mbështetjes New Dawn Cancer Warriors. Ajo kujton ditën kur një grua 33-vjeçare, me emrin Jane, iu bashkua grupit, por u ul në fund të sallës, e turpëruar të fliste. Kur Mwangi foli privatisht me të, mësoi se pas mastektomisë ajo kishte humbur vetëbesimin. Ajo e inkurajoi dhe i dhuroi një protezë të thurur. Me kalimin e muajve, Jane nisi të merrte pjesë, të fliste dhe të fitonte sërish kurajë.

Psikologia Joy Kulet, e cila punon me gra të operuara nga gjiri, thotë se protezat e thurura jo vetëm janë të përballueshme, por ndihmojnë edhe në rikthimin e vetëbesimit. “Humbja e gjirit është më shumë se një problem fizik; është edhe emocional”, thotë ajo.

“Thurja më dha qëllim”

Në qytetin Thika, zhurma e makinave të qepjes dëgjohet që nga rruga, para dyqanit të rrobaqepësisë së Mwangi. Brenda, rrobat e përfunduara varen në mur, pranë dy grave që qepin të përqendruara. Herë pas here ato shkëmbejnë shaka dhe qeshin me të madhe, ndërsa duart e tyre të shpejta vazhdojnë punën.

Ndërsa qepja vazhdon, Mwangi rri aty pranë duke thurur një protezë gjiri. Sapo e përfundon, ajo e mbush menjëherë me material të butë dhe nis të bëjë një tjetër. Përkrah saj, protezat shumëngjyrëshe të thurura janë vendosur në një tavolinë.

Shumicën e protezave, Mwangi i bën vetë. Por kur ka porosi të mëdha, e ndihmojnë gratë që ajo vetë i ka trajnuar. Që nga janari, thotë se ka mësuar mbi 200 gra të thurin, në mësime të thjeshta që i zhvillon në dyqanin e saj.

“Thurja jo vetëm më shpëtoi, por më dha edhe një qëllim”, thotë ajo.

Ndër gratë që ka trajnuar është edhe Hannah Nungari Mugo, 46 vjeçe, ish-shitëse perimesh në tregun e Thikës dhe gjithashtu e mbijetuar nga kanceri i gjirit. Mugo iu nënshtrua mastektomisë, kimioterapisë dhe radioterapisë në vitin 2019. Ndërsa flokët i binin dhe trupi dobësohej, bashkëshorti mori një hua prej 500.000 shilingash (3.800 dollarë) për t’i mbajtur gjallë financiarisht.

“Kjo hua na i mbaroi të gjitha kursimet”, thotë ajo. Por, si për Mwangin, edhe për të, stigma ishte pjesa më e vështirë. Njerëzit në lagje e shikonin si “të brishtë” dhe e përjashtonin nga aktivitetet.

“U bashkova me trajnimin dhe për vetëm disa javë i mësova bazat”, thotë ajo. Tani bën rreth shtatë proteza në javë për t’i shitur në dyqanin e Mwangit, dhe kjo i siguron të ardhura për familjen.

Të ndash historinë është “pjesë e shërimit”

Punëtoritë nuk janë vetëm për gratë që kanë kaluar kancer gjiri. Të tjera gra me sfida shëndetësore janë bashkuar, si 58-vjeçarja Mary Patricia Karobia, e cila e përdor këtë hapësirë për të treguar historinë e saj të stigmës dhe mbijetesës.

Në vitin 2011, ajo u diagnostikua me fibrozë të mëlçisë dhe u operua me transplant të suksesshëm të mëlçisë. Por, ashtu si Mwangi dhe Mugo, edhe ajo u përball me paragjykime.

“Njerëzit pëshpëritnin se më kishin hequr mëlçinë”, thotë ajo. E përjashtonin nga punët dhe aktivitetet e grave, sepse mendonin se ishte shumë e dobët për të ndihmuar. Ajo u ndje e përjashtuar. Por kur u njoh me Mwangin dhe hapësirën e saj mbështetëse për gratë, u frymëzua të bashkohej.

“Tani thur katër proteza në javë”, thotë Karobia. “Përveç të ardhurave, më jep gëzim, sepse po ndihmoj gratë që kanë kaluar kancerin e gjirit të rikthejnë vetëbesimin”.

Psikologia Kulet thotë se rruga e shërimit është e ndryshme për çdo grua. Disa rikuperohen shpejt, të tjera përballen me vështirësi rrugës. Sipas saj, grupet e mbështetjes, si ai i Mwangit, janë shumë të rëndësishme. “Të ndash historinë tënde është pjesë e shërimit”, thotë ajo - sidomos në vende ku gratë mund të flasin pa frikë nga paragjykimet.

Mwangi e sheh punën e saj si pjesë të procesit të shërimit për gratë që kanë bërë mastektomi. Ajo thotë se ka parë shumë prej tyre të fitojnë sërish vetëbesim dhe guxim - diçka që e mbush me krenari.

Për momentin, për shkak të mungesës së hapësirës, ajo mund të trajnojë vetëm katër gra në të njëjtën kohë. Nga ana financiare, është e kufizuar: nuk mund ta regjistrojë vendin e saj si shkollë trajnimi për shkak të mungesës së fondeve. Edhe çmimi i fijes së pambukut është rritur disa herë këtë vit - nga 450 shilinga (3.40 dollarë) në gati dyfish  dhe kjo e ka detyruar të ngrejë çmimet herë pas here.

Por ajo mbetet me shpresë.

“Ëndrra ime është të trajnoj sa më shumë të mbijetuara të kancerit në Kenia”, thotë ajo. Ajo dëshiron që një ditë të gjitha të kenë biznesin e tyre, në mënyrë që edhe ato të mund “të fitojnë jetesën përmes thurjes”.