Botë

Hamasi kthen edhe katër trupa pengjesh izraelite

Pengjet izraelite

Foto: Associated Press

Hamasi ka kthyer trupat e katër pengjeve të tjera izraelite, kanë bërë të ditur Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ndërsa puna e identifikimit është duke u zhvilluar.

Kryqi i Kuq i ka pranuar mbetjet në arkivole dhe ia ka dorëzuar ushtrisë izraelite vonë të martën në mbrëmje.

Transferimi erdhi pasi Izraeli paralajmëroi se do të kufizonte ndihmën në Gazë derisa Hamasi të kthente trupat e të gjithë 28 pengjeve të vdekur. Grupi i armatosur palestinez dorëzoi 20 pengje të gjallë dhe katër të vdekur të hënën.

Katër pengjet e para të vdekur të liruar nga Hamasi të hënën janë identifikuar nga Izraeli si Daniel Peretz, 22 vjeç, Yossi Sharabi, 53 vjeç, Guy Illouz, 26 vjeç dhe Bipin Joshi, 23 vjeç, një shtetas nepalez.

Zyra e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka thënë se procesi i identifikimit për katër pengjet e fundit është duke u zhvilluar.

Plani i armëpushimit i presidentit të SHBA-së Donald Trump, të cilin e pranuan si Izraeli ashtu edhe Hamasi, parashikonte që dorëzimi i të gjithë 48 pengjeve do të përfundonte deri në mesditën e së hënës.

Ndërsa të gjithë pengjet e gjallë u kthyen, presioni po rritet mbi Hamasin dhe qeverinë izraelite për mbetjet e 20 pengjeve që Hamasi ende nuk i ka riatdhesuar. 

Palestinezët janë gjithnjë e më të shqetësuar se një vonesë në kthimin e trupave nga Hamasi mund të sjellë pasiguri në të ardhmen e armëpushimit.