Hamasi ka rënë dakord me një propozim të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff për një armëpushim në Gaza, ka thënë të hënën për Reuters një zyrtar palestinez i afërt me grupin, duke hapur rrugën për një fund të mundshëm të luftës.
Propozimi i ri, i cili parashikon lirimin e dhjetë pengjeve dhe 70 ditë armëpushim, është pranuar nga Hamasi përmes ndërmjetësve.
“Propozimi përfshin lirimin e dhjetë pengjeve izraelitë të gjallë të mbajtur nga Hamasi në dy grupe, në këmbim të një armëpushimi 70-ditor dhe një tërheqje të pjesshme nga Rripi i Gazës”, ka thënë burimi.
Propozimi parashikon gjithashtu lirimin e një numri të burgosurish palestinezë nga Izraeli, duke përfshirë qindra prej atyre që vuajnë burgime të gjata.
Nuk ka ende ndonjë koment nga Izraeli.
Më 18 mars, Izraeli ka përfunduar në mënyrë efektive marrëveshjen e armëpushimit të janarit me Hamasin dhe ka rikthyer fushatën e tij ushtarake në Gazë. Hamasi dhe fraksionet aleate filluan të gjuanin raketa dhe sulme dy ditë më vonë.
Hamasi ka thënë se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet e mbetura të kapur nga personat e armatosur të tij në sulmet ndaj komuniteteve në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, dhe të pajtohet me një armëpushim të përhershëm, nëse Izraeli tërhiqet plotësisht nga Gaza.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli do të binte dakord për një armëpushim të përkohshëm në këmbim të lirimit të pengjeve, por është zotuar se lufta mund të përfundojë vetëm pasi Hamasi të çrrënjoset.