Shefi i grupit militant libanez Hezbollah, Naim Qassem, e ka akuzuar të premten Qeverinë e Libanit se po i dorëzohet Izraelit me thirrjet për çarmatosjen e grupit, tek ka paralajmëruar se janë të gatshëm për të luftuar deri në fund.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ushtruar trysni ndaj Qeverisë libaneze për çarmatosjen e grupit të financuar dhe mbështetur prej Republikës Islamike të Iranit. E kjo gjë është provuar edhe në të kaluar nga zyrtarët e lartë libanezë, porse jo në tempon që po kërkohet nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Qeveria po zbaton një urdhër amerikano-izraelit për t’i dhënë fund rezistencës, edhe nëse dërgon në luftë civile dhe probleme të brendshme”, ka thënë Qassem. “Rezistenca s’do t’i dorëzojë armët teksa agresioni dhe okupimi vazhdojnë, dhe ne do ta luftojmë atë...nëse është e nevojshme edhe duke e konfrontuar këtë projekt amerikano-izraelit pavarësisht çdo çmimi”, ka vazhduar ai.
Më tutje, Qassem i ka adresuar thirrje Qeverisë “që të mos e dorëzojë shtetin në duart e agresorit izraelit ose një tirani amerikan me lakmi të pakufizuar”.
Hezbollahu, i krijuar në vitet 1980 si reagim ndaj pushtimit izraelit të Libanit gjatë luftës civile atje, ka përfunduar thellësisht i dobësuar nga lufta e vitit të kaluar me Izraelin, gjersa nën presionin e SHBA-së, Qeveria libaneze ka urdhëruar ushtrinë të hartojë një plan për çarmatosjen e grupit deri në fund të vitit.
Që nga përfundimi i luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut në nëntorin e vitit 2024, pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, zyrtarë të Hezbollahut kanë deklaruar se grupi nuk do ta shqyrtojë çarmatosjen, deri sa Izraeli të tërhiqet nga pesë pikat që i kontrollon brenda territorit libanez dhe të ndalojë sulmet ajrore pothuajse të përditshme që kanë shkaktuar dhjetëra të vrarë e të plagosur.
Izraeli e ka akuzuar Hezbollahun se po përpiqet të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake. Ushtria izraelite ka deklaruar se pesë zonat në territorin libanez shërbejnë si pika vëzhgimi ose ndodhen përballë komuniteteve në veri të Izraelit, nga të cilat rreth 60,000 izraelitë u zhvendosën gjatë luftës.