Botë

Hezbollahu refuzon të çarmatoset derisa Izraeli të largohet nga jugu i Libanit

Hezbollah

Foto: Associated Press

Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Kassem, ka përsëritut të dielën refuzimin e grupit militant për të lëshuar armët përpara se Izraeli të tërhiqet nga i gjithë Libani jugor dhe të ndalojë sulmet ajrore.

Kassem ka folur përmes një videoadresimi teksa mijëra njerëz janë mbledhur të dielën në periferitë jugore të Bejrutit për të shënuar ditën e shenjtë shiite të Ashuras. 

Ashura përkujton Betejën e Qerbelasë në vitin 680 pas Krishtit, në të cilën nipi i Profetit Muhamed, Imam Huseini, është vrarë pasi kishte refuzuar të zotohej për besnikëri ndaj kalifatit Umajad.

Përkujtimi i këtij viti vjen pas një lufte të ashpër midis Izraelit dhe Hezbollahut, e cila përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të në fund të nëntorit.

Sulmet izraelite kanë vrarë shumë nga udhëheqja e lartë e Hezbollahut, përfshirë sekretarin e Përgjithshëm prej shumë kohësh, Hassan Nasrallah, dhe shkatërruan shumë nga arsenali i tij.

Që nga armëpushimi, Izraeli ka vazhduar të pushtojë pesë pika strategjike kufitare në Libanin jugor dhe të kryejë sulme ajrore pothuajse çdo ditë, për të cilat thotë se synojnë të parandalojnë

Hezbollahun nga rindërtimi i kapaciteteve të tij. Këto sulme kanë vrarë rreth 250 persona që nga nëntori, përveç më shumë se 4,000 të vrarëve gjatë luftës, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.

Ka pasur një presion ndërkombëtar dhe vendas në rritje që Hezbollahu të heqë dorë nga arsenali i tij i mbetur.

"Kush po e pengon Izraelin të hyjë në fshatra, të kryejë zbarkime ajrore të trupave dhe të vrasë të rinj, gra dhe fëmijë brenda shtëpive të tyre, përveç nëse ka një rezistencë me aftësi të caktuara të afta për mbrojtje minimale?”, ka thënë Kassem në videofjalimin e tij. 

Komentet e tij vijnë përpara një vizite të pritur të të dërguarit të SHBA-së Tom Barrack në Bejrut për të diskutuar një plan të propozuar për çarmatosjen e Hezbollahut dhe tërheqjen e forcave izraelite nga pjesa tjetër e Libanit jugor.