Botë

I akuzuari për terrorizëm arratiset nga burgu i Londrës

Policia në Londër është vënë në kërkim të një të akuzuari për terrorizëm, i cili është arratisur nga një burg i kryeqytetit britanik. Autoritetet e kanë cilësuar si person jo të rrezikshëm, por e kanë lutur publikun që të shmangin kontaktin me të. Ai është i akuzuar për montim të bombave të rrejshme në një bazë ushtarake dhe shkelje të ligjit për sekretet e shtetit

Autoritetet britanike kanë nisur kërkimin urgjent të një ushtari britanik që do të gjykohej nën akuzat për terrorizëm. Ai ka ikur nga burgu në jugperëndim të Londrës, ka njoftuar policia britanike kundër terrorizmit.

Policia ka njoftuar se Daniel Abed Khalife, i cili ishte i akuzuar për montimin e bombave të rrejshme në bazë ushtarake dhe shkelje të ligjit për sekretet e shtetit, është arratisur nga burgu Wandsworth të mërkurën në mëngjes.

Policia Metropolitane ka bërë të ditur se Khalife ishte person me shumë informata dhe se policia është tërësisht e përqendruar në gjetjen e tij. Nuk ka informacione që tregojnë se Khalife përbën kërcënim për publikun, por policia britanike ka bërë thirrje që të shmanget kontakti me të.

“Ishin oficerët e mi që i prinë hetimit për të. Mund të them se besoj që ai përbën pak rrezik për publikun. Këtë e di nga detajet e hetimit. Por publiku nuk duhet t’i afrohet atij. Vetëm të njoftojë Policinë”, ka thënë Dominic Murphy nga Policia Metropolitane.

Në momentin e arratisjes Khalife kishte të veshur uniformën e kuzhinës dhe një bluzë të bardhë. Autoritetet britanike nuk kanë ofruar detaje për mënyrën e arratisjes së tij.

Për arratisjen e tij janë njoftuar aeroportet dhe portet e Britanisë së Madhe.

Arratisja e Khalifes, sipas ekspertëve të sigurisë, ka shpërfaqur dështimet e shumta në sigurinë e burgjeve.

“Duhet të kenë qenë disa lëshime në siguri që lejuan mposhtjen nga ky person i cili disi besojmë se është arratisur nga burgu. Kjo është alarmante dhe shfaq gjendjen e burgjeve tona në këtë periudhë”, ka thënë Ian Acheson, ekspert i burgjeve.

Khalife, 21-vjeçar, ka mohuar të gjitha akuzat për terrorizëm.