Botë

I kërcënuar edhe në spital

Vladimir Vukçeviqi ka qenë prokuror i krimeve të luftës në Beograd. Tash është në pension. Por së fundi ai është kërcënuar nga disa persona ndërsa po qëndronte në spital. Në një intervistë për revistën „Vreme“ Vukçeviqi thekson se në Serbi po relativizohen krimet e luftës dhe e quan prokuroren e krimeve të luftës Snezhana Stanojkoviqin - joprofesioniste

Vladimir Vukçeviqi thotë se është vështirë të frikësohet nga dikush, por gjatë qëndrimit në një klinikë të sëmundjeve të zemrës në Beograd para disa javësh ai përjetoi një situatë të pakëndshme. Befas u shfaqën tre burra, me gjasë pacientë dhe ish-pjesëtarë të një njësie paramilitare që ka kryer krime në Bosnjë. Njëri nga tre burrat hyri në dhomën ku po qëndronte Vladimir Vukçeviqi, prokuror i krimeve të luftës në Beograd, tani në pension. Duke iu afruar Vukçeviqit, njëri nga burrat tha: “Ti mendon se nuk e dimë kush je”.

Pastaj një gazetë bulevardeske e afërt me regjimin në faqen e parë paralajmëroi një tekst: “Zoti të ka dënuar, i ke shitur serbët”. Gazeta pretendonte se “patriotët” e zemëruar e kanë dëbuar nga spitali Vladimir Vukçeviqin. “Bëhet fjalë për pacientë që kanë probleme serioze të zemrës dhe shumicës prej tyre iu ngrit tensioni kur e panë Vukçeviqin, i cili ka hedhur gur e dru kundër të akuzuarve tanë nga Haga. Ndonëse disa prej pacientëve janë të sëmurë, ata gjetën forcë për t’i thënë Vukçeviqit se çka mendojnë për punën e tij”, nënvizonte gazeta bulevardeske, duke iu referuar “burimeve”.

Vladimir Vukçeviqi u ankua te personeli mjekësor dhe u dërgua në një repart tjetër. Rasti i kërcënimit të tij tregon se deri ku ka arritur në Serbi mohimi i krimeve të luftës. Në postin e prokurorit të krimeve të luftës Vukçeviqi ka ndjekur dhe i ka nxjerrë para gjyqit disa të dyshuar për krime lufte. Jo të gjithë dhe jo sa duhet, por së paku gjatë kohës sa ka qenë ai në detyrë, herë pas here ka pasur lëvizje në ndjekjen e kriminelëve të luftës.

Pasardhëse e Vukçeviqit në post është Snezhana Stanojkoviq. “Ajo”, thotë Vukçeviqi, “para së gjithash është joprofesioniste”. Dhe shton: “Meqë ka qenë praktikë të vlerësohet puna e secilit, unë asaj atëherë ia pata dhënë një njësh të pastër. Atë e kanë sjellë aty për të dëgjuar urdhra politikë dhe si prokurore ajo këtë po bën”.

Vukçeviqi në të kaluarën është ankuar se për shkak të obstruksioneve nuk janë ndjekur fajtorët për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Vukçeviqi thekson se shoqëria serbe po i relativizon krimet e luftës, duke numëruar viktimat, duke theksuar se më së shumti ka pasur serbë në Hagë, “pa ofruar shpjegime se pse është ashtu”. Ai tregon se “persona të panjohur” disa herë ia kanë shfryrë gomat e veturës dhe fajtorët nuk janë gjetur kurrë. Në televizionet serbe, sipas Vukçeviqit, po shfaqen figura që flasin gjithçka, avokatë që nuk dinë për çka flasin, por me ngulm theksojnë se tribunali është “gjykatë politike”, “gjyq vetëm për serbë”. Sipas revistës “Vreme” në disa gjykime të akuzuarit mbrohen në liri, ndonëse janë të akuzuar për vrasjen e mijëra njerëzve.