“Këta hapa vijnë pas sulmit terrorist barbar në Pahalgam ku 25 indianë dhe një shtetas i Nepalit u vranë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë indiane të Mbrojtjes, referuar një sulmi muajin e kaluar në Kashmir.
“Veprimet tona kanë qenë me fokus, të matura dhe jo përshkallëzuese. Asnjë strukturë ushtarake pakistaneze nuk është shënjestruar. India ka treguar një përmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e objektivave dhe metodën e ekzekutimit”.
Ministria ka shtuar se India ka shënjestruar nëntë zona. Disa shpërthime janë dëgjuar në Kashmirin e qeverisur nga Pakistani.
Ushtria e Pakistanit ka thënë se tri lokacione janë goditur me raketa.
“Pakistani do të përgjigjet në një kohë dhe vend që e zgjedh vetë”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif Chaudhry. “Ky provokim i neveritshëm nuk do të mbetet pa përgjigje”.
Ai ka thënë se tre persona, përfshirë një fëmijë, janë vrarë dhe 12 janë lënduar.
India dhe Pakistani janë dy fuqi bërthamore.
Kryeministri i Pakistanit, Muhammad Shehbaz Sharif, e ka quajtur “akt lufte” sulmin dhe ka thënë se vendi i tij ka të drejtë të kundërpërgjigjet.
“Kombi pakistanez dhe Forcat e Armatosura të Pakistanit e dinë shumë mirë se si të merren me armikun. Armikut nuk do t’i lejohet kurrë të ketë sukses në objektivat e liga të tij”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Pakistanit.
Konflikti ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, dy vende fqinje me një histori të gjatë përplasjesh, u ndez sërish pas një sulmi vdekjeprurës në rajonet Jammu dhe Kashmir, ku humbën jetën 26 persona, shumica prej tyre turistë indianë.
Ngjarja tragjike shkaktoi reagime të menjëhershme dhe dramatike nga të dyja palët — duke filluar nga dëbimi i diplomatëve dhe mbyllja e kufijve, deri te pezullimi i marrëveshjeve dypalëshe dhe kërcënimet për përshkallëzim ushtarak. Edhe pse tensionet midis këtyre dy fuqive të armatosura me armë bërthamore janë realitet i vazhdueshëm që nga ndarja e Indisë Britanike në vitin 1947, vala e re e përplasjes rriti ndjeshëm rrezikun e një konflikti të hapur.
Më 22 prill 2025, pranë vendpushimit turistik të Pahalgamit, një nga destinacionet më të njohura në pjesën indiane të Kashmirit, persona të armatosur filluan të sulmonin. Ata besohet se ishin anëtarë të një grupi militant të panjohur më parë me emrin “Rezistenca e Kashmirit”. Hapën zjarr ndaj një grupi turistësh vendas gjatë një udhëtimi.
Pas ngjarjes, New Delhi ndërmori një sërë masash ndëshkuese ndaj Pakistanit. Së pari, i anuloi të gjitha vizat për pakistanezët, e më pas uli ndjeshëm numrin e diplomatëve pakistanezë në vend, duke e kufizuar në vetëm 30. Gjithashtu, India tërhoqi ambasadorin nga Islamabadi dhe ndërpreu çdo komunikim diplomatik në nivelet e larta.
Por ajo që ka shkaktuar shqetësimin më të madh në këtë përplasje është vendimi i Indisë për të pezulluar zbatimin e Traktatit të Ujit të Indusit – një marrëveshje historike e vitit 1960 që rregullon ndarjen e ujërave të sistemit të lumit Indus mes dy vendeve. India ka sinjalizuar mundësinë e devijimit të një pjese të rrjedhave që ndodhen nën kontrollin e saj, çka do të kishte pasoja të rënda për Pakistanin, i cili tashmë përballet me sfida të mëdha si thatësira, ndryshimet klimatike dhe infrastrukturë të brishtë ujore.
E në orët e hershme të së mërkurës (me kohë lokale), India sulmoi me raketa caqe brenda Pakistanit.
Raketat goditën pjesën e Kashmirit të qeverisur nga Pakistani dhe rajonin lindur Punjab.
Një nga to goditi një xhami në qytetin Bahawalpur në Punjab, ku u vra një fëmijë dhe u lënduan një burrë e një grua, ka thënë një zyrtar pakistanez.
Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, ka thënë se India ka lansuar raketa në Pakistan nga hapësira e saj ajrore dhe ka goditur zona civile.
Ai ka thënë se është gënjeshtër se janë shënjestruar “kampe terroriste”.
Ushtria e Indisë ka thënë se Pakistani ka gjuajtur me artileri në Bhimber Gali në pjesën e Kashmirit të administruar nga India.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka quajtur “turp” sulmet e Indisë ndaj Pakistanit.
Ai ka thënë se njerëzit prisnin të ndodhte diçka duke marrë parasysh historinë mes dy vendeve. Ai tha se shpreson çdo gjë të përfundojë shpejt.
E Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka thënë se po monitoron nga afër zhvillimet.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka biseduar me zyrtarë të lartë nga të dy vendet javën e kaluar. Rubio i ka bërë thirrje dy vendeve për deeskalim.
🚨 #BREAKING: India has just launched a missile strike on Pakistan
Pakistan vows to retaliate
It’s a full-on war now. pic.twitter.com/b04D1t1K2V— Nick Sortor (@nicksortor) May 6, 2025