Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit për stërvitje ushtarake

Ngushtica e Hormuzit

Foto: Associated Press

Irani ka njoftuar të martën mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit për stërvitje ushtarake, ndërkohë që negociatorët e tij po zhvillonin një rund tjetër bisedimesh indirekte me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor të kontestuar të Republikës Islamike.

Është hera e parë që Irani njofton mbylljen e kësaj rruge të rëndësishme ujore ndërkombëtare, përmes së cilës kalon 20% e naftës botërore, që kur SHBA-ja ka filluar të kërcënojë Iranin dhe të dërgojë mjete ushtarake në rajon.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një veprim i tillë i rrallë dhe ndoshta i paprecedentë mund të përshkallëzojë më tej tensionet që rrezikojnë të ndezin një tjetër luftë në Lindjen e Mesme, shkruan AP.

Ndërsa bisedimet po zhvillohen, media shtetërore iraniane ka njoftuar se forcat iraniane kanë lëshuar raketa drejt ngushticës dhe do ta mbyllnin atë për disa orë për “arsye sigurie dhe shqetësime detare”.

Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ndërkohë ka paralajmëruar se “ushtria më e fortë në botë ndonjëherë mund të marrë një goditje të tillë që nuk mund të ngrihet më në këmbë”.

Mirëpo ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, më vonë pati një ton më të butë, duke shprehur optimizëm për bisedimet dhe duke thënë se “është hapur një dritare e re” për arritjen e një marrëveshjeje.

“Shpresojmë që negociatat të çojnë në një zgjidhje të qëndrueshme dhe të negociuar, e cila mund t’u shërbejë interesave të palëve përkatëse dhe rajonit më gjerë”, ka thënë Araghchi në një konferencë të OKB-së për çarmatimin, pasi udhëhoqi delegacionin iranian në bisedimet e mbajtura në Gjenevë.

Ai ka shtuar se Irani “mbetet plotësisht i përgatitur të mbrojë veten kundër çdo kërcënimi apo akti agresioni” dhe se pasojat e çdo sulmi ndaj Iranit nuk do të kufizoheshin brenda kufijve të tij.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte anuluar një marrëveshje të mëparshme bërthamore me Iranin gjatë mandatit të tij të parë, ka kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë forcën për ta detyruar Iranin të pranojë kufizimin e programit të tij bërthamor.  E Irani ka thënë se do të përgjigjej me sulm.