Izraeli nuk e ka larguar opsionin e një sulmi ushtarak ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit gjatë muajve të ardhshëm, pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të gatshme të mbështesin një veprim të tillë, sipas disa zyrtarëve izraelitë, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët izraelitë janë zotuar se do ta parandalojnë Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe Netanyahu ka insistuar se çdo negociatë me Iranin duhet të çoj në çmontimin e plotë të programit bërthamor të Iranit.
Bisedimet në mes SHBA-së dhe Iranit do të mbahen të shtunën në Romë, rreth programit bërthamor.
Gjatë muajve të fundit, Izraeli i ka propozuar administratës së Trumpit një seri të opsioneve për ta sulmuar infrastrukturën bërthamore të Iranit, duke përfshirë edhe disa në pranverë dhe gjatë verës, sipas burimeve. Planet përfshinë një kombinim të sulmeve ajrore dhe operacioneve komando dhe mund të kthejnë prapa aftësitë e Teheranit për të zhvilluar armë nga programi bërthamor për disa muaj apo një vit e më shumë, sipas burimeve.
"The New York Times" ka raportuar të mërkurën se Trumpi i ka thënë Netanyahut në takimin në Shtëpinë e Bardhë në fillim të muajit se Washingtoni donte t’i jepte prioritet bisedimeve diplomatike me Teheranin dhe se nuk është i gatshëm të mbështesë sulme ndaj infrastrukturës bërthamore brenda një afati të shkurtër.
Por zyrtarët izraelitë tani besojnë se ushtria e tyre mund të kryejë sulme më të limituara ushtarake ndaj Iranit që do të kërkonin më pak mbështetje të SHBA-së. Një sulm i tillë do të ishte shumë më i madh se ai që e ka propozuar Izraeli në fillim.
Është e paqartë nëse apo kur do t’i kryente Izraeli këto sulme, veçanërisht me fillimin e bisedimeve rreth një marrëveshjeje bërthamore. Një lëvizje e tillë me shumë gjasë do ta distanconte Trumpin dhe do ta rrezikonte mbështetjen më të gjerë të SHBA-së për Izraelin.
Pjesë të planeve i janë prezantuar vitin e kaluar administratës së Bidenit, sipas dy ish-zyrtarëve të lartë të administratës së Bidenit. Pothuajse të gjitha kërkonin mbështetje të madhe nga SHBA-ja përmes intervenimit direkt ushtarak apo shkëmbimit të inteligjencës. Izraeli po ashtu ka kërkuar që Washingtoni tani të mbroj Izraelin nëse Irani hakmerret.
Por presidenti Trump nuk e ka larguar nga mundësia përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit.
“Mendoj se Irani e ka një shans të jetë një vend i madhërishëm dhe të jetoj i lumtur pa vdekje. Ky është opsioni im i parë. Nëse është një opsion i dytë, mendoj se do të ishte shumë i keq për Iranin, dhe mendoj se Irani është duke pritur për bisedime”, ka deklaruar Trumpi.
Një zyrtar i lartë iranian ka thënë se Teherani e di për planet e Izraelit dhe një sulm do të provokonte “një përgjigje të ashpër dhe të palëkundur nga Irani”.
“Kemi inteligjencë nga burime të besueshme që Izraeli është duke planifikuar një sulm të madh në infrastrukturën bërthamore të Iranit. Kjo rrjedh nga pakënaqësia me përpjekjet e vazhdueshme diplomatike në lidhje me programin bërthamor të Iranit dhe gjithashtu nga nevoja e Netanyahut për konflikt si një mjet për mbijetesë politike”, ka deklaruar zyrtari.