Botë

Izraeli forcon mbrojtjen pas zotimit për hakmarrje nga Irani

Izraeli - Ushtria - mbrojtja

Foto: Associated Press

Ushtria e Izraelit ua ka ndërprerë pushimin të gjitha njësive ushtarake të enjten, pas zotimeve të Iranit për hakmarrje, raporton agjencia “Reuters”. 

Irani është zotuar t’i hakmerret Izraelit pas sulmit të së hënës ndaj Konsullatës iraniane në kryeqytetin sirian, Damask, si pasojë e të cilit mbetën të vdekur dy gjeneralë iranianë së bashku me pesë këshilltarë ushtarakë.

“Në përputhje me vlerësimin e situatës është vendosur që pushimi të ndërpritet përkohësisht për të gjitha njësitë luftarake të IDF-së (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit)”, ka njoftuar ushtria izraelite përmes një deklarate.

Të mërkurën, ushtria ka bërë të ditur se ka shtuar numrin e rezervistëve për të rritur mbrojtjen ajrore të vendit. Gazetarët e Reutersit dhe banorët e Tel- Avivit kanë thënë të enjten se shërbimet GPS janë ndërprerë, masë kjo që synon të shmangë raketat e drejtuara Izraelit.

Amos Yadlin, ish-shef i inteligjencës izraelite, ka supozuar se Irani mund të zgjedhë këtë të premte, të fundit në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe Dita iraniane e Qudsit (Jerusalemit) njëkohësisht, për t’iu përgjigjur sulmit të Damaskut, drejtpërdrejt ose përmes një përfaqësuesi.

“Unë nuk do të habitem nëse Irani do të veprojë nesër. Mos u frikësoni. Mos vraponi në strehimore”, ka thënë Yadlin, tek ka përmendur sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit.