Izraeli ka njoftuar të dielën se ushtria e tij po zhvillon një “operacion në shkallë të gjerë” për të gjetur pengun e fundit në Gazë, teksa Uashingtoni dhe ndërmjetës të tjerë po ushtrojnë presion mbi Izraelin dhe Hamasin që të kalojnë në fazën e radhës të armëpushimit.
Deklarata u bë ndërsa kabineti izraelit u mblodh për të diskutuar mundësinë e hapjes së pikës kyçe kufitare të Rafahut me Egjiptin, si dhe një ditë pasi emisarë të lartë amerikanë u takuan me kryeministrin, Benjamin Netanyahu, për hapat e ardhshëm.
Kthimi i pengut të mbetur, Ran Gvili, konsiderohet si heqja e pengesës së fundit për të ecur përpara me hapjen e pikëkalimit të Rafahut dhe me zbatimin e fazës së dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Të dielën vonë, zyra e Netanyahut ka thënë në një deklaratë se “Pas përfundimit të këtij operacioni, dhe në përputhje me atë që është rënë dakord me Shtetet e Bashkuara, Izraeli do të hapë pikëkalimin e Rafahut.” Nuk janë dhënë detaje se sa kohë do të zgjasë kjo, por zyrtarë ushtarakë izraelitë u cituan në mediat vendase të thonë se operacioni mund të zgjasë disa ditë.
Kthimi i të gjithë pengjeve të mbetura, të gjallë apo të vdekur, ka qenë një pjesë qendrore e fazës së parë të armëpushimit që ka hyrë në fuqi më 10 tetor. Pengu i fundit ishte gjetur në fillim të dhjetorit.
Edhe pse Izraeli ka kryer më parë përpjekje kërkimi për Gvilin, për këtë operacion u publikuan më shumë detaje se zakonisht. Ushtria izraelite ka thënë se po kërkon në një varrezë në veri të Gazës, pranë Vijës së Verdhë, e cila shënon zonat e territorit nën kontroll izraelit.
Ndërkaq, një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Gvili mund të jetë varrosur në zonën Shijaiya-Tuffah të qytetit të Gazës dhe se rabinë dhe ekspertë dentarë ndodhen në terren me ekipe të specializuara kërkimi.
Familja e Gvilit i ka bërë thirrje qeverisë së Netanyahut të mos hyjë në fazën e dytë të armëpushimit derisa eshtrat e tij të kthehen.
Megjithatë, presioni është rritur dhe administrata Trump tashmë ka deklaruar ditët e fundit se faza e dytë ka nisur.
Izraeli e ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se po zvarrit procesin e gjetjes së pengut të fundit.
Mirëpo Hamasi në një deklaratë të dielën, ka thënë se kishte dhënë të gjithë informacionin që kishte lidhur me eshtrat e Gvilit, dhe për më tepër, ka akuzuar Izraelin se po pengon përpjekjet për t’i kërkuar ato në zonat e Gazës nën kontrollin ushtarak izraelit.
Izraeli gjen trupin e pengut të fundit të mbetur në Gazë
Ushtria izraelite thotë se ka gjetur trupin e pengut të fundit të mbetur në Gazë.
Ajo kishte qenë në kërkim të kapiten rreshterit Ran Gvili që nga fillimi i armëpushimit me Hamasin në tetor.
Hamasi duhej t'i kthente të gjithë pengjet, të gjallë dhe të vdekur, brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e armëpushimit, më 10 tetor.
Njëzet pengje izraelite të gjallë dhe trupat e 27 pengjeve të vdekur izraelitë ishin dorëzuar, por gjatë javëve të fundit Hamasi deklaronte se nuk po arrinte ta gjente Gvilin.
Të dielën, Izraeli ka thënë se do të rihapte pikën kryesore kufitare të Gazës me Egjiptin sapo të përfundonte operacioni për të gjetur dhe kthyer Gvilin.