Botë

Izraeli sërish vret palestinezë afër pikave për shpërndarje ndihmash

palestine

Forcat izraelite hapën zjarr afër dy qendrave të shpërndarjes së ndihmave të drejtuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), të mbështetur nga Izraeli, duke vrarë të paktën 10 palestinezë, sipas dëshmitarëve dhe punonjësve shëndetësorë. Ngjarja ndodhi të shtunën, pasi turmat e njerëzve të uritur palestinezë kërkonin ushqim, një situatë që ka përshkallëzuar më tej dhunën.

Ky incident ndodhi një ditë pas vizitës së zyrtarëve amerikanë në një nga pikat e GHF dhe pas deklaratës të ambasadorit të SHBA-së që e quajti këtë sistem shpërndarjeje “një arritje të jashtëzakonshme”.

Ndërkohë, të paktën 19 palestinezë të tjerë u qëlluan për vdekje pranë kalimit të Zikim, afër kufirit me Izraelin, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma. Fares Awad, kreu i shërbimit të urgjencës të ministrisë së shëndetësisë të Gazës, konfirmoi për këtë tragjedi.

Përpjekjet për t’u ofruar ndihma humanitare janë përballur me pengesa të mëdha. Pasi ka kaluar një javë që nga njoftimi i Izraelit për një pauzë të kufizuar humanitare dhe hedhjen e ndihmave ajrore, situata e urisë në Gaza është bërë më e rëndë. Gaza, me mbi 2 milionë banorë, tani mbështetet kryesisht te ndihmat ndërkombëtare, pas gati 22 muajsh luftë.

Pavarësisht këtyre masave, Kombet e Bashkuara, partnerët dhe palestinezët thonë se ndihmat janë të pamjaftueshme, duke theksuar se furnizimet janë bllokuar për muaj të tërë jashtë Gazës dhe po presin miratimin nga Izraeli. Kamionët që hyjnë shpesh vidhen nga njerëz të dëshpëruar dhe grupe kriminale para se të arrijnë magazinat për shpërndarje.

Ekspertët paralajmëruan këtë javë se një “skenar i keq i urisë” ka filluar të realizohet. Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi të shtunën se shtatë palestinezë, përfshirë një fëmijë, kishin vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen në 24 orët e fundit.