Ali Shamkhani, një figurë e lartë ushtarake dhe politike e Iranit, i cili u shpall i vdekur nga Izraeli javën e kaluar, është lajmëruar përmes një mesazhi duke thënë se është gjallë.
“Jam gjallë dhe i gatshëm ta sakrifikoj veten”, ka shkruar në mesazh Shamkhani drejtuar liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
“Fitorja është afër. Emri i Iranit do të shkëlqejë në histori si gjithmonë”, ka thënë tutje ai në mesazh ndërsa është publikuar nga mediat iraniane.
Shamkhani, këshilltar i afërt i Khameneit, u raportua i vdekur nga Izraeli dhe mediat iraniane pas sulmeve të 13 qershorit.
Ndërkohë të premten, mediat kanë raportuar se Shamkhani ka qenë i lënduar rëndë dhe në spital, por që tash është në gjendje stabile.
Shamkhani ka shërbyer si zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare të Iranit dhe ka mbajtur poste të larta në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
I njohur mirë në rrethin e politikës së jashtme në Washington e Evropë, së fundmi ai ka shërbyer si këshilltar kyç për bisedimet aktuale të programit bërthamor me SHBA-në.
