Izraelitët gjithandej shtetit do të mblidhen të martën për të shënuar përvjetorin e dytë të sulmit të 7 tetorit, në të cilin militantë të Hamasit vranë rreth 1200 njerëz dhe morën 251 pengje, në një sulm të papritur.
Një tubim i madh pritet të mbahet në Tel-Aviv me thirrjen për lirimin e pengjeve të mbetura te Hamasi. Ceremonia kryesore do të zhvillohet nga familjet e pengjeve dhe jo qeveria, duke vënë në pah ndarjet e thella mbi lidershipin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, për të cilin shumë e fajësojnë për dështim të sigurimit të një armëpushimi për t’i liruar pengjet.
Në përgjigje të sulmit të 7 tetorit, ushtria izraelite nisi fushatë në Gazë duke vrarë të paktën 67 mijë njerëz, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi. Si pasojë e ofensivës së Izraelit rreth 90 për qind e popullatës së Gazës prej rreth 2 milionë personash, është zhvendosur disa herë. Ndihmat financiare janë penguar e si pasojë është shkaktuar krizë e thelë e urisë.
Nga 251 pengjet, rreth 48 dyshohet se janë ende brenda Gazës e 20 prej tyre ende të gjallë. Hamasi ka thënë se do t’i lironte vetëm në këmbim të një marrëveshjeje afatgjate të armëpushimit dhe tërheqjes së Izraelit. Ndërkaq, Netanyahu është zotuar të vazhdojë luftën deri sa të kthehen të gjithë dhe të çarmatoset Hamasi.
E Izraeli dhe Hamasi kanë mbajtur së fundmi bisedime indirekte në Egjipt, rreth një plani të paqes të presidentit amerikan Donald Trump. Diskutimet pritet të vazhdojnë disa ditë në prani të ndërmjetësve nga SHBA-ja, Katari, Egjipti dhe Turqia.