Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duket se po ndërmerr hapa për të konsoliduar pozicionin e vajzës së tij si pasardhëse, dhe ka shenja se ajo po jep mendime në çështje politike, kanë thënë të enjten ligjvënës të Koresë së Jugut, duke cituar një raportim nga agjencia e inteligjencës.
Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Koresë së Jugut (NIS) do të vëzhgojë nga afër nëse vajza, që besohet se quhet Kim Ju Ae, do të marrë pjesë në një takim të ardhshëm të Partisë në pushtet të Punëtorëve dhe si do të paraqitet ajo, përfshirë nëse do të marrë ndonjë titull zyrtar, kanë thënë ligjvënësit.
“Në të kaluarën, NIS e përshkroi Kim Ju Ae si ‘në proces studimi si pasardhëse’, por sot shprehja e përdorur ishte se ajo ‘është në fazën e emërimit të brendshëm si pasardhëse’,” u ka thënë gazetarëve deputeti Lee Seong-këeun pas një raportimi me dyer të mbyllura nga NIS.
Ju Ae, e cila besohet të jetë në fillim të adoleshencës, është shfaqur gjithnjë e më shpesh në mediat shtetërore të Koresë së Veriut, duke shoqëruar babanë e saj në vizita zyrtare, përfshirë inspektime të projekteve të armëve, mes spekulimeve nga analistët se ajo po përgatitet për t’u bërë udhëheqësja e gjeneratës së katërt të vendit.
NIS beson se roli që ajo ka marrë gjatë ngjarjeve publike tregon se ka filluar të japë kontribut në politikëbërje dhe se po trajtohet si udhëheqësja de facto e dytë më e lartë në vend, thanë Lee dhe një tjetër ligjvënës, Park Sun-ëon.
Koreja e Veriut ka njoftuar se Partia e Punëtorëve do të mbajë mbledhjen inauguruese të Kongresit të nëntë në fund të shkurtit, një ngjarje që analistët besojnë se do të zbulojë objektivat kryesore politike për vitet e ardhshme në ekonomi, marrëdhënie të jashtme dhe mbrojtje.
Ndërkohë, udhëheqësi Kim Jong Un po drejton zhvillimin e një nëndetëseje të madhe që ka gjasa të jetë e aftë të mbajë deri në 10 raketa balistike të lëshuara nga nëndetëset.