Një kishë historike 113-vjeçare në në qytetin Kiruna në veri të Suedisë, po zhvendoset nga autoritetet lokale në një distancë prej 5 km, për shkak të rreziqeve nga rrëshqitjet e dheut, transmeton "BBC". Në vend që të çmontohej, inxhinierët e ngritën mbi një platformë gjigande me rrota dhe po e lëvizin drejt destinacionit të ri, në qendrën e re të qytetit.
Ajo po udhëton me një shpejtësi maksimale prej 500 metrash në orë dhe është paraparë që të mbërrijë për dy ditë.
Qendra e vjetër e qytetit është në rrezik për shkak të çarjeve në tokë pas më shumë se një shekulli të nxjerrjes së hekurit nga minierat, e ligji suedez ndalon secilin aktivitet minerar nën ndërtesa.
Zhvendosja e kishës filloi me një bekim nga famullitarja, Lena Tjärnberg, dhe peshkopja e Dioqezës së Luleås, Åsa Nyström .
“Të gjithë e dinë që duhet të zhvendoset: ne jetojmë në një komunitet minierash dhe varemi nga miniera. Jam mirënjohëse që po e marrim kishën me vete në qendrën e re të qytetit, por ka edhe emocion për ta parë se si po largohet nga toka ku u bë kishë”, tha peshkopja.

Pas përfundimit të kësaj ceremonie, kisha e madhe prej druri filloi të lëvizë ngadalë përpara, derisa në orën e parë nga nisja, ajo kaloi vetëm 30 metra, e vendosur në rimorkio me rrota, të cilat rrotulloheshin ngadalë nën peshën e saj.
Shumë qytetarë u mblodhën përgjatë rrugëve duke e parë me admirim ndërtesën që po lëvizte përpara.
"Është një turmë e madhe. Njerëzit kanë ardhur jo vetëm nga Kiruna por edhe nga pjesë të tjera të Suedisë. Dëgjova shumë gjuhë të ndryshme që fliteshin. Është si të shohësh historinë që ndodh para syve tanë", tha strategjistja e kulturës Sofia Lagerlöf Mättää.
Në mesin e qytetarëve që po e përcillnin këtë moment ishin Lena Edkvist dhe bashkëshorti i saj, të cilët kishin udhëtuar nga Gothenburg.
“Nuk jam një person thellësisht fetar – shkoj në kishë vetëm në raste të veçanta. Por, kjo është pjesë e traditës, historisë dhe kulturës sime. Është nder që po e zhvendosin atë të paprekur në vend që ta çmontojnë copë pas cope”, tha Edkvist.
Menaxheri i projektit të zhvendosjes së kishës, Stefan Holmblad Johansson, e quajti si ngjarje historike.
"Është një ngjarje historike, një operacion shumë i madh dhe kompleks dhe nuk kemi asnjë hapësirë për gabime. Por, gjithçka është nën kontroll", tha Johansson.
Ndërkohë operatori i minierës së hekurit, LKAB – gjithashtu punëdhënësi më i madh në Kiruna – po mbulon faturën e zhvendosjes së qytetit, e cila vlerësohet mbi 10 miliardë korona suedeze (rreth 1 miliard dollarë).
Kisha e Kirunës është 35 metra e lartë, 40 metra e gjerë dhe peshon 672 tonë. Ajo është votuar dikur si ndërtesa më e bukur para vitit 1950 në Suedi.
Zhvendosja e një ndërtese kaq të madhe është një arritje e pazakontë.
Më delikate gjatë zhvendosjes u konsideruar mbrojtja e thesareve të brendshme të kishës,
veçanërisht piktura e madhe e altarit e bërë nga princi Eugen, një anëtar i familjes mbretërore suedeze. Ajo do të qëndroj brenda kishës gjatë gjithë zhvendosjes, e mbuluar plotësisht.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, kisha do të mbërrijë në "shtëpinë e saj" të re në qendrën e qytetit deri të mërkurën në mbrëmje.
Televizioni suedez po transmeton gjithashtu të gjithë udhëtimin drejtpërdrejt, duke shënuar një moment të rrallë kur një copë historie jo vetëm që i mbijeton ndryshimit – por lëviz bashkë me të.
Përktheu: Doruntina Isufi