Komandanti i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë hapur derën për hakmarrje, ndërsa ka thënë se “nuk do të tërhiqemi kurrë”. Deklarata është transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, raporton “CNN”.
Gjeneralmajori Abdolrahim Mousavi, shef i Forcave të Armatosura të Iranit, tha se “Amerika kriminale ka hapur derën për luftëtarët e islamit në forcat e armatosura për çdo veprim kundër interesave dhe ushtrisë së saj dhe ne s’do të tërhiqemi kurrë në këtë drejtim”.
Mousavi tha se SHBA-ja ka “hyrë drejtpërdrejtë në luftë duke shkelur sovranitetin e Iranit Islamik dhe duke shkelur tokën e shenjtë të vendit tonë”.
Mesazhi i tij është i fundit në një sërë deklaratash që kanë dhënë komandantët e lartë ushtarakë iranianë të hënën. Ata kanë paralajmëruar hakmarrje pasi SHBA-ja goditi tri objekte bërthamore të Iranit një ditë më parë.
Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), Ebrahim Zolfaghari, tha se SHBA-ja do të pendohet.
“Trump bixhozçi, ti mund të nisësh një luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë”, tha Zolfaghari.
