Komisionerja e Bashkimit Evropian, Dubravka Suica, do të udhëtojë për në Washington këtë javë për të marrë pjesë në një takim të Bordit të Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump.
Suica do të marrë pjesë në takim si vëzhguese, ka bërë të ditur të hënën zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
“Komisioni i BE-së nuk po bëhet anëtar i Bordit të Paqes, ne po marrim pjesë në këtë takim pikërisht në kuadër të angazhimit tonë të gjatë për zbatimin e armëpushimit në Gazë, si dhe për të marrë pjesë në përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur rindërtimin dhe rimëkëmbjen pas luftës në Gazë", ka thënë Mercier.
Bordi i Paqes i Trumpit është themeluar në janar, gjatë Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës, teksa në ceremoninë e nënshkrimit të themelimit kanë marrë pjesë disa shtete, përfshirë Kosovën.
Grupi është përballur me skepticizëm lidhur me mandatin e tij dhe me pyetje nëse synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara. Shumica e aleatëve evropianë të SHBA-së nuk kanë rënë dakord të bashkohen.
Nuk është e qartë se cilat vende do të marrin pjesë në takimin e 19 shkurtit dhe në çfarë niveli do të përfaqësohen.
Takimi i ardhshëm vjen në një kohë kur administrata po përpiqet të shtyjë përpara fazën 2 të planit të saj të paqes për Gazën dhe të sigurojë mbështetje për rindërtimin e saj.
Presidenti Trump ka njoftuar të dielën se 5 miliardë dollarë janë zotuar deri më tani për rindërtimin e Gazës.