Koreja e Veriut mund të dërgojë trupa shtesë në Rusi për të luftuar në luftën kundër Ukrainës në korrik ose gusht teksa Pheniani po vazhdon ta furnizojë me armë Rusinë, kanë thënë ligjvënësit e Koresë së Jugut të enjten, duke cituar një informim nga agjencia e inteligjencës.
Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) beson se Rusia mund të jetë duke u përgatitur të nisë një sulm në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në korrik ose gusht, u ka thënë gazetarëve anëtari i parlamentit të Koresë së Jugut, Lee Seong-këeun, pas informimit me dyer të mbyllura, raporton Reuters.
"Koha e vendosjes shtesë është se mund të jetë që në korrik ose gusht”, ka thënë Lee, duke shtuar se agjencia përmendi një grumbullim të ri trupash për dërgimin nga Koreja e Veriut dhe një vizitë të kohëve të fundit në Phenian nga një zyrtar i lartë i sigurisë presidenciale ruse si bazë për vlerësimin e saj.
Në këmbim të dërgimit të municioneve dhe raketave të artilerisë nga Koreja e Veriut në Rusi, Pheniani ka të ngjarë të marrë këshilla teknike mbi lëshimet e satelitëve dhe sistemet e udhëzimit të raketave, ka thënë Lee, duke cituar informimin e NIS.
Pas muajsh heshtjeje, si Koreja e Veriut ashtu edhe Rusia kanë pranuar vendosjen e trupave të Koresë së Veriut dhe rolin që ato kanë luajtur në ofensivën e Moskës kundër Ukrainës për të rimarrë rajonin Kursk.
Të dy vendet kanë thënë se bashkëpunimi bazohet në traktatin e nënshkruar nga udhëheqësit e tyre në qershor të vitit të kaluar, i cili përfshin një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë.