Kryeministri francez, François Bayrou, pritet të rrëzohet në një votëbesim të hënën pasdite, duke e zhytur ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës në një krizë politike.
Partitë opozitare, nga e majta në të djathtën ekstreme e kanë bërë të qartë se do të votojnë kundër 74-vjeçarit të qendrës, që do të thotë se ai dhe qeveria e tij e pakicës do të bien pas vetëm nëntë muajsh në detyrë, raporton The Guardian.
Presidenti i qendrës, Emmanuel Macron, ka të ngjarë të përballet me sfidën e emërimit të kryeministrit të tij të tretë brenda një viti, dhe të pestin që kur filloi mandatin e tij të dytë në detyrë në vitin 2022.
Si kreu i shtetit me autoritet mbi politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare, presidenti emëron drejtpërdrejt një kryeministër për të drejtuar çështjet e brendshme. Por pasi Macroni thirri zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e kaluar, asambleja kombëtare është ndarë në tri blloqe - e majta, qendra dhe e djathta ekstreme, pa shumicë absolute, duke krijuar një formë bllokimi politik dhe mosmarrëveshjeje mbi buxhetin. Kjo do të thotë se nuk ka siguri se një kryeministër i ri do të jetë i sigurt nga një rrëzim i ngjashëm i shpejtë.
Macroni gjithashtu mund të vendosë të thërrasë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, megjithëse ai ka thënë se ngurron ta bëjë këtë.
Bayrou i tronditi edhe aleatët e tij të qendrës duke thirrur votën e besimit të papritur, duke thënë se kishte nevojë për mbështetje nga parlamenti për masat shtrënguese për të ulur borxhin publik.
Një aleat afatgjatë i Macronit, Bayrou po synon për të marrë mbështetje për planin e tij jopopullor për një buxhet të shtrënguar prej 44 miliardë eurosh dhe një programi shtrëngues për të ulur borxhin publik të Francës.
Propozimet e tij për buxhetin, duke përfshirë heqjen e dy festave zyrtare dhe ngrirjen e shumicës së shpenzimeve për mirëqenie, u kundërshtuan në të gjithë spektrin politik.
Bayrou do të mbajë një fjalim në parlament të hënën pasdite duke kërkuar mbështetje dhe duke dhënë mendimin e tij mbi gjendjen e kombit dhe borxhit publik francez.
Kjo do të pasohet nga fjalime nga udhëheqësit e çdo grupi parlamentar, para një votimi të ligjvënësve.
Bayrou: Franca është e varur nga borxhi
Kryeministri francez, François Bayrou, i ka thënë parlamentit francez të hënën se ky është një “moment i së vërtetës” në fjalimin e tij para ligjvënësve, pak para votëbesimit të cilin e ka kërkuar vetë ai.
Gjatë fjalimit të tij 40-minutësh, ai është përpiqur t'i shtyjë politikanët të bien dakord për një mënyrë për të trajtuar krizën e borxhit që po i afrohet vendit.
Ai ka thënë se Franca është e varur nga borxhi.
Mediat raportojnë se Bayrou nuk i ka votat për ta fituar votëbesimin pasi partitë e opozitës kanë thënë se do të votojnë kundër.
Nëse ai bie, presidenti francez Emmanuel Macron duhet të veprojë shpejt për të emëruar një kryeministër të ri - i pesti i tij në më pak se dy vjet.