Udhëheqësja e opozitës venezuelase, María Corina Machado, ka thënë se ia ka dorëzuar presidentit amerikan, Donald Trump, medaljen e saj të çmimit Nobel për Paqen, raporton agjencia "AP".
Ajo ka thënë se këtë e bëri të enjten gjatë takimit të tyre privat në Shtëpinë e Bardhë, por nuk ka treguar nëse ai e ka pranuar atë.
"Mendoj se sot është ditë historike për ne venezuelasit", ka thënë ajo pas takimit me Trumpin.
Disa javë pasi forcat amerikane kapën presidentin venezuelas Nicolás Maduro në Karakas, Trumpi ka refuzuar ta mbështesë Machadon, lëvizja e së cilës pretendoi fitoren në zgjedhjet e vitit 2024.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Machado iu drejtua mbështetësve të mbledhur te portat jashtë, duke u thënë atyre në spanjisht: “Ne mund të llogarisim te presidenti Trump”.
“Unë ia paraqita presidentit të Shteteve të Bashkuara medaljen e Çmimit Nobel për Paqen”, u tha më vonë Machado gazetarëve në anglisht, duke e quajtur atë “një vlerësim për angazhimin e tij unik për lirinë tonë”.
Nuk është e qartë nëse Trump e pranoi çmimin. Trump, i cili shpesh flet për dëshirën e tij për t’u vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen, kishte shprehur pakënaqësi kur ai iu dha Machados dhe ajo vendosi ta pranonte nderin vitin e kaluar.
Machado tha javën e kaluar se do ta ndante atë me Trumpin, por Komiteti Nobel më vonë sqaroi se ai nuk ishte i transferueshëm.
Në deklaratat e saja, Machado përshkroi historinë e një gjenerali ushtarak që luftoi në Luftën Revolucionare të Amerikës, i cili i kishte dhuruar një medalje Simon Bolivarit, një nga etërit themelues të Venezuelës moderne.
Medalja u dha “si shenjë e vëllazërisë midis Shteteve të Bashkuara, popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Venezuelës në luftën e tyre për liri kundër tiranisë”, tha Machado.
“Dhe dyqind vjet histori më vonë, populli i Bolivarit po ia kthen trashëgimtarit të Washingtonit një medalje – në këtë rast një medalje të Çmimit Nobel për Paqen – si një vlerësim për angazhimin e tij unik për lirinë tonë”.
Machado vizitoi gjithashtu Kongresin për t’u takuar me senatorë amerikanë, ku deklaratat e saja për gazetarët u mbytën nga mbështetësit që brohorisnin “María, presidente” dhe valëvitnin flamuj venezuelas.
Pritej që Machado ta përdorte kohën e saj me Trumpin për t’u përpjekur ta bindë atë se mbështetja e qeverisë së përkohshme të Delcy Rodríguezit ishte një gabim dhe se koalicioni i saj opozitar duhet të jetë në krye të këtij tranzicioni.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve ndërsa takimi po zhvillohej të enjten se Machado është “një zë i jashtëzakonshëm dhe i guximshëm për shumë nga njerëzit e Venezuelës”.
Trumpi e ka përshkruar më parë atë si një “luftëtare të lirisë”, por ka hedhur poshtë idenë e emërimit të saj për të udhëhequr Venezuelën pas largimit të Maduros, duke argumentuar se asaj i mungon mbështetja e mjaftueshme e brendshme.
Qëkurse Maduro u rrëzua më 3 janar, administrata Trump ka lëvizur shpejt për të riformuar sektorin e naftës së Venezuelës, i cili kishte qenë nën sanksione amerikane. Të mërkurën, një zyrtar amerikan tha se SHBA-ja kishte përfunduar shitjen e parë të naftës venezuelase, me vlerë 500 milionë dollarë.