Një nga dy të burgosurit që u liruan gabimisht para kohe nga një burg në Londër, është dorëzuar të enjten, pasi u përshëndet me gazetarët dhe piu një cigare në shkallët e burgut të epokës viktoriane.
Billy Smith, 35 vjeç, u dorëzua te HMP Wandsworth tre ditë pasi ishte liruar si pasojë e gabimit më të fundit administrativ, që ka rikthyer vëmendjen në një sistem burgjesh të mbipopulluar dhe të mbingarkuar, e i cili është bërë një barrë politike për qeverinë laburiste, raporton AP.
Shefat e burgjeve u thirrën në një takim të enjten për të diskutuar gabimet dhe përpjekjet që po bëheshin për të përditësuar një sistem, që ende përdor të dhëna në letër, ka thënë ministri i Drejtësisë, Alex Davies-Jones.
Smith, 35 vjeç, u lirua aksidentalisht të hënën, të njëjtën ditë kur u dënua me gati katër vjet burgim për mashtrime të shumta.
Ndërkohë, policia është ende në kërkim të Brahim Kaddour-Cherif, 24 vjeç, i cili u lirua gabimisht nga Wandsworth më 29 tetor.
Cherif, një shtetas algjerian, kishte hyrë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019, por kishte qëndruar më gjatë se zakonisht dhe ishte në fazat fillestare të procesit të deportimit.
Të dy burrat u liruan gabimisht nga Wandsworth, i cili u ndërtua në jugperëndim të Londrës në mesin e shekullit të 19-të.