Botë

Kthimi i grave dhe fëmijëve të ISIS-it

Elmira pretendon se u mashtrua për të shkuar në Siri nga një burrë që e njoftoi në internet. Ai e bindi të bashkohej me të në Turqi dhe, duke menduar se do të ishin të lumtur së bashku, katër ditë pas ditëlindjes së saj të 18-të udhëtoi për ta takuar atë. Por kur mbërriti atje u përshëndet nga një burrë tjetër, i cili tha se ishte shoku i tij dhe e mori atë në një udhëtim 17 orësh përtej kufirit sirian. Ajo pretendon se në kohën kur e kuptoi se çfarë po ndodhte ishte tepër vonë për t’u kthyer prapa

“Mirë se u kthyet në Kirgizi”, thotë Shukur Shermatov, duke iu drejtuar klasës prej 20 grave. Ai ka mban kapelë tradicionale, por nuk ka asgjë tradicionale në këtë shkollë. Objekti ndodhet brenda dy unazave të sigurisë ushtarake dhe studentet janë gra që janë sjellë në shtëpi nga kampet në Siri, ku përfunduan pasi jetonin me grupin e Shtetit Islamik.

Qendra e rehabilitimit gjendet në malet e Kirgizisë dhe është vendi ku gratë dhe fëmijët e rekrutëve të dyshuar të IS-it kalojnë gjashtë javët e para pas riatdhesimit. Gjithçka që ndodh këtu monitorohet nga shteti.

Gratë e dëgjojnë Shukurin me vëmendje teksa mbajnë mësimin e tyre të parë. Kursi ofron leksione për qytetarinë, etikën fetare dhe menaxhimin e zemërimit. Posterët në mur ofrojnë këshilla se si të kontrollohen emocionet.

Përveç programit të riedukimit, familjet marrin trajtim mjekësor, mbështetje psikologjike dhe - për herë të parë pas shumë vitesh - ushqim, ujë dhe strehim të mjaftueshëm.

Kundër riatdhesimit

Disa vende kanë kundërshtuar riatdhesimin e grave si këto - gra që thonë se pa e ditur, u kanë shkuar pas burrave, baballarëve dhe vëllezërit në zonat e luftës. Ajo që u ndodhi atje - çfarë bënë, sa e dinin - është fshehur në rrënojat e të ashtuquajturit kalifat. Vendimet nëse ato janë viktima apo fajtore tani duhet të merren nga zyrtarët, potencialisht mijëra milje larg.

Pas mësimit, na çojnë në një konvikt të thjeshtë me katër krevate teke, ku takojmë një grua të veshur me hixhab të purpurt. Ne po e quajmë atë Fatima, jo emrin e saj të vërtetë, për sigurinë e saj. Përmes një dritareje të vogël, peizazhi me borë buzë liqenit nuk mund të dukej më ndryshe nga kampi sirian që ajo ka lënë pas.

“Gjëja kryesore këtu është se është qetësi. Të gjithë janë shumë mirënjohës për këtë. Fëmijëve u pëlqen kjo”. Ajo ndalon dhe vlerëson heshtjen. “Qetësi”.

Fatima e ndoqi burrin e saj në Turqi në vitin 2013 kur ai tha se donte të punonte atje. E gjithë familja shkoi, duke përfshirë dy djemtë e rritur të Fatimas, vajzën e saj dhe një nip. Ajo thotë se e kuptoi se ata ishin në Siri vetëm kur dëgjoi zhurmën e avionëve reaktivë dhe pa rojat e IS-it.

Ne e pyetëm nëse ajo me të vërtetë nuk e kishte idenë se ku po shkonin dhe, si shumë nga gratë që takuam, ajo këmbënguli se nuk ishte në dijeni dhe ishte normale që një grua të ndiqte burrin e saj.

Pak ditë pas mbërritjes së tyre në Siri, ajo kishte humbur burrin dhe djalin e saj. Burri i saj u dogj për vdekje pasi një bombë goditi makinën e tij, ndërsa djali i saj u qëllua nga një snajper. Menjëherë pas kësaj, djali tjetër i saj u sëmur dhe vdiq.

Në pamundësi për t’u larguar, gratë kaluan gati gjashtë vjet nën sundimin brutal të IS-it në Irak dhe Siri, ku vajza e Fatimas kishte më shumë fëmijë. Kur luftëtarët e IS-it u dëbuan, Fatima, vajza dhe katër nipërit e saj përfunduan në al-Hol, kampi më i madh i paraburgimit në Siri për luftëtarët e dyshuar të IS-it dhe familjet e tyre. Ata kaluan katër vjet atje, të dëshpëruar për të ardhur në shtëpi.

“Gratë ishin të sëmura dhe fëmijët qanin gjatë gjithë kohës. Ne u lutëm që të na linin të largoheshim”, thotë ajo. “Mezi mbijetuam. Kur njerëzit nga Kirgizi erdhën për të marrë grupin e parë, të gjithë u tronditën”.

Në tetor, vajzës dhe nipërve të saj iu tha se po riatdhesoheshin, por jo Fatimas.

“Qaja kur më thanë që nuk isha në listë. Si nuk isha në listë? Unë jam nëna e tyre!”. “Por tani që jam këtu dhe së shpejti do të kthehem me familjen time, jam shumë e lumtur. Më vjen mirë që nipërit e mi mund të arsimohen. Unë dua që ata të studiojnë shkencën, të kuptojnë botën më mirë”.

Image
Shukur Shermatov duke ligjëruar para grave të kthyera të militantëve të ISIS-it

Kthimi në atdhe

Në moshën 57-vjeçare, Fatima është më e moshuara në qendrën e rehabilitimit, një nga 110 nënat dhe 229 fëmijët e Kirgizisë, të kthyer nga Siria në vitin 2023 si pjesë e programit të ri të riatdhesimit. Vetëm Iraku riatdhesoi më shumë gra dhe fëmijë vitin e kaluar.

Kirgizia planifikon të rikthejë të paktën 260 gra dhe fëmijë të tjerë, pas vitesh fushate nga të afërmit e njerëzve të bllokuar në Siri. Qëllimi është t’u jepet shansi i dytë njerëzve që qeveria beson se mund të kenë qenë viktima të ISIS-it.

Megjithatë, të kthyerit merren të gjithë në pyetje dhe mbeten nën mbikëqyrje të rregullt pas përfundimit të kursit të riintegrimit. Nëntë në 10 po përballen me hetime penale, na tha kreu i këshillit të sigurisë kombëtare të Kirgizisë. Akuzat e mundshme mund të përfshijnë ndihmën ndaj terrorizmit ose transportimin e fëmijëve në një zonë lufte. Megjithatë, ende askush nuk është ndjekur penalisht.

Vëzhgimi i vazhdueshëm dhe potenciali i procedimeve penale do të thotë që gratë shpesh hezitojnë të flasin për kohën e tyre në Siri.

Pasi Elmira, e cila ka kaluar nëpër qendrën e rehabilitimit dhe tani po rindërton jetën e saj në një qytet jashtë kryeqytetit, Bishkek, pranon të flasë me ne, ne kemi një paraqitje të shkurtër se si duket ky monitorim.

Menjëherë pasi u bëmë gati ta shihnim, na telefonoi punonjësja e saj sociale, duke na njoftuar se edhe ajo do të ishte e pranishme në intervistë. Kur mbërritëm, aty ishin edhe dy policë kundër terrorizmit, të cilët familja i njohu. Pas disa diskutimesh, ata ranë dakord të prisnin jashtë.

Elmira pretendon se u mashtrua për të shkuar në Siri nga një burrë që e njoftoi në internet. Ai e bindi atë të bashkohej me të në Turqi dhe, duke menduar se do të ishin të lumtur së bashku, katër ditë pas ditëlindjes së saj të 18-të ajo udhëtoi për ta takuar atë.

Por kur ajo mbërriti atje, ajo u përshëndet nga një burrë tjetër, i cili tha se ishte shoku i tij dhe e mori atë në një udhëtim 17 orësh përtej kufirit sirian. Ajo pretendon se në kohën kur e kuptoi se çfarë po ndodhte, ishte tepër vonë për t’u kthyer prapa.

Ajo u martua dy herë. Burri i saj i parë i vdiq pas disa muajsh, më pas ajo u martua me një burrë nga Dagestani dhe lindi fëmijën e tij. Ajo nuk do të thotë më për atë që ai po bënte në Siri, por shpjegon se ata po kërkonin një rrugëdalje përpara se të vdiste në një sulm me raketë.

Frika nga të kthyerit

Elmira thotë se momenti më i vështirë ishte kur mendoi se vajza e saj mund të kishte vdekur. Ajo kishte dalë duke e lënë vajzën e saj të vogël në shtëpi, kur raketat goditën lagjen e tyre. E tmerruar për fëmijën e saj, Elmira vrapoi në shtëpi me lot.

“Pastaj dikush e nxori jashtë, të gjallë, të shëndoshë, dhe ajo vetëm kishte frikë. Shtëpia e fqinjit ishte goditur dhe fëmijët e tjerë që ishin afër vdiqën”.

Ashtu si Fatima, Elmira dhe vajza e saj përfunduan në kampin al-Hol.

“Ende nuk e besoj. Ndonjëherë zgjohem natën dhe nuk e di nëse jam duke ëndërruar”, na thotë ajo. “Jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që ndihmuan për të na larguar nga atje dhe nuk na braktisën. Ne e dimë se jo çdo vend e bën këtë”.

Elmira, e cila tani po trajnohet për rrobaqepëse, na kërkoi të mos e zbulojmë emrin e vërtetë. Pasi ka parë përgjigjen ndaj riatdhesimeve nga disa kirgizë në rrjetet sociale, ajo ka vendosur të mos i tregojë askujt për të kaluarën e saj.

“Nuk është për t’u treguar”, thotë ajo. “Shumë prej nesh nuk e kuptojnë pse kanë frikë nga ne. Ne kemi frikë prej tyre! Njerëzit mendojnë se jemi kthyer këtu me automatikë dhe armë. Nuk është kështu. Ne jemi njerëz ashtu si ata. Kemi edhe ne familje. Kemi edhe fëmijë. Gjithashtu duam të bëjmë një jetë të qetë dhe të lumtur”.

“Dhe pse t’ua them njerëzve historinë time, kur unë vetë dua të harroj?”, shton Elmira. “Unë isha 18 vjeç atëherë. Unë jam 27 vjeç tani. Kam mësuar të mos jem kaq naive”.

Nëna e Elmirës, Hamida Yusupova, e kaloi dekadën e kaluar duke iu lutur autoriteteve kirgize që ta kthenin vajzën dhe mbesën e saj dhe themeloi një grup fushatash për prindërit e vajzave që shkuan në Siri.

Kur Hamida erdhi t’i merrte nga qendra e rehabilitimit, ribashkimi i tyre fliste më shumë me lot sesa me fjalë.

“Elmira ishte bërë nënë. Ajo e kuptoi sa e vështirë është kur rrit një fëmijë për 18 vjet dhe, një ditë, të thonë se “do të shkojë në punë”, mbyll derën dhe zhduket në Siri. Nuk ia uroj asnjë nëne”, thotë Hamida.

“Gjithçka që Elmira mund të thoshte ishte: “Mami, më fal”. Asgjë tjetër. Përveç kësaj, ajo më tha se sa shumë isha plakur!”.

Elmira dhe Hamida e dinë mirë se jo të gjithë rreth tyre do ta falin.

Ashtu si shumë nga fqinjët e tij të Azisë Qendrore, Kirgizi - ku 90% e popullsisë identifikohet si myslimane - ishte një burim kryesor i rekrutimit për IS, një grup terrorist i caktuar nga OKB-ja, gjatë rritjes së tij në rëndësi.

Hamida mendon se vajza e saj ishte viktimë e burrave manipulues dhe fajtore vetëm se ishte naive. Megjithatë, ne folëm me gra kirgize në të njëjtën moshë si Elmira, të cilat thanë se ndiheshin të shqetësuara se të kthyerit nga Siria mund të radikalizonin të tjerët, veçanërisht pasi panë se si talebanët rimorën Afganistanin.

“Si nënë, kam dëgjuar shumë ofendime dhe sharje. Nuk dua që fëmija im ta dëgjojë këtë. Nuk dua që njerëzit të tregojnë me gisht fëmijën tim dhe ta quajnë atë terroriste”, thotë Hamida.

Përktheu: Blerta Haxhiu