Liderët evropianë pritej të zhvillonin të martën bisedime mbi përpjekjet paqësore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, në një kohë kur tensionet mes Moskës dhe Kievit janë rritur pas pretendimeve ruse, të mohuara nga Ukraina, për një sulm masiv me dronë ndaj një rezidence pranë liqenit që përdoret nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Takimi virtual evropian pritej të mblidhte liderë që kishin marrë pjesë në bisedimet e zhvilluara më herët këtë muaj në Berlin, ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Polonisë, Adam Szłapka, megjithëse nuk ishte e qartë se kush saktësisht do të merrte pjesë.
Ky ishte takimi i parë i liderëve evropianë që nga pritja që presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të dielën në resortin e tij në Florida. Trump ka këmbëngulur se Ukraina dhe Rusia janë “më afër se kurrë më parë” një marrëveshjeje paqeje, ndonëse ka pranuar se pengesat e mbetura ende mund ta parandalojnë arritjen e një marrëveshjeje.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët rusë dhe ukrainas kanë shkëmbyer akuza të ashpra lidhur me pretendimet e Moskës se Ukraina ka tentuar të sulmojë rezidencën e liderit rus në veriperëndim të Rusisë me 91 dronë me rreze të gjatë veprimi, pothuajse menjëherë pas takimit të Trumpit me Zelenskyn të dielën.
Këto pretendime dhe kundërpretendime kanë kërcënuar të minojnë përpjekjet për paqe. “Nuk më pëlqen. Nuk është mirë”, ka deklaruar Trump të hënën, pasi Putin e kishte informuar atë përmes telefonit për sulmin e pretenduar.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka deklaruar të martën se Rusia “ende nuk ka ofruar asnjë dëshmi të besueshme” për të mbështetur akuzat e saj.
Moska nuk do ta bëjë këtë sepse “një sulm i tillë nuk ka ndodhur”, ka shkruar ai në platformën X.
“Rusia ka një histori të gjatë pretendimesh të rreme”, ka shtuar Sybiha, duke iu referuar mohimeve të Kremlinit se nuk kishte ndërmend të sulmonte Ukrainën përpara pushtimit të plotë të nisur më 24 shkurt 2022.
Edhe Zelensky, duke folur të hënën, e ka cilësuar këtë pretendim si “një tjetër gënjeshtër” nga Moska, e dizajnuar për të sabotuar përpjekjet për paqe.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të martën se sulmi i pretenduar ukrainas është “i synuar për të penguar përpjekjet e presidentit Trump për të promovuar një zgjidhje paqësore” të luftës.