Liderët e vendeve evropiane e kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe për të rihapur Ngushticën strategjike të Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për furnizimet globale me energji, raportoi të hënën “Euronews”.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e cilësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm drejt stabilitetit rajonal, duke shprehur pritjen që konflikti i kushtueshëm të marrë fund dhe kalimi i lirë nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit të rikthehet plotësisht.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Armët duhet të ndalen tani”, deklaroi Costa, duke theksuar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë në avancimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi zbatim të shpejtë dhe të plotë të marrëveshjes. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit dhe të zbatojnë një armëpushim të vërtetë.
“Nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme derisa Libani vazhdon të digjet”, paralajmëroi von der Leyen.
Sipas saj, rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale, ndërsa marrëveshja përfundimtare duhet të adresojë edhe programet bërthamore dhe balistike të Iranit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, tha se ministrat e jashtëm të bllokut do të diskutojnë mënyrat se si Bashkimi Evropian mund të përfshihet në fazën e ardhshme të procesit të paqes.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se misioni ushtarak i krijuar nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar për të ndihmuar trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit është i gatshëm për dislokim.
Duke folur para takimit të planifikuar me presidentin amerikan Donald Trump në kuadër të samitit të G7-s, Macroni tha se kapacitetet e misionit janë vendosur dhe mund të aktivizohen menjëherë sipas nevojës.
“Rifillimi i trafikut detar, pa kufizime apo tarifa, është kusht thelbësor për stabilitetin rajonal dhe ekonominë botërore”, deklaroi ai.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka vlerësuar lartë marrëveshjen, duke e cilësuar si zhvillim të rëndësishëm për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe për ekonominë globale.
“E përgëzoj Presidentin Trump, ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari, si dhe të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë proces”, deklaroi kryeministri britanik.
Ngushtica e Hormuzit, rrugë kyç për transportin e naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare, ishte bllokuar në mënyrë efektive nga Irani që nga fillimi i konfliktit.
Nga ana tjetër, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, bëri të ditur se ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes pritet të mbahet të premten në Zvicër.