Botë

Mallkim të jesh prind në Gazë: Më shumë se 3 mijë fëmijë të vrarë

Sipas organizatës “Save The Children”, më shumë fëmijë janë vrarë brenda 3 javëve në Gazë sesa në të gjitha konfliktet botërore të tre vjetëve të fundit. Për shembull, thuhet se 2.985 fëmijë u vranë në dy luftërat që janë zhvilluar gjatë vitit të kaluar

Më shumë se 3 mijë e 600 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditë të luftës mes të Izraelit dhe Hamasit. Ata janë goditur nga raketat izraelite, janë djegur nga shpërthimet e raketave dhe janë shtypur nga rrënojat e ndërtesave. Në mesin e tyre janë fëmijë të sapolindur, lexues të zjarrtë, gazetarë aspirues, dhe djem të cilët mendonin se do të ishin të sigurt në kishë.

Gati gjysma prej 2.3 milionë banorëve të Rripit të mbipopulluar të Gazës janë nën moshën 18-vjeçare, ku fëmijët përbëjnë 40 për qind të atyre të vrarë në luftë. Një analizë e Associated Press rreth Ministrisë së Shëndetit në Gazë e publikuar javën e kaluar demonstroi se deri në datën 26 tetor ishin vrarë 2.001 fëmijë të moshës 12-vjeçare e më të vegjël, duke përfshirë 615 që ishin 3 vjeç e më të vegjël.

“Kur shtëpitë shkatërrohen, ato iu bien fëmijëve në kokë”, tha të mërkurën shkrimtari Adam al-Madhoun teksa po ngushëllonte Kenzin, vajzën e tij 4- vjeçare te spitali i martirëve Al Aqsa në Deir-al-Balah, qytetin qendror të Gazës. Ajo mbijetoi pas një sulmi ajror, i cili i shkëputi krahun e djathtë, i shtrydhi këmbën e majtë dhe ia theu kafkën.

Izraeli ka njoftuar se sulmet e tyre ajrore shënjestrojnë vetëm zonat luftarake të Hamasit dhe infrastrukturën, ndërsa akuzon grupin se po përdor qytetarët e rëndomtë si mburoja njerëzore. Izraeli gjithashtu ka njoftuar se më shumë se 500 raketa kanë rënë gabimisht në Gazë, duke vrarë numër të madh të palestinezëve.

Sipas organizatës “Save The Children”, më shumë fëmijë janë vrarë brenda 3 javëve në Gazë sesa në të gjitha konfliktet botërore të tre vjetëve të fundit. Për shembull, thuhet se 2.985 fëmijë u vranë në dy luftërat që janë zhvilluar gjatë vitit të kaluar.

“Gaza është bërë varrezë për mijëra fëmijë”, tha James Elder, zyrtar i UNICEF-it.

Imazhe dhe incizime të fëmijëve të tronditur, të cilët po nxirreshin nga rrënojat në Gazë dhe përpëliteshin nëpër spitale, janë bërë të shpeshta dhe kanë nxitur protesta anembanë botës. Skenat nga sulmet ajrore shfaqnin një shpëtimtar duke përkëdhelur një foshnjë që po çalonte, veshur me fustan të bardhë baleti që tashmë ishte i gjakosur, një baba duke bërtitur teksa shtrëngonte fëmijën e tij të vdekur në gjoks, dhe një djalë të vogël të hutuar, të mbuluar me gjak dhe pluhur teksa qëndronte i vetëm në rrënoja.

“Është mallkim të jesh prind në Gaza”, tha Ahmed Modawikh, zdrukthëtar 40 vjeç nga Gaza, jeta e të cilit u shkatërrua pas vdekjes së vajzës së tij 8 vjeçe, gjatë 5 ditëve të betejës në muajin maj.

“Ka edhe fëmijë izraelitë që janë vrarë. Gjatë sulmit brutal më 7 tetor në pjesën jugore të Izraelit e cila nxiti luftën, persona të armatosur të Hamasit vranë më shumë se 1.400 izraelitë. Zyrtarët izraelitë thanë se mes tyre u gjendën foshnja dhe fëmijë të tjerë të vegjël, edhe pse nuk dhanë statistika të sakta. Po ashtu, prej atyre që Hamasi mori peng, përafërsisht 30 ishin fëmijë”.

Përderisa aeroplanët luftarakë izraelitë godasin Gazën, fëmijët palestinezë grumbullohen me familje të mëdha në apartamente ose në streha të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse Izraeli u ka bërë apel palestinezëve të largohen nga pjesa veriore e Gazës e të drejtohen për në pjesën jugore të Rripit, asnjë pjesë e territorit nuk ka dalë të jetë i sigurt nga sulmet ajrore.

“Njerëzit po ikin nga vdekja vetëm për të gjetur sërish vdekjen diku tjetër”, tha Yasmine Jouda, e cila humbi 68 pjesëtarë të familjes së saj në sulmet ajrore të 22 tetorit, që rrafshuan dy ndërtesa me nga dy kate në Deor al-Balah, ku ata kishin kërkuar strehim pasi ishin larguar nga Gaza veriore.

Mbijetuesja e vetme e sulmeve ajrore ishte mbesa njëvjeçare e Joudas, nëna e së cilës kishte qenë në sallën e lindjes gjatë sulmit dhe u gjend e vdekur nën rrënoja, me binjakët e porsalindur.

“Çfarë ka bërë ky fëmijë i vogël për të merituar një jetë pa familje?”, tha Jouda.

Për numrin e të vdekurve në Gaza, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës ka tejkaluar shifrën e 9 mijë personave, Izraeli fajëson Hamasin pasi që grupi operon nga lagje të mbushura me banorë. Palestinezët thonë se numri i viktimave që është në rritje shërben si vërtetim se sulmet janë joproporcionale.

Doktorët thonë se nga lufta kanë mbetur të plagosur më shumë se 7,000 fëmijë palestinezë dhe ka lënë shumë prej tyre me pasoja.

Pak para luftës, mbesa e Joudas, Milissa bëri hapat e parë. Tani ajo nuk do të ecë kurrë. Doktorët thonë se sulmi ajror që mbyti familjen e saj theu shtyllën e saj kurrizore dhe e paralizoi nga gjoksi e poshtë. Pak poshtë nga dhoma e saj në spitalin qendror të mbushur me pacientë të Gazës, 4-vjeçarja Kenzi u zgjua nga gjumi duke bërtitur e pyetur se çka i kishte ndodhur krahut të saj të djathtë.

“Do të duhet shumë përkujdesje e punë për t’i dhënë asaj një gjysmë jete normale”, tha babai i saj.

Edhe ata që as nuk u gërvishtën do të mbeten me vraga nga shkatërrimet e luftës.

Për 15-vjeçarët në Gaza, kjo është lufta e pestë në mes Izraelit e Hamasit prej kur grupi ushtarak mori kontrollin e këtij territori të rrethuar në 2007. Jeta e tyre ka qenë gjithmonë nën një barrikadë ndëshkuese izraelito-egjiptiane që ua parandalon atyre udhëtimet jashtë shtetit e ua shuan ëndrrat për të ardhmen. Sipas Bankës Botërore, Rripi ka një normë prej 70% të papunësisë rinore.

“Nuk ka shpresa që këta fëmijë të zhvillojnë karriera, të përmirësojnë standardet e jetës, dhe të kenë arsimim dhe kujdes shëndetësor më të mirë”, tha Ayed Abu Eqtaish, drejtori i programit të përgjegjshmërisë për Mbrojtjen Ndërkombëtare të Fëmijëve në territoret palestineze.

Por ai shtoi se në këtë luftë “bëhet fjalë për jetë e vdekje”. Dhe në Gaza, mund të shohësh vdekje gjithkund.

Associated Press ka publikuar emrat e disa prej 3 mijë 648 fëmijëve palestinezë dhe të miturve që janë vrarë në këtë luftë.

Aseel Hassan, 13-vjeçare

Sipas babait të tij, Hazem Bin Saeed, Aseel Hassan ishte një studente e zellshme. Ajo e adhuronte poezinë klasike arabe, dhe i mësonte përmendësh skemën e ashpër metrike dhe rimën, dhe argëtohej nga imazhet e saj mistike dhe metaforat e lavdishme. Gjatë luftës, kur bombardimet izraelite u afruan aq shumë sa muret e tyre u tronditën, ajo zbaviste të afërmit e saj duke recituar vargje të famshme nga Abu Al Tayyib al-Mutanabbi, një poet irakian i shekullit të 10-të, tha babai i saj.

“Kur e pyesja se ç’do të bënte kur të rritet, ajo thoshte se do të lexonte”, tha 42-vjeçari Bin Saeed. “Poezitë ishin shpëtim për Aseel”. Një sulm ajror më 19 tetor rrafshoi shtëpinë e tij trekatëshe në Deir al-Balah, duke vrarë Aseel dhe vëllain e saj 14-vjeçar, Anas.

Majd Souri, 7-vjeçar

Shpërthimet tmerruan Majdin, tha babai i tij 45-vjeçar, Ramez Souri. I mungonin lojërat me futboll me shokët e shkollës. Ai ishte i shkatërruar pasi që lufta kishte anuluar udhëtimin e shumëpritur të familjes së tij të krishterë në Nazareth, qytet në Izrael ku tradita thotë se u rrit Jezusi.

"Baba, ku mund të shkojmë?", Majd pyeti përsëri dhe përsëri teksa sulmet ajrore gjëmonin. Familja e tij, anëtarë të devotshëm të komunitetit të vogël të krishterë të Gazës, më në fund patën një përgjigje – Do të shkonin në Kishën Ortodokse Greke të Shën Porfirit në qytetin e Gazës.

Souri tha se Majdi u qetësua kur mbërritën në kishë, ku ishin strehuar dhjetëra familje të krishtera. Së bashku, ata u lutën dhe kënduan.

Më 20 tetor, predha u përplas në manastir, duke vrarë 18 persona. Mes të vdekurve ishin Majdi dhe vëllezërit e motrat e tij, Julie 9-vjeçare dhe Soheil 15-vjeçar. Izraeli thotë se kishte shënjestruar një qendër komanduese pranë Hamasit.

Majdi u gjet nën rrënoja me duart rreth qafës së nënës së tij. Fytyra e tij ishte djegur plotësisht. "Fëmijët e mi donin vetëm paqe dhe stabilitet", tha Souri, me zërin e tij. “Ajo që doja më së shumti ishte që ata ishin të lumtur”.

Kenan dhe Neman El-Sharif, 18-muajsh

Karam al-Sharif, punonjës i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, mezi fliste të mërkurën, i gjunjëzuar mbi trupat e vegjël të fëmijëve të tij në spital të mbuluar me qefin. Ikën vajzat e tij, Joud 5 vjeç dhe Tasnim 10 vjeç.

Shkuan edhe djemtë e tij binjakë 18-muajsh, Kenan dhe Neman. Al-Sharif qante ndërsa përqafonte Kenanin dhe i thoshte lamtumirë. Trupi i Neman-it ishte ende i humbur nën rrënojat e kullës gjashtëkatëshe, ku familja kishte kërkuar strehim në kampin e refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore.

“Ata nuk kishin kohë këtu”, ka thënë Sami Abu Sultan, vëllai i al-Sharif, për djemtë e vegjël, një ditë pasi ndërtesa u shkatërrua. “Ishte vullneti i Zotit”.

Mahmoud Dahdouh, 16-vjeçar

Më 25 tetor, transmetimi i drejtpërdrejtë i Al Jazeeras kapi momentin rrëqethës kur shefi i zyrës së saj në Gaza, Wael Dahdouh, zbuloi se një sulm ajror izraelit kishte vrarë gruan e tij, vajzën 6-vjeçare, nipin e mitur dhe djalin 16-vjeçar, Mahmoudin.

I rrethuar nga kamerat televizive në spital, Dahdouh qau mbi djalin e tij adoleshent, duke murmuritur: "Ti doje të bëheshe gazetar".

Mahmoud ishte maturant në shkollën e mesme laike amerikane ndërkombëtare në qytetin e Gazës. I vendosur për t'u bërë raportues në gjuhën angleze, ai e kalonte kohën e tij duke përmirësuar aftësitë e tij në përdorimin e kamerës dhe duke postuar klipe raportimi amatore në YouTube, tha Dahdouh.

Një video që Mahmoud e filmoi disa ditë para se të vdiste tregonte makina të djegura, tym të errët dhe shtëpi të rrafshuara. Ai dhe motra e tij, Kholoud, recitonin me radhë një monolog, duke u përpjekur të dëgjoheshin nga era.

“Kjo është lufta më e ashpër dhe më e dhunshme që kemi përjetuar në Gaza”, tha Mahmoud, duke prerë ajrin me duar.

Në fund të videos, vëllezërit e motrat i ngulën sytë drejt në kamerë. “Na ndihmoni të mbetemi gjallë”, thanë ata njëzëri.

Përktheu: Diana Rraqi