Botë

Mbrojtësi “tjetër” i Sarajevës zgjidhet kryetar komune

Komuna më e rëndësishme e Sarajevës zgjedh një serb për kryetar. Por historia e Sërgjan Mandiqit nuk mund të reduktohet në këtë përkatësi etnike. Si 21 vjeçar ai ishte në istikam, i veshur me uniformë të Armatës së Bosnjë-Hercegovinës, duke mbrojtur qytetin e tij të rrethuar e qëlluar nga çetnikët, paraardhësit e të cilëve ia masakruan gjyshen. Arsyeja e zgjedhjes së Mandiqit nuk është vetëm qëndrimi i tij antinacionalist, por dhe neveria e qytetarëve të Sarajevës me korrupsionin dhe nepotizmin e Partisë së Aksionit Demokratik, të komanduar e kontrolluar nga Bakir Izetbegoviqi dhe gruaja e tij.

“Komuna e Qendrës (në Sarajevë) vlen më shumë se 10 komuna të tjera”. Kështu kishte thënë Bakir Izetbegoviqi para zgjedhjeve lokale në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 2016. Atëbotë fitoi kandidati i partisë së Izetbegoviqit. Të dielën qytetarët ia prezantuan atij faturën. Në komunën Centar, Qendra, aty ku gjenden institucionet kryesore të Bosnjë-Hercegovinës, aty ku zhvillohet jeta biznesore dhe kulturore, më së shumti vota mori Sërgjan Mandiq, i cili do të jetë kryetar i ri i kësaj komune. Qytetarët iu hakmorën Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) të Izetbegoviqit për shkak të nepotizmit, korrupsionit, punësimeve partiake, spastrimit të parave dhe aferave të tjera të panumërta, të cilat sidomos në vitin e pandemisë mllefosën opinionin. Në pjesën më urbane të Sarajevës ndër politikanët më të përbuzur janë Bakir Izetbegviq dhe gruaja e tij Sebija Izetbegoviq, e cila akuzohet se kontrollon jo vetëm sektorin fitimprurës të shëndetësisë.

Kush është Sërgjan Mandiq, kryetar i ri i komunës Qendra në Sarajevë? Për militantët e partisë së Izetbegoviqit Mandiq është “serb”, “çetnik”, “kalë Troje i projugosllavëve” e kështu me radhë. Por nganjëherë, jo përherë, historia është e ndërlikuar. Sërgjan Mandiq është mbi të gjitha qytetar i Sarajevës. Kur në fillim të viteve 90-të Sarajeva u rrethua nga forcat serbe me kokarda çetnikësh, kur pandërprerë qyteti goditej me granata nga kodrat përreth, Mandiq vendosi të qëndrojë në vendlindje. Veshi uniformën e Armatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe nga istikami mbrojti Sarajevën. Për gazetën e pavarur të Beogradit “Danas” Mandiq ka treguar historinë e tij dhe të familjes së tij. “Qëndruam në Sarajevë... Babai, nëna dhe motra ime e madhe Helena? Pse? Thjesht, ndërtesa e maternitetit, e cila ishte ndër caqet e para në luftë, gjendet vetëm pak kilometra larg shtëpisë sime në Marijin dvor, ndërsa ndërtesa e komunës ku kam marrë certifikatën e lindjes gjendet vetëm disa qindra metra larg. Aty ishin shokët e mi dhe rrugët e fëmijërisë sime. Gjithçka që kam pasur, aty ishte. Askush nuk na ka bërë presion, as të rrimë, as të shkojmë. (...) Pasuan vite të vuajtjes së madhe, mbijetesës së vështirë, por edhe ballafaqimit me vetveten. As atëherë, as tani nuk do të arrijë t’ia shpjegojë vetes se si ka mundur të ndodhë që ditëlindjen e 19-të ta pres i rrethuar me miq dhe dashamirësi, ndërsa si 21-vjeçar, me uniformë më istikam dhe me sanduiç e disa cigare në xhep”.

Sërgjan Mandiq është nënkryetar i Nasha stranka (Partia jonë), një parti antinacionaliste, kryetar i së cilës është Predrag Kojoviq, i cili gjatë rrethimit të Sarajevës ka qenë kameraman i agjencisë Reuters. Mandiq u lind më 1972 në Sarajevë, ku kreu shkollën fillore, gjimnazin dhe fakultetin (Mandiq është ekonomist). Ka qenë menaxher në ndërmarrje të ndryshme të Sarajevës dhe drejtor i gazetës “Oslobogjenje”. Në qeverinë e kantonit të Sarajevës Mandiq ka qenë ministër i ekonomisë komunale dhe infrastrukturës.

Mandiq nuk e fsheh se vjen nga një familje “e kuqe”, partizane e komuniste. Babai i tij Nedelko Mandiq, doktor i shkencave ekonomike, ka qenë ministër në qeverinë jugosllave dhe afarist i suksesshëm. Në rrëfimin e tij për gazetën “Danas” Sërgjan Mandiq ka treguar detaje edhe nga historia e familjes së tij. Në Luftën e Dytë Botërore çetnikët vranë gjyshen e tij dhe motrat e saj, ndërsa gjyshi i tij ishte partizan. “Nëna nuk më kishte treguar për këtë derisa në realitetin tonë të ri u shfaqën vampirët e parë me kokarda. Për mua nocioni çetnik dhe ustash edhe më herët, edhe atëherë (vitet 90-të), edhe sot është sinonim për krim e gjak”.

Sërgjan Mandiq nuk është zgjedhur vetëm për shkak të shembullit të tij personal në mbrojtje të Sarajevës, por edhe për shkak se, në krahasim me politikanët e korruptuar dhe “patriotikë” të SDA-së së Izetbegoviqit, Mandiq ka arritur t’i bind qytetarët me konceptin e tij politik. “Jetojmë në shekullin e 21-të në një qytet i cili ka qejf të lavdërohet se ka qenë i pari që ka pasur furnizim me ujë dhe tramvaj, por kemi pjesë të qytetit të cilat nuk kanë ujë”, theksoi Mandiq gjatë fushatës. Nga përvoja e tij si ministër kantonal ai tregoi se në një ndërmarrje publike punonin 13 çifte. Mandiq ka paralajmëruar se gjatë mandatit të tij do të merret me legalizimin e objekteve dhe banesave, do të rregullojë hapësirën publike, sanojë fasadat dhe ndriçimin publik, do të rregullojë trafikun. Pas fitores së tij Mandiq falënderoi koalicionin e përbërë nga katër parti – Nasha stranka, Populli dhe drejtësia (NiP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Lista e pavarur e Bosnjë-Hercegovinës (NBL).