Pothuajse e gjithë popullsia e etnisë armene kanë braktisur Nagorno-Karabakhun qëkur Azerbajxhani kreu operacionin ushtarak, duke marrë kontrollin e territorit. Shteti i Azerbajxhanit ka thënë se dëshiron të riintegrojë armenët, të cilët i kanë cilësuar si gënjeshtra këto deklarata.
Më shumë se 100 mijë persona kanë ikur nga rajoni i Nagorno-Karabakhut, kanë njoftuar autoritetet armene të shtunën. Kjo do të thotë se pothuajse e gjithë popullsia e armenëve etnikë ka braktisur enklavën qëkur Azerbajxhani mori kontrollin me një aksion ushtarak.
Shteti i Azerbajxhanit ka thënë se dëshiron të riintegrojë zonën dhe t’i trajtojë banorët si të barabartë, por armenët kanë thënë se kjo është gënjeshtër.
“Deri në këtë moment, 100 mijë e 417 persona janë zhvendosur nga Nagorno-Karabakh; 21 mijë e 43 automjete kanë kaluar. Tashmë 81 mijë e 139 janë regjistruar. Dua t’ua përkujtoj se qeveria ofron akomodim. Tash janë 32 mijë e 200 persona që janë akomoduar”, ka thënë Nazeli Baghdasaryan, sekretare për media e kryeministrit të Armenisë.
Nagorno-Karabakh – i njohur si pjesë e Azerbajxhanit – ishte menaxhuar nga armenët etnikë në 30 vjetët e fundit.
Rajoni në Kaukazin Jugor ishte përkrahur nga Armenia dhe nga Rusia.
Në operacionin ushtarak të Azerbajxhanit janë vrarë së paku 200 armenë. Si pjesë e armëpushimit, armenët janë pajtuar t’i dorëzojnë armët.
Ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan ka publikuar videon në të cilën shihet armatimi i konfiskuar i forcave armene në Nagorno-Karabakh. Sipas ministrisë, pjesë e armatimit të konfiskuar ishin numër i madh i kalibrave, raketa kundër tankeve, granata dore dhe armë të tjera. Origjina e këtyre armëve nuk ka mundur të verifikohet. Qeveria separatiste e Nagorno-Karabakhut ka deklaruar se do të shpërbëhet dhe republika e vetëshpallur do të pushojë së ekzistuari deri në fund të vitit.
Ndërkaq, dy javë më parë, nga shpërthimi në një pikë karburantesh kanë vdekur së paku 170 persona që po prisnin të largoheshin në drejtim të Armenisë.
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara gjithashtu ka njoftuar se 100 mijë persona kanë ikur, duke theksuar se shumë prej tyre janë të uritur, të lodhur dhe kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.
Artak Beglaryan, zyrtar i ish-forcave separatiste të Armenisë, ka thënë se grupet e fundit të banorëve të Nagorno-Karabakhut janë rrugës për në Armeni.
“Kanë mbetur qindra, shumë prej tyre zyrtarë, punëtorë të emergjencave, vullnetarë dhe disa persona me nevoja të veçanta”, ka thënë ai në rrjetet sociale.
Kombet e Bashkuara do të nisin misionet në Nagorno-Karabakh për të vlerësuar situatën humanitare, pasi Azerbajxhani lejoi vizitën e trupave të OKB-së.
Ambasadori i Armenisë, Edmon Marukyan, ka kritikuar kohën e vizitës, por ka theksuar se është e rëndësishme që zyrtarët e OKB-së ta shohin me sytë e tyre se me çfarë po përballën armenët etnikë.
“Është mirë që po vijnë sepse do të jenë dëshmitarë të spastrimit etnik nga tokat e tyre të vendlindjes, nga shtëpitë në të cilat prindërit kanë jetuar. Po ndodh një spastrim i plotë i këtij territori”, ka thënë ai për BBC-në.
Ai i ka mohuar deklaratat e Azerbajxhanit si gënjeshtra.
“Është krejtësisht propagandë, një tjetër propagandë e Azerbajxhanit. Askush nuk do të qëndrojë në Nagorno-Karabakh”, ka thënë ai.