Lideri pro-evropian i qendrës së djathtë, Peter Magyar, është betuar si kryeministër i Hungarisë, duke i dhënë fund zyrtarisht 16 vjetëve të qeverisjes së Viktor Orbanit.
Ceremonia e inaugurimit u mbajt të shtunën në parlamentin hungarez, ndërsa jashtë ndërtesës qindra qytetarë u mblodhën për të ndjekur seancën në ekrane të mëdha.
Gjatë fjalimit, Magyar u bëri thirrje qytetarëve që “të shkruajnë historinë hungareze së bashku” dhe e cilësoi tranzicionin politik si “kalim nëpër portën e ndryshimit të regjimit”.
Partia e tij opozitare, Tisza, fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të mbajtura muajin e kaluar, duke siguruar 141 nga 199 ulëset në parlament, shumicë që i jep kontroll prej dy të tretash.
Magyari ka premtuar luftë kundër korrupsionit, për të cilin tha se ka dëmtuar ekonominë dhe mundësitë e qytetarëve hungarezë gjatë viteve të fundit.
Edhe
Magyar ia pamundëson Orbanit të kandidojë për një mandat tjetër si kryeministër
Një nga prioritetet kryesore të qeverisë së re pritet të jetë zhbllokimi i rreth 17 miliardë eurove fonde të Bashkimit Evropian, të cilat ishin ngrirë gjatë qeverisjes së Orbanit për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit dhe korrupsionin.
Kryeministri i ri është zotuar gjithashtu të përmirësojë marrëdhëniet me partnerët evropianë dhe të rikthejë reputacionin e Hungarisë mes demokracive perëndimore.