Mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi zjarret vdekjeprurëse vazhdojnë të djegin Evropën Jugore si pasojë e një vale rekord të nxehtësisë.
Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të vënë nën kontroll një zjarr që shpërtheu pranë Madridit në Spanjë.
Një burrë i përfshirë në zjarrin në Tres Cantos, pranë kryeqytetit spanjoll, vdiq në spital pasi pësoi djegie në shkallë 98%, raporton Sky Neës.
Flakët shpërthyen gjithashtu në disa rajone spanjolle, duke përfshirë Castile dhe Leon, Castile-La Mancha, Andaluzi dhe Galicia.
Ministria e Brendshme e Spanjës shpalli një "para-emergjencë", duke vënë shërbimet kombëtare në gatishmëri për të mbështetur zjarrfikësit. Pothuajse 1,000 anëtarë të forcave të armatosura të vendit tashmë po ndihmojnë.
Temperaturat pritet të arrijnë 44 gradë celsius në disa pjesë të vendit, sipas parashikuesve të motit.
Në Portugali, më shumë se 700 zjarrfikës po punojnë për të kontrolluar një zjarr në Trancoso, qindra kilometra në verilindje të Lisbonës.
"Po na ziejnë të gjallë, kjo nuk mund të vazhdojë", ka thënë kryebashkiaku i Vila Real, Alexandre Favaios. Një zjarr në qytetin portugez ka qenë aktiv prej 10 ditësh.
Zjarrfikësit kanë luftuar me zjarre edhe në të gjithë Turqinë të martën, përfshirë provincën veriperëndimore të Çanakalasë, duke detyruar qindra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Flakët detyruan mbylljen e përkohshme të Aeroportit të Çanakalasë, si dhe Ngushticën e Dardaneleve për anijet.
Zjarret në Greqi detyruan evakuimin e disa fshatrave dhe një hoteli në ishujt turistikë të Zakinthos dhe Qefalonisë në Detin Jon, së bashku me katër pjesë të tjera të kontinentit.
"Erërat janë të forta dhe zjarri është jashtë kontrollit", ka thënë kryebashkiaku i Zakinthos, Yiorgos Stasinopoulos, për transmetuesin publik grek ERT.
Alarme për vapë janë lëshuar në Itali dhe Francë.
Rekordet e temperaturës u thyen të hënën në Francën jugore, duke arritur në 41.6 gradë celsius në Bordeaux krahasuar me një rekord të mëparshëm prej 41.2 gradë celsius në vitin 2019.
Rekordet e të gjitha kohërave u thyen gjithashtu në Bergerac, Cognac dhe Saint Girons, sipas shërbimit kombëtar të motit, Meteo France.
Ngrohja globale po i jep rajonit të Mesdheut verëra më të nxehta dhe më të thata, thonë shkencëtarët.
Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër, me temperatura që rriten me dyfishin e shpejtësisë së mesatares globale që nga vitet 1980, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike “Copernicus” të Bashkimit Evropian.
Viti i kaluar ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Evropë dhe në nivel global, ka thënë agjencia e monitorimit.