Kushtet ende sekrete të marrëveshjes së presidentit amerikan, Donald Trump me Iranin, kanë nxitur një debat të ashpër mbi atë se sa shumë përfitime financiare mund të ketë Teherani zyrtar, dhe sa shpejt mund të ndodhë kjo.
Marrëveshja pritet t’i lejojë Iranit të shesë naftë lirshëm gjatë një periudhe 60-ditore negociatash, duke hapur gjithashtu rrugën për lehtësimin më të gjerë të sanksioneve, qasjen në fondet e ngrira dhe një fond të mundshëm investimesh prej 300 miliardë dollarësh për rindërtim, nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare bërthamore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPika e përplasjes:
Kritikët argumentojnë se, pasi e hodhi poshtë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi tani po ndjek të njëjtën strategji: zhbllokimin e fondeve në këmbim të lëshimeve bërthamore, duke shkuar potencialisht edhe më tej me fondin e rindërtimit.
Shtëpia e Bardhë thotë se debati po ndikohet nga “dezinformimi iranian” dhe se struktura e marrëveshjes, e bazuar në parimin “shpërblim për performancë”, është mënyra më e mirë për të arritur marrëveshjen më të fortë të mundshme.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë pranojnë se të paktën disa përfitime do t’i kalojnë Iranit që në fillim.
Gjendja aktuale
Memorandumi i Mirëkuptimit (MOU), që pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten, është projektuar për të nisur 60 ditë negociata mbi një marrëveshje më të detajuar bërthamore.
Zyrtarët amerikanë e pranojnë se nuk është e sigurtë nëse do të arrihet një marrëveshje afatgjatë bërthamore, por argumentojnë se përfitimet ekonomike për Iranin varen nga arritja e saj.
Ndërkohë, mungesa e detajeve rreth përmbajtjes së memorandumit ka lënë hapësirë për një mori pretendimesh se miliarda dollarë tashmë po rrjedhin drejt Teheranit.
Në përgjigje të pyetjeve për këtë çështje, një zyrtar amerikan i ka thënë mediumit Axios se “kjo është një marrëveshje e bazuar në performancë. Irani mund të ketë qasje në çdo përfitim të memorandumit vetëm nëse respekton të gjitha pikat për të cilat është pajtuar – përfshirë moszhvillimin e armëve bërthamore, neutralizimin e materialit të pasuruar dhe mosndërhyrjen në lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”.
Çfarë fiton Irani menjëherë
Një zyrtar amerikan ka thënë se marrëveshja përfshin përjashtime të përkohshme nga sanksionet që i lejojnë Iranit të shesë naftë për aq kohë sa vazhdojnë bisedimet, një burim potencialisht gjigant të ardhurash, pasi bllokada e ashpër detare amerikane do të hiqet.
Mediat shtetërore iraniane kanë pretenduar se Teherani do të ketë gjithashtu qasje të menjëhershme në fondet e ngrira vetëm për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes. Zyrtarët amerikanë e mohojnë kategorikisht këtë.
Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se Irani mund të ketë “lëshime të kufizuara” si lehtësim sanksionesh ose qasje në fonde të ngrira, në këmbim të respektimin reciprok të marrëveshjes.
Raportimet për marrëveshje anësore, sipas të cilave shtete të Gjirit si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari mund të zhbllokonin fondet iraniane që mbajnë, u hodhën poshtë nga një zyrtar i lartë amerikan si “absurde”.
Megjithatë, memorandumi lë vend për interpretime. Sipas një burimi të njohur me tekstin, SHBA-ja “merr përsipër t’i bëjë fondet e ngrira plotësisht të disponueshme për përdorim ... pas zbatimit të këtij memorandumi”.
Çfarë fiton Irani nëse arrihet një marrëveshje bërthamore
Nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare bërthamore, SHBA-ja është zotuar në memorandum të heqë të gjitha sanksionet ndaj Iranit sipas një afati të dakorduar, sipas përshkrimit të tekstit nga një burim.
Shtëpia e Bardhë thotë se çdo marrëveshje duhet të përfshijë:
marrjen nën kontroll të uraniumit të pasuruar në nivele të larta të Iranit;
një moratorium mbi pasurimin e ardhshëm të uraniumit;
një regjim inspektimesh për të verifikuar zbatimin.
Një zyrtar i lartë i administratës pretendon se SHBA-ja pret të kuptojë brenda dy ose tre javësh nëse Irani është serioz në negociata dhe se përfitimet financiare do të jenë të kufizuara nëse nuk është.
Fondi prej 300 miliardë dollarësh
Një nga dispozitat më politikisht shpërthyese është krijimi i mundshëm i një fondi rindërtimi për Iranin.
Memorandumi parashikon që çdo marrëveshje përfundimtare do të përfshijë një “plan përfundimtar dhe të dakorduar reciprokisht” për një fond që do të mbështesë “rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik” të Iranit, sipas një burimi të njohur me tekstin.
Burime të afërta me diskutimet kanë thënë se ideja e “fondit të prosperitetit” ka ardhur nga Katari dhe është diskutuar prej disa javësh me SHBA-në dhe Iranin. Nisma parashikon investime të sektorit privat nga shtetet e Gjirit dhe vendet e Azisë Lindore.
Zëvendëspresidenti JD Vance ka deklaruar për Fox News se paratë nuk do të vijnë nga taksapaguesit amerikanë dhe se fondi do të vihet në funksion vetëm nëse Irani i jep fund përgjithmonë programit të tij bërthamor, heq dorë nga uraniumi i pasuruar dhe lejon inspektimet bërthamore.
Çfarë pritet më tej
Trumpi ka deklaruar sërish të martën se teksti i memorandumit do të publikohet, megjithëse me shumë gjasa jo para se të nënshkruhet zyrtarisht të premten. Deri atëherë, shumë nga detajet kryesore të marrëveshjes mbeten të paqarta dhe subjekt debatesh të forta politike.