Botë

“Motra vdiq nga kanceri për faj të teorive konspirative të nënës sonë”

Paloma Shemirani

Foto: BBC

Dy vëllezërit Gabriel dhe Sebastian Shemirani kanë fajësuar nënën e tyre, e cila është fanatike e teorive konspirative dhe njëkohësisht personalitet i njohur në internet, për vdekjen e motrës 23-vjeçare, Paloma Shemirani. Të dy vëllezërit kanë thënë se kanë kontaktuar BBC-në për rastin e Palomës me shpresën se mund të parandalojnë vdekje të tjera, dhe besojnë se kompanitë e mediave sociale duhet të ndërmarrin masa më të ashpra kundër dezinformatave mjekësore – të cilat, sipas hetimeve të BBC-së, po promovohen në mënyrë aktive në disa nga platformat kryesore.

Gabriel dhe Sebastian Shemirani shikonin me shqetësim teksa nëna e tyre, Kate, fitoi famë gjatë pandemisë, duke përhapur dezinformata për Covid-19 – gjë që çoi në përjashtimin e saj nga puna si infermiere.

Më pas, motra e tyre Paloma u diagnostikua me kancer. Mjekët i thanë se kishte gjasa të larta për të mbijetuar nëse pranonte të trajtohej me kimioterapi. Por në vitin 2024, shtatë muaj më vonë, ajo vdiq – pasi e kishte refuzuar trajtimin.

Vëllezërit fajësojnë teoritë konspirative të nënës së tyre për vdekjen e Palomës në moshën 23-vjeçare – ndërkohë që onkologë të intervistuar nga BBC-ja paralajmërojnë se këto bindje po përhapen gjithnjë e më shumë.

Kate Shemirani nuk ka reaguar drejtpërdrejt ndaj akuzave të ngritura, por publikisht ka fajësuar Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS) për vdekjen e vajzës së saj.

Ajo dhe ish-burri i saj, babai i Palomës, Faramarz Shemirani, i kanë shkruar BBC-së, duke thënë se kanë prova se “Paloma vdiq si pasojë e ndërhyrjeve mjekësore të kryera pa diagnozë të konfirmuar apo pëlqim ligjor”. 

BBC-ja nuk ka parë asnjë provë që i mbështet këto pretendime.

Vëllai i madh i Palomës, Sebastian ka thënë se “motra ime ka vdekur si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe bindjeve të nënës sime, dhe nuk dua që askush tjetër të përjetojë dhimbjen apo humbjen që unë kam përjetuar”. 

Të dy vëllezërit kanë thënë se kanë kontaktuar BBC-në për rastin e Palomës me shpresën se mund të parandalojnë vdekje të tjera, dhe besojnë se kompanitë e mediave sociale duhet të ndërmarrin masa më të ashpra kundër dezinformatave mjekësore – të cilat, sipas hetimeve të BBC-së, po promovohen në mënyrë aktive në disa nga platformat kryesore.

“Unë nuk munda ta shpëtoja motrën time nga vdekja. Por do të kishte kuptim të madh për mua nëse do të mund të siguroja që ajo të mos mbetet thjesht një emër tjetër në listën e gjatë të atyre që vdesin në këtë mënyrë”, ka thënë Gabriel.

Për emisionin “Panorama” dhe podkastin “Marianna in Conspiracyland 2” të BBC Radio 4, gazetarja e BBC-së ka zbërthyer se si kjo e re, e diplomuar në Cambridge, refuzoi trajtimin që mund t’i kishte shpëtuar jetën – duke ndjekur gjurmët e saj online dhe intervistuar njerëz pranë saj.

Gazetarja e BBC-së ka zbuluar se ithtarët e teorive konspirative si Kate Shemirani po shpërndajnë tek miliona ndjekës pikëpamje, dikur margjinale kundër mjekësisë – që mund t’i lënë njerëzit më të brishtë në rrezik të madh për shëndetin apo jetën.

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë lufta kundër dezinformatave mjekësore për shkak të figurave të njohura si Robert F. Kennedy Jr., i cili më parë ka shprehur qëndrime joshkencore – ka thënë onkologu Tom Roques, zëvendëskryetar i “Royal College of Radiologists”, që përfaqëson edhe specialistët e kancerit.

“Kur ke një Sekretar amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore që promovon aktivisht pikëpamje, sikurse korrelacioni mes vaksinave dhe autizmit, të cilat janë hedhur poshtë prej vitesh, atëherë bëhet shumë më e lehtë për të tjerët të përhapin ide të rreme”, ka argumentuar ai.

“Mendoj se rreziku është që trajtimet alternative dhe më të dëmshme po bëhen më të pranueshme dhe më të përhapura. Kjo mund t’u shkaktojë njerëzve më shumë dëm”, ka shtuar ai.

Që prej marrjes së detyrës si Sekretar i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Kennedy ka thënë se nuk është anti-vaksinave dhe se vetëm mbështet më shumë teste sigurie.

Teoritë konspirative gjatë rrugës për në shkollë

Paloma dhe vëllai i saj binjak Gabriel, së bashku me Sebastianin dhe motrën më të vogël, u rritën në qytetin e vogël të Uckfield në Sussex, ku, sipas vëllezërve, u ekspozuan ndaj teorive konspirative në familje.

“‘Lista e audiove’ gjatë rrugës për në shkollë”, ka thënë Gabriel, “ishte teoricienti konspirativ Alex Jones që fliste për mënyrën se si masakra në shkollën Sandy Hook ishte e inskenuar ose se si 11 shtatori ‘ishte punë e brendshme’”.

Vëllezërit kanë bërë të ditur se ishte babai i tyre ai që filloi i pari të merrej me teori konspirative, gjë që ngjalli interesimin e nënës së tyre. Fëmijët i morën për të mirëqena idetë jorealistike, përfshirë idenë se Familja Mbretërore ishte në fakt një specie gjarpërinjsh që ndryshonin formë, ka thënë Gabriel. “Si fëmijë i vogël, ti u beson prindërve. Prandaj e sheh atë si një të vërtetë”, ka shtuar ai.

Sebastiani beson se nëna e tyre përdorte këto ide si një mënyrë për t’i kontrolluar ata. Në një rast, Kate Shemirani, kishte thënë që Wi-Fi ishte i rrezikshëm dhe e fikte atë në shtëpi, duke injoruar lutjet e tij se duhej të dorëzonte obligimet shkollore. “Kjo vetëm ushqeu kënaqësinë që ajo kishte për të përdorur sistemin e saj irracional të besimeve për të më kontrolluar”, ka thënë ai.

Sipas djemve të saj, pikëpamjet antimjekësore të Shemiranit u përshpejtuan në vitin 2012, kur ajo u diagnostikua me kancer të gjirit.

Edhe pse e hoqi tumorin përmes operacionit, ajo ia atribuoi shërimin terapive alternative dhe ka thënë në internet se përdori një program që përfshinte lëngje dhe klizmë të kafes për ta mposhtur kancerin. 
Paloma kishte pranuar disa nga këto ide, ka thënë Chantelle, njëra nga shoqet e saj më të mira të fëmijërisë. “Paloma fliste për nënën e saj që ishte shëruar vetë, dhe besonte se kremi për diell mund të shkaktonte kancer. Më kujtohet që shpesh digjej shumë keq në shkollë”, ka deklaruar ajo.

Pas ndarjes së prindërve, Gabriel dhe Sebastian u larguan nga nëna e tyre. Por Paloma i ruajti kontaktet me të, madje edhe kur shkoi të studionte në Universitetin e Cambridge në vitin 2019.

“Strategjia e Palomës ishte të qetësohej, të ishte e ëmbël, të përpiqej të fitonte dashurinë që nuk e kishte marrë më parë”, ka thënë Sebastian.

Mesazhet që Paloma ndau me atëherë të dashurin e saj, Ander Harris – dhe që ai i ka ndarë njëkohësisht me BBC-në – zbulojnë një marrëdhënie me nënën e saj që pati momente dashurie dhe kujdesi, por edhe periudha kur Paloma e shihte atë si toksike dhe keqtrajtuese.

Gjatë Krishtlindjeve të vitit 2022, ajo i kishte thënë Anderit se nëna e saj po e fajësonte për faktin që fëmijët e tjerë nuk po ktheheshin në shtëpi për Krishtlindje. 

“Jam shumë, shumë, shumë e lodhur nga keqtrajtimet”, kishte shkruar ajo, duke sugjeruar me një fjalë të fortë se ky trajtim ndodhte në vazhdimësi.

Nëna e saj vazhdonte të hynte në dhomën e saj dhe “të ishte e ashpër”, kishte shkruar Paloma në një mesazh, duke shtuar se ajo e kishte goditur. Paloma iku në shtëpinë e një shoqeje. Më vonë, ajo i pati dërguar Anderit mesazhin e ndarjes me nënën, duke thënë se ishte “pika që e kaloi kufirin. “Ti më lëndon çdo herë që të le të afrohem dhe nuk do ta lë më kurrë. Jam më shumë se e lënduar”.

Në universitet, Paloma dukej se herë pas here po distancohej nga bindjet e nënës së saj. Chantelle ka thënë se ajo filloi të hante mish dhe të përdorte pastë dhëmbësh me fluoride. Por si Chantelle, edhe Ander ka thënë se ajo mbeti skeptike ndaj vaksinës kundër Covid-19 dhe refuzoi ta merrte atë.

“Një shqetësim lidhur me ndikimin prindëror”

Në fund të vitit 2023, pak pasi përfundoi studimet, Paloma filloi të kishte dhimbje në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje. Ajo shkoi në spital.

Mjekët dyshuan për një tumor, por Anderi ka thënë se ai dhe Paloma, “një nga njerëzit më të zgjuar që kam njohur ndonjëherë”, ishin shpresëplot në fillim se nuk do të ishte i tipit malinj.

Mirëpo, më datë 22 dhjetor, Paloma dhe Anderi shkuan së bashku në Spitalin Maidstone, ku mjekët i dhanë diagnozën përkatëse. Nëse nuk trajtohet, ky lloj kanceri mund të jetë fatal, por mjekët i kishin thënë Palomës se kishte 80 për qind gjasa për t’u shëruar nëse i nënshtrohej kimioterapisë.

Paloma ia tregoi lajmin nënës së saj. Ander ka thënë se Paloma ende donte mbështetjen e saj, edhe pse marrëdhënia e tyre sapo kishte kaluar një periudhë të vështirë. Kate Shemirani pati thënë se do të vinte në spital. Por Paloma kishte frikë ta takonte dhe i foli stafit mjekësor për shqetësimet e saj.

Në provat të cilat BBC-ja i ka siguruar, sugjerohet se mënyra e të menduarit të Palomës mund të ishte ndikuar nga nëna, gjatë dy ditëve që ajo ishte paciente në Spitalin Maidstone.

Kate Shemirani i ka shkruar mesazh Anderit duke i thënë: “thuaj Palomës që të mos i nënshtrohet dhe të mos e pranojë verbalisht kimioterapinë apo çdo trajtim tjetër”.

Ander dhe nëna e tij, e cila ishte gjithashtu aty, ngritën shqetësime ndaj stafit të spitalit për besimet e Kate Shemirani dhe marrëdhënien e saj me Palomën.

Stafi mjekësor diskutoi mes tyre shqetësimet për mbrojtjen e Palomës dhe shkruan se kishin “një shqetësim lidhur me ndikimin prindëror” mbi të. Megjithatë, ata mendonin se Paloma kishte aftësinë për të marrë vendime vetë.

Për këshilla, Paloma kontaktoi me një ish-partner të Kate Shemirani, të quajtur Patrick Vickers. Paloma kishte një marrëdhënie të mirë me të, ka treguar Ander. Ai është gjithashtu praktikues i shëndetit alternativ.

Kur Paloma e pyeti rreth “gjasave për shërim” që mjekët i kishin thënë se kimioterapia do të ofronte, Vickers ka thënë se kjo ishte “ekzagjeruar”. Ai e inkurajoi të fillonte terapinë “Gerson” dhe ndoshta të konsideronte kimioterapinë nëse simptomat nuk përmirësoheshin pas gjashtë javësh.

Vickers ka thënë për BBC-në se çdo “pretendim që unë kam luajtur një rol në vdekjen e saj [Palomës] është ligjërisht i pasaktë”. Ai po ashtu ndau me BBC-në dokumente që e mbështesnin terapinë Gerson.

Terapia Gerson përfshin një dietë strikte bimore, së bashku me lëngje, suplemente dhe klizmë me kafe. Disa njerëz pretendojnë – pa prova shkencore – se ajo mund të përdoret për të trajtuar disa forma të ndryshme të kancerit.

Paloma kishte shqetësime për efektet anësore negative të kimioterapisë, ka treguar Ander për BBC-në, pasi kjo mund të shkaktojë lodhje, të përziera, humbje të flokëve dhe të ndikojë në fertilitet. Stafi i infermierëve i foli Palomës për ngrirjen e vezëve dhe përdorimin e parukeve kur u diagnostikua.
Organizata bamirëse “Cancer Research UK” ka thënë se terapia Gerson gjithashtu mund të ketë efekte të rënda anësore, duke përfshirë dehidratimin, inflamacionin e zorrëve, dhe probleme me zemrën dhe mushkëritë.

Në një moment gjatë dy ditëve në spital, Paloma mori vendimin e saj. Ajo vendosi të mos e ndiqte kimioterapinë — të paktën për tani — dhe të provonte terapinë Gerson paraprakisht.

Më 23 dhjetor, Kate Shemirani i dërgoi Anderit një mesazh zanor duke i dhënë udhëzime të çonte Palomën në shtëpinë e saj, duke thënë se kishte organizuar mjekë për të. 

Ajo sugjeroi që koha e Palomës me një shoqe që donte të takonte të ishte e kufizuar në ditën e Krishtlindjeve — dhe ka thënë në mesazh se mund ta shikonin “në shtëpi për ndoshta gjysmë ore ose sa të donin, ose mund ta bënin përmes FaceTime”.

Ander thotë se nuk ndjeu se mund të kundërshtonte. Paloma “ishte në gjendje ballafaqimi ose ikje dhe thjesht donte të kujdeseshin për të dhe, e di, të mos kishte nevojë të merrte vendime të vështira”, ka thënë ai. “Nëna e saj siç duket përfitoi nga kjo”.

Promovimi i dezinformatave

Kate Shemirani promovon idetë që i rekomandoi vajzës së saj për një audiencë më të gjerë në internet. Ish-infermiere në NHS në vitet 1980, ajo e quan veten “Infermierja natyrale” në rrjetet sociale.

Në faqen e saj të internetit, shet fara kajsie për “përfitimet e mundshme shëndetësore” së bashku me suplemente ushqimore dhe ofron informacione dhe këshilla.

Ajo tarifon rreth 70 funte në vit për anëtarësim në faqen e saj, dhe pagesë prej 195 funtesh për një konsultë dhe program personal 12-javor për pacientët — përfshirë ata me kancer.

Në rrjetet sociale ajo poston video duke promovuar produktet e saj dhe ndonjëherë kritikon “njerëz të keqinformuar” që trajtojnë kancerin me kimioterapi.

Kur pandemia Covid u përhap në 2020-tën, Kate Shemirani ishte një nga shumë influencuesit e teorive konspirative që gjetën një audiencë më të gjerë. Pikëpamjet e saj dukeshin se ishin shndërruar nga ide alternative për shëndetin, në teori konspirative kundër sistemit në përgjithësi.

Ajo promovoi idetë e rreme se pandemia ishte një mashtrim, se vaksinat ishin pjesë e një plani për të vrarë shumë njerëz, dhe se mjekët e infermierët duhej të ndëshkoheshin për rolin e tyre.

Në vitin 2021, një panel i Këshillit të Infermierisë vendosi që Kate Shemirani të hiqej nga lista e infermierëve, pasi promovonte dezinformata rreth pandemisë. Disa kompani të mediave sociale gjithashtu pezulluan profilet e saj për promovimin e dezinformatave. “Ajo u zhduk nga skena”, ka thënë Sebastian.

Por, sapo Elon Musku mori në pronësi rrjetin social X në 2022-tën, shumë profile dhe llogari të teorive konspirative u rikthyen, përfshirë edhe atë të Kate Shemirani. Ajo u rikthye edhe në Facebook, si dhe hapi llogari në TikTok.

Audienca e saj është rritur përsëri – gjatë gjashtë muajve të fundit, përmbajtja e saj ka shikueshmëri milionëshe në platformat kryesore të mediave sociale. 

TikTok ka bërë të ditur se tani ka pezulluar llogarinë e Kate Shemirani për shkelje të politikave mbi dezinformatat mjekësore. Sipas Metas, “Instagrami” dhe “Facebooku” nuk lejojnë dezinformata të dëmshme mjekësore. Ndërkaq, në platformën X nuk kanë dhënë përgjigje.